Ditari

Ballina / Ditari / Arkiva/Histori
Ekspres udhëtim nëpër Botë - Ramiz Kelmendi 1965 (Foto)
Ramiz Kelmendi Publikuar: 15.01.2014 - 16:25

Nga Arkiva e “Zëri të Rinisë” sot kemi zgjedhur udhëtimet e Ramiz Kelmendit në vitin 1965.

Ma mirë se me shkrue veç për përshtypje nga udhtimet e mija në botën e jashtme asht, mendova, me ba nji ekspres-udhëtim me fotografi fjalë nëpër botë, nëpër disa nga ato qytete shtete që kam vizitue deri tash.

E rrëmbejnë njeriun ndiesi të rralla, të jashtëzakonshme, kur merr botën në sy për të parën herë. E secili vend ofron kureshti e kënaqësi të reja. Çdonjani len mbresa të thella. Përshtypje që nuk harrohen.

Së këndejmi edhe pamundësia ime me e veçue nji prej sosh. Me shkrue për dashnorët e Venedikut e mos me përmendë bukuroshen greke, me u ndalë në pallatin e mbretit Minos në Heraklion, n’ishullin e Kretës, e mos me shetitë n’Akropol...

S’din njeriu qka me zgjedhë ma parë, çka me dallue: asht interesant “Ali-gali” i Aleksandrisë, por asgjë mangut edhe ai dra goman për “çuçek” në Kajro, asht plotë kuriozitete Libija , por aq a edhe ma shumë Malta...

Kisha me zgjedh ndonji detal kurioz nga selaniku e ajo “Che sera, sera”. Or më josh edhe dashnija në mënyrën turke, edhe “heftellëku” i andejmë.

Ndoshta me u ndalë në Monte-Karlo, në Nicë, apo vetëm në Paris? Në Kuartin Latin në Sen-Zhermen dë Pre, në Sen-Deni, në “Foli Berzher”, në Pigal, në Monmartër, në Luvër..?

Apo, ndoshta me shkrue veq për Sofjen, për Barin, për Izmirin...

Për secilin vend që vizitova – n’Itali, Greqi, Republikën Arabe të Bashkueme, Libi, Maltë, Bullgari, Turqi, Francë e Gjermani Perëndimore – kanë mbetë e janë thadrue thellë mbresa të shumta.

T’udhtojmë, prandej, eskpres vetëm nëpër disa nga këto: Me fotografi e pak fjalë...

Venedik:

Ura e psherëtimëve në pallatin famëmadh e famëkeq të Dukës. Objekt ky i fotografuem kushedi sa milion herë nga kushedi sa milion vizitues të kësaj “bukurosheje të fjeturn të Mesjetës”, të qytetit me njiqind buzëqëshje:

“qytetit në det”, “qytetit gondolash e lagunash”,..qytetit n’ujë e me rrugë t’ujit...Kushdo që e vizitoi u përpoq me i dhanë nji emën.

Kajro:

Giza. Piramidat e famshme t’Egjyptit. Shtatë mrekullish i ka bota. Dy prej tyne janë n’Egjypt: Piramida e Keopsit dhe pishtari i Farosit.

Këtu në Giza, janë tri piramidat e mëdha të tre faraonëve të mëdhej, e ma larg edhe ato gjashtë të tjera ma të vogla, të fëmijëve të tyne. Para sfingës me fytyrë enigmatike dhe piramidës së Keopsit, s’len kush pa u fotografue. Nuk bana përjashtim, prandej, as unë.

Athinë:

Akropoli. Namë e trashëgueme tash njizet e pesë shekuj. Mrekulli e madhe e dorës së njeriut, ushqye me admirim thuej të mbinatyrshëm.

Asht ky ma i famshmi tempull i botës, djep i kulturës së sotshme europiane. Greqija ka shumë akropole, por të gjithë të tjerët ose janë harrue, ose janë zhdukë. Në te asht Partenoni, ma e bukura dhe ma e mrekullueshmja ndërtesë e të gjithë shekujve. Geteja tha për të: ..Po më duket se krejt ndërtesa asht tue këndue”.

Aleksandri:

Nji pamje ndër shumë të tjera. Egjypt – caku ma interesant i udhtimit tim nëpër Mesdhe. Faraonë, dinasti, kalifate, pashallarë, bejlerë...Mohamed Alija, njifarë Ataturku i Egjyptit, me origjinë Shqiptar.

Trashëgimtarët e tij. Mandej: Faruku, abdikimi, Revolucioni, Naseri... Mu në të hymë në këtë qytet-nëpër det-shihet nji pallat i bukur, luksoz, ma i bukuri e ma luksoz dikur: Pallati Montazi i Farukut.

Libi: Nji motiv nga ky vend që për të turistin asht plotë- befasi. Përkahë sipërfaqja asht shtatë herë ma e madhe se Jugosllavija, e përkahë numri i banorëve gati trembëdhetë herë – ma e vogël: Asht i vetmi shtet në botë, ndoshta, që ka dy kryeqytete: Tripollin dhe Bengazin. Edhe nji kuriozitet: Libija e ka bregdetin 1.900 kilometra të gjatë: Bregu i saj asht malor, së këndejm edhe pagëzimi: “Zvicër i Afrikës”.

Nice:

Shetitorja angleze. Rivale serioze e Monte-Karlos. Jo veq për Kazinon, por edhe për – bukuri. Për mundësi pushimi e dëfrimi në të katër stinët e vjetit.

Me shum hotele, aq shumë hotele, sa të bahet se i tanë qyteti s’ka shtëpija tjera pos – hoteleve. Dhe – secili prej tyne ma i bukur se shoqi, edhe – ma i shtrejtë se shoqi. E veqon kët vend, thanë klima e jashtëzakonshme, verë e dimën.

Principatë e Monakos:

Nji panoramë e Monte-karlos. Nji bukuri e rrallë buzë deti. Me uji varg gjanash joshse, kurioze.

E vizitojnë nejrzit jo veç pse asht principatë e shtet miniatural edhe në shekullin e njizet. Por, edhe pse e ka – Kazinon ma të njohur në botë. “Tempullin e Bixhozit”. E mbi të gjitha, princeshën Grejs. At aktore të dikurshme t’artit të shtatë – bukuroshen Grejs Keli. Vend luksoz, ultra – i shtrejt...

Paris:

Kulla e Ajfelit. “Mekë e Medinë” turistike. Qytet ndër ma të bukurit e ma të interesantët në botë për turistin. I thonë edhe: Qendër e Kulturës botrore. Edhe ma: Kryeqytet i Botës.

Administralisht, Parisi ndahet në njizet kuarte, por Parisienët e ndajnë në shumë ma tepër dhe secili flet për kuartin e vetëm me nji dashuni të jashtëzakonshme. Rrugët e Parisit, urat e Senës, pëmendoret, muzeumet, tradita...- Parisi, s’asht vetëm nji qytet, por nji boë e tanë në vedi”

Shkrimi është i postuar ashtu siç e ka shkruar autori, Ramiz Kelmendi dhe si është botuar në “Zërin e Rinisë” vitit 1965.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Udheperskrimi i autorit me ktheje pas ne vite e me mallengjeu me bukurin dhe kenaqesine kojshme qe ka kjo gjuha jone gegnishte.
Genci
rekomanduar (2)
15 Jan 2014
19:53
 
Me shume nga Ditari