Ditari

Ballina / Ditari / Arkiva/Histori
“Sy me Sy” – Intervistë me Sabri Fejzullahun në vitin 1980
Gani Dili Publikuar: 20.12.2013 - 20:54

Të nderuar lexues.

Në vazhdën e publikimit të materialeve të vjetra të botuara në revistën “Zëri i Rinisë” para disa dekadave sot kemi përzgjedhur për ju që të rikujtojmë kohën e rinisë të një prej këngëtarëve më të njohur dhe më të dashur për ne, Sabri Fejzullahu.

Si ishte ai në vitin 1980? Sa paguhej për një incizim të një kënge në Televizion? Si organizonte koncerte së bashku me shokët? Si pranonte shumë letra nga adhurueset e tij femra në Kosovë falë mustaqeve të tij karakteristike? E shumë të tjera lexoni në këtë intervistë të realizuar para plotë 34 viteve.

Të mos jem vetëm simpatik

- Thonë se je i dashuruar në këngë

- Fejzullahu: Po, edhe jo vetëm këngën.

- Si u dashuruat në të apo na tregoni edhe kohën kur filluat të këndoni?

- Fejzullahu: Si u dashurova në këngën nuk e di, por e di se u dashurova qysh në bankat e shkollës fillore, kur edhe ia fillova të këndoj.

Organizonim atëherë koncerte me rastin e ditës së shkollës dhe të festive të ndryshme.

Më vonë, si nxënës i shkollës së mesme bashkë me një grup, shokë të mi këndonim dhe organizonim koncerte e mbrëmje vallëzimi në shtëpi të armatës, ku edhe rastësisht një natë më dëgjoi Severin Kajtazi, i cili më luti që një ditë të kthej tek ai në radio.

Ishte ky gëzim i madh për mua.

Kam pasur edhe arsye të gëzohem ngase atëherë incizova këngën e parë dhe pastaj lindën edhe ditët që në mua zgjuan ambicie më të mëdha që t’i përkushtohem këngës edhe më me dashuri dhe të bëhem ky që jam sot.

- A të kujtohet kënga e parë që e incizove në radio?

- Fejzullahu: Po si jo. Ishte këngë e përkthyer nga italishtja. “Tash jo – të cilën edhe sot e këndoj me dashuri.

- Sa këngë i keni të incizuara?

- Fejzullahu: E se janë bërë 400.

- A je i kënaqur me to?

- Fejzullahu: Përveç disave të cilat mund t’i numëroj edhe në gishtërinj, më duhet të them- jo. Shumë prej tyre sikur të kisha mundësi do t’i kisha korrigjuar.

Me këtë rast dua të them këtë: Më gëzon ajo që kënga ime pritet mirë nga publiku për të cilin edhe këndoj, por edhe për të cilin edhe këngët e dobëta mundohem t’i nxjerr edhe të dëgjohen me ëndje.

Publiku është ai që gjithherë më ka nxitur dhe më cyt që të punoj më shumë, të dua këngën edhe më shumë.

- Sa merrni honorar për incizimin e një kënge?

- Fejzullahu: Gjithsejtë 120 dinarë. Për mua ajo s’ka rëndësi, ju thashë se këndoj për publikun, për të cilin mundohem të jem gjithherë i dashur dhe i pranuar.

- Çfarë këngësh të pëlqejnë apo të përshtaten për interpretim?

- Fejzullahu: Ato të cilat mund t’i këndoj edhe populli, secili prej nesh…

- Çka mendoni për muzikën tonë argëtuese?

- Fejzullahu: E pa afirmuar. Më duket se pak punojmë në këtë drejtim që ta afirmojmë muzikën tonë. Pse, nuk e di por di të ju them, për shembull, pse incizimet e këngëtarëve tonë nuk u dërgohen edhe qendrave tjera radio-televizive…Po ashtu mendoj, jo vetëm unë, se është koha që edhe ne ta kemi shtëpinë diskografike, ku do t’i kishim incizuar këngët tona. A nuk është mëkat që një Nexhmije Pagarusha të ketë vetëm dy-tri disqe?

- Në akordet e vjetme këndove edhe këngë popullore. Qka do të thotë kjo?

- Fejzullahu: Paj, shikoni unë kur kam filluar të këndoj, së pari kam kënduar këngë popullore, të cilat edhe i dua dhe i pëlqej ti interpretoj.

Dua të shtoj edhe këtë se pa e njohur edhe melosin popullorë as që mund të bëhesh këngëtar i mirë e pranuar në masën.

Ky është mendim imi e që do të thotë se mund të mos pajtohen të tjerët. Sa i përket kësaj pyetje, kisha të shtoj edhe këtë se gjatë muajit mars apo prill në Prishtinë do të organizoj një koncert me titull “Unë ty të kam dashtë” – në të cilin do të këndoj vetëm këngë popullore, të cilat mendoj edhe t’i incizoj disa prej tyre.

- Çka mendoni për këngëtarët e rinj?

- Fejzullahu: Ka të shumtë dhe të talentuar, por shumë prej tyre po ndikohen nga këngëtarët e huaj të cilët edhe po imitojnë.

Dua të them, më mirë do të kishte qenë të këndojnë me zërin e vet, me të cilin pa dyshim do të kishin qenë të pranuara për publikun,. Dua të them atë se këngëtari duhet të këndoj në atë mënyrë që edhe publiku të këndoj bashkë me të.

- Sa çmoheni ju si këngëtar?

- Fejzullahu: Mjaftë mirë. Për këtë më kanë bindur duartrokitjet gjatë interpretimit tim.

- Sa paguhet këngëtari ynë?

- Fejzullahu: Ju thashë më parë se sa u përket incizimeve mjaftë paka, por ai mund të fitojë më shumë nga koncertet, për të cilat mendoj se te ne organizohen rrallë.

- Pse, si mendoni?

- Fejzullahu:Pse të mos organizohen koncerte më të shpeshta apo ndonjë shou-program me këngëtarët tanë e që mendoj se publiku ynë është i etur për to.

- Nga adhuruesit a merrni letra?

- Fejzullahu: Po, marrë letra po, edhe nga kolegët mi nga qendrat e ndryshme si në vend ashtu edhe jashtë.

- Më shumë nga femrat, apo?

- Fejzullahu: Të ju them të drejtën, shumicën nga femrat që janë të sinqerta. Të ju them edhe këtë, në kohë ne fundit po më pyesin pse i kam shkurtuar mustakët. Më thonë se kam qenë më simpatik me to.

- E pse i shkurtuat?

- Fejzullahu: Të mos jem vetëm simpatik.
- Hobi?

- Fejzullahu: Këngën e kam hobi, por nuk mund të ndaj nga profesioni që e kam si aktor.

- Çka bën në kohën e lirë?

- Fejzullahu: Lexoj poezi, të cilën e dua shumë dhe kam pasur dëshirë të shkruar, por qe nuk më shkon ani pse jam plot ndjenja, pastaj dal shëtis me shoqen, me fëmijët, me shokë. Kam pak kohë të lirë. Jam i angazhuar në radio, në televizion pastaj më ftojnë edhe nëpër koncerte të ndryshme.

- Planet?

- Fejzullahu: Nuk i dua planet, mundohem të realizoj atë çka dëshiroj. Ju thashë për koncertin me këngë popullore që do të organizoj kah marsi apo prilli. Këto ditë do të marr pjesë edhe në festivalin e Opatisë dhe më 28 të këtij muaji kam një emision në TVP me solisten Alma Ekmexhiqin.

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Revista "ZËRI i Rinsë" revista javore (në të cilën është publikuar intervista me Sabri Fejzullahun dhe shume e shume intervista me personazh të njohur të artit,kultures...mbi të gjitha ishte edhe si zëdhenës i rinise se atëhershme.Duke hapëruar paralelisht me gazetën studentore "Bota e re"kan lëne gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë e fundshekullit të kaluar.
nebi
rekomanduar (6)
20 Dec 2013
21:55
 
Me shume nga Ditari