Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
Prishtina me Scootaxi !
Shkëmb Shala & Albert Ahmeti Publikuar: 20.08.2013 - 09:55

Kryeqyteti i Kosovës tanimë ka edhe një veçanti nga qytetet tjera. Përveç numrit të madh të taksi kompanive, në Prishtinë ka filluar të funksionojë edhe një formë tjetër e taksi-shërbimeve. Është kompania Scootaxi e cila po ofron shërbime udhëtimi për qytetarët e Prishtinës me skuterë.

Alban Hasani nga kompania “Scootaxi” tregon se inspirimi për këtë ide biznesi i erdhi si pasojë e ngarkesës së madhe me të cilën përballet komunikacioni i kryeqytetit, si dhe për shkak të çmimeve të larta që paguajnë qytetarët për transport. Ai thotë se licencimi i ka marrë një kohë prej afro 2 viteve. Hasani shton se kjo formë transporti ka dëshmuar të jetë e sigurtë në shumë metropole evropiane. “Sa i përket sigurisë dhe formës së udhëtimit, tash e shumë vite në kryeqytetet europiane veç kanë këtë formë të transportit. Pasagjerët janë të obliguar të vendosin helmetat me rastin e hipjes në skuter. Gjithashtu, çdo skuter posedon GPS, i cili na transferon 18 raporte çdo 30 sekonda mbi shkeljet e mundshme që mund t’i bëjë vozitësi, kështu që mundësia e keqpërdorimeve është e vogël”, ka thënë Hasani.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme për këtë formë të udhëtimit. Arta Ismaili dhe Dea Hoxha, qytetare të Prishtinës konsiderojnë se kjo formë udhëtimi është atraktive për përdorim gjatë ditës. “Kjo formë udhëtimi duket interesante dhe praktike gjatë ditës, por nuk e dimë sa është udhëtimi i sigurt dhe i përshtatshëm për gjininë femërore”, kanë thënë ato.

Në anën tjetër, Isufi Gashi, qytetar nga Prishtina thotë se pavarësisht nga çmimi i lirë dhe shërbimi i shpejtë, ai do preferonte më shumë format tjera të udhëtimit për shkak të brengave për sigurinë. “Edhe pse është çmimi i lirë dhe shërbimi i shpejtë, më parë do përdorja format tjera, për shkak të sigurisë” ka thënë ai.

Kurse Genc Uka, student nga Prishtina nuk kursen ta shprehë kënaqësinë për këtë formë të re të transportit.“Është me të vërtet një ide e mirë dhe atraktive, sidomos në këtë kohë vere kur rrugët janë të bllokuara nga kolona të gjata. Më pëlqen kjo formë udhëtimi, sepse përveç që arrihet më lehtë e më shpejtë në cak, çmimi është shumë i arsyeshëm, sidomos për studentë”, ka thënë ai.

Alban Hasani tha se ide shtytëse prapa këtij projekti janë që edhe ne të kontribuojmë në ruajtjen e ambientit, si dhe të ndihmojmë qytetarët të arrijnë destinacionin e tyre sa më shpejtë. “ Për momentin kemi 15 skuterë dhe staf të kualifikuar dhe me eskperiencë në vozitjen e motoçikletave. Skuterët janë të përshtatshëm për pasagjerët pasi mund të mbahen në dorezat anash dhe të mbështeten pa pasur kontakt fizik me shoferët. Çmimi për transport kudo në kryeqytet është 1 euro. Interesimi nga qytetarët është i madh prandaj shfrytëzojeni rastin të ju kërkoni ndjesë të gjithë atyre që janë duke pritur më gjatë se që duhet” shtoi Hasani.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Ide e mire por une si turist do te mar taxin se eshte me i i sigurte, me skooter jeta eshte e shkurte kur mer parasysh njohjet - respetin ndaj rregullave dhe shenjave ne komunikacion.
Turisti
rekomanduar (2)
20 Aug 2013
11:03
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51