Ditari

Ballina / Ditari / Arkiva/Histori
Medalja olimpike – synim i kolosit prishtinas – Intervistë me Aziz Salihun në vitin 1980
Publikuar: 23.01.2014 - 19:30

Të nderuar lexues

Në vazhdën e publikimit të materialeve të vjetra të botuara në revistën “Zëri i Rinisë” para disa dekadave, sot kemi përzgjedhur për ju që të rikujtojmë kohën e rinisë të një prej boksierëve më të njohur kosovarë, Aziz Salihu.

Si ishte ai në vitin 1980? Sa here u shpërblye me mirënjohje? Sa trofe ka fituar? E shumë të tjera, lexoni në këtë intervistë të realizuar në vitin 1980.

Subotin, Lnixhlan dhe Jakupin janë këta tre emra të ringut rus, tre asa, tri shpresa të boksit të këtij vendi, të cilët Aziz Salihu (boksier i kampionatit të katërfisht shtetëror, Prishtinës) brenda një kohe relativisht të shkurtër i mundi. Me këta, pos që u shpërblye me mirënjohje e medalje të arta dhe së fundi edhe me trofeun më të çmbushëm të turneut ndërkombëtar, të shtatëmbëdhjetin me radhë.

Aziz Salihu po ashtu mori vizën për Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Moskë, si i vetmi konkurrent i ekipit tonë në kategorinë e rëndë.

Për Azizin, pa dyshim, është kjo një mirënjohje dhe sukses që rrallë kujt i shkoi ndoresh, është ky një sukses që do të hyjë në analet e boksit jugosllav,  duke mos harruar edhe fitoren me boksierin bullgar, por edhe evropian. Ndaj, duke u bazuar në këto rezultate të jashtëzakonshme, qemë të obligueshëm që për lexuesit tanë të bëjmë këtë bisedë me këtë sportist të dalluar dhe të mirënjohur.

Megjithatë, vlen të përkujtojmë se Aziz Salihu u lind më 1954 në Banullë afër Lipjanit. Filloi të boksojë më 1970 në KB “Skopje” e më 1973 kaloi në Kabllovi të Svetozarevës dhe tash anëtar i Prishtinës. Deri tash ka zhvilluar rreth 200 meçe, prej tyre 189 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje.

Mori pjesë në shumë revy të boksit që u zhvilluan në vendin tonë dhe jashtë. Mbi të gjitha veçojmë tri të fundit, dy në Beograd dhe atë në Shkup, ku u dekorua edhe me medalje të arta. Është pjesëmarrës edhe i Kampionatit Evropian, që u zhvillua në Këln të Gjermanisë. Por, një prej fitoreve më të rëndësishme siç thotë ai, është edhe ajo kundër Nenad Matejiqit të Radniçkit të Kragujevcit, i cili atëherë (më 1974) ishte i pamposhtur në ring. Dhe, tash boksieri prishtinas, bashkë me Mehmet Bogujevcin, janë të vetmit kandidatë për Lojërat e ardhshme Olimpike.

Mirëpo, derisa i përkujtojmë fitoret brilante midis katër litarëve të Aziz Salihut, vlen të veçojmë edhe humbjen e fundit, të cilën e përjetoi në Pulë me Radulloviqin e Buduqnostit të Titogradit. Pra, ka kohë të gjatë ashtu si edhe kolegu i tij i klubit, Zhevdet Peci, që nuk di për disfatë.

Zëri i Rinisë: KB Prishtina, ndonëse kanë ngelur edhe katër xhiro deri në fund të kampionatit, pothuajse e ka siguruar titullin e kampionatit të ri shtetëror, të katërtin me radhë. Si e vlerësoni këtë?

Salihu: Do të ishte befasia më e madhe në historinë e boksit jugosllav nëse lëshojmë këtë pozitë që kemi. Megjithatë, mendoj se titulli i katërt me radhë do të mbetet në Prishtinë. Kjo është rezultat i punës shumëvjeçare të të gjithë neve bashkë me trajnerin dhe udhëheqësin.

Zëri i Rinisë: Konkurrenca në kampionat ka qenë mjaft e fortë. Si u arrit kjo?

Salihu: Mendoj se entuziazmi, harmonia në klub, pastaj puna e pareshtur, cilësia dhe shumë faktorë të tjerë e kanë bërë të veten.

 Zëri i Rinisë: Mirë, pse rezultatet individuale nuk janë aq evidente si ato në konkurrencën e ekipeve?

Salihu: Po.  Është kjo fakt i gjallë, këtu ka shumëçka të flitet, por nuk kam dëshirë të hyj në detaje. Sidoqoftë, edhe në këtë drejtim, në krahasim me të kaluarën, janë arritur suksese të dalluara.

Zëri i Rinisë: Bashkë me Xhevdet Pecin jeni boksierët më të mirë në kategorinë e rëndë. Çka mund të na thoni lidhur me këtë?

Salihu: Vendi ynë moti ka pasur boksierë të mëdhenj në këtë kategori, por kjo s’do të thotë se tashti nuk ka. Por, të bëhemi objektivë, atëherë konkurrenca ka qenë me e fortë. E, sot mua ashtu edhe Xh. Pecit, i vetmi konkurrent na është boksieri titogradas, Radulloviq.

Zëri i Rinisë: Dashamirëve të boksit me siguri u intereson sa orë në ditë ushtron, veçmas kur ju pret ndonjë meç i fortë?

Salihu: Për mua të gjitha meçet në ring dhe kudoqoftë janë të rëndësishme, prandaj ushtroj pa ndonjë privilegj. Herë –herë ushtroj deri në pesë orë, varet edhe nga disponimi.

Zëri i Rinisë: Sa ju pengon kjo dhe sa gjatë kohë për argëtimet e tjera?

Salihu: Pa dyshim boksi është për mua një lloj argëtimi. Në të gjej çdo gjë… Ajo pjesë e kohës që më mbetet e shfrytëzoj me shokë si në kino, pastaj dukë dëgjuar muzikë e madje edhe lexoj, pos shtypit, edhe literaturë të ndryshme.

Zëri i Rinisë: Çka mendon për momentin e tashëm të boksit kosovar?

Salihu: Boksi kosovar është në rrugë të mirë të afrimit. Ka boksierë me perspektivë të madhe, ekspertë të mirë, por jo edhe kushte. Në këtë moment funksionojnë disa klube, të cilat shpresoj se do të shkojnë rrugës së Prishtinës, bile në shkollimin e brezave të rinj.

Zëri i Rinisë: Pas fitores më asin rus, Jahupkinin, Bruno Hrastinski ju llogaritën si të vetmin kandidat për Lojërat Olimpike, në kategorinë e rëndë?

Salihu: Po, ajo është e vetmja dëshirë, të shkoj në Lojërat e ardhshme Olimpike, që do të zhvillohen në Moskë dhe të mos kthehem duarthatë, por ta fitoj, bile njërën prej medaljeve të mundshme. Njëherësh, medalja olimpike është për mua edhe synim permanent i ardhshëm.

 M. A

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari