Ditari

Ballina / Ditari / Arkiva/Histori
1980 – Intervistë me Bekim Fehmiun dhe bashkëshorten e tij
Publikuar: 25.12.2013 - 19:02

Intervista e realizuar në vitin 1980 më aktorin e famshëm tashmë të ndjerë shqiptar, Bekim Fehmiun dhe bashkëshorten e tij Branka, është shkrimi i radhës i rubrikës tonë të re “Arkiv – Histori” nga “Zëri i Rinisë”.

Lojnat e tyre fëmijërore i filluan në anë të ndryshme të vendit, por valët e jetës i afruan në një breg, tash jetojnë në Beograd –Branka dhe Bekimi me dy fëmijët e vet Uliksin dhe Hedonin.

Janë takuar në të njëjtën detyrë, aty janë dashuruar dhe aty kanë lidhur fatin e jetës së përbashkët.

Branka Periqi, e lindur para luftës, në Novi-Vinodollski, në një familje bashkëkohore, tash derisa flet për vendlindjen e vet, i kujtohet udhëtimi i përditshëm nëpër baltë prej fshatit deri në Gjimnazin e Zemunit, rrugë kjo që do të vazhdoj me plotë suksese kah Akademia për film e teatër.

Lojën e aktrimit e ka filluar shumë herët. Aromën e parë të punës e të djersës e ka ndierë në seksionin dramatik të shkollës, aromë kjo me të jeton edhe tash.

Me të mbaruar akademinë ajo bëhet anëtare e Teatrit Popullor të Dramës në Beograd, teatër ky me traditë tridhjetëvjeçare të punës. Branka në këtë skenë i ka 17 vite punë të suksesshme.

A jeni njoftuar me Bekimin në akademi?

Branka: Mua më pëlqejnë djelmoshat nga periferia, por dashuria në mes nesh ka lindur në akademi. Ajo lindi më vonë. Me të mbaruar akademinë të dy jemi angazhuar në të njëjtin teatër. Unë i mbeta besnike teatrit ndërsa Bekimi pas suksesit në filmin “Mbledhësit e puplave” u bë artist i lirë.

Megjithatë, do t’ju kujtohen çastet e para të takimit të afërt?

Natyrisht – thotë – Bekimi. Më 1963, tri ditë pas mbarimit të shërbimit ushtarak, bredhja nëpër Beograd, pa banesë e vetëm me ndonjë dinar në xhep. Atë ditë (12.08.1063), më arriti telegrami nga Novi-Vinodallski prej Brankës. “Eja, nëse je i lirë dhe nëse do të luash në film!”.

Atëherë fillon dashuria në mes jush?

Dhe atëherë u takuam, ndërsa u kurorëzuam në vitin 1968 – thotë Branka. – Ende jetoja në dhomën time në fshat, por tash me Bekimin.

Një pjesë e mirë e jetës në këto vite më ka kaluar duke pritur autobusin për Beograd, ndërsa Bekimi xhironte shumë, të shumtën jashtë. Pak ishte në shtëpi, ndërsa unë e prisja fëmijën e parë.

A ju ka ardhur keq që s’e kishit burrin në shtëpi?

Shumë gra më kanë folur: “Burri nuk po të vjen”. Mendojsa se këtu ka diçka të vërtet. Njerëzit e dëshirojnë njeri-tjetrin, por nëse mungesa zgjat, dashuria mund të humbet.

Megjithatë, kam qenë e qetë gjithmonë kur Bekimi ka munguar shumë, edhe pse nuk e kam pasur të lehtë. Më ka dhënë zemër nëna, ndërsa unë mendoja se jam Penelopa që e pret Uliksin.

Biri juaj i vogël quhet Hedon?

Bekimi: Branka ka dëshiruar ashtu. Vjen nga emri i nënës sime, Hedijes.

Për aktoren lindja e fëmijës do të thotë largim nga puna?

Me këtë mendoj më shumë fitohet se sa humbet, flet Branka.- Po më vie keq që nuk kemi edhe më shumë fëmijë.
Bekimi: Më është dashur kohë ta bindi Brankën që të kemi edhe ndonjë fëmijë. Unë dua shumë fëmijë, dymbëdhjetë (Buzëqesh ai).

Sa keni kohë për fëmijët?

Çdo minutë të lirë ia kushtojmë vogëlushëve. Më së vështiri e kemi në mbrëmje, nëse duam të shkojmë në ndonjë premierë. Atëherë ata mbeten me tezën Jeja e cila është si anëtare e familjes sonë. Shpesh dalim në shëtitje me ta.

A i flasin fëmijët gjuhët e prindërve?

Branka: Më shumë kuptojnë e më pak flasin shqip. Uliksi shpesh shkon te gjyshja në Prishtinë, ku në lojë me fëmijët, bukur mirë ka arritur të flas gjuhën e babait, gjuhën shqipe.

Bekimi: Ata edhe i kuptojnë edhe i flasin gjuhët e prindërve, por megjithatë më mirë e dinë gjuhën e nënës. Ka katër vjet që Branka nuk ka xhiruar asgjë të rëndësishme dhe këtë e ka bërë vetëm nga dashuria për të rritur fëmijët e saj, por në të ardhmen prej angazhime të reja natyrisht. Ajo është aktore e dëshmuar kaherë.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari