Ditari

Ballina / Ditari / Arkiva/Histori
Intervistë me Veton Surroin, në vitin 1990
Publikuar: 28.01.2014 - 20:05

Jugosllavia është peng i Kosovës

Nga arkiva e “Zërit të Rinisë” sjellim intervistën e njërit ndër personalitet e shquara publicistike e politike të Kosovës, Veton Surroit të realizuar në vitin 1990. Surroi si themelues i partisë politike “Ora” ishte edhe deputet në Parlamentin e Kosovës gjatë viteve 2004 – 2007 dhe një nga pjesëmarrësit e negociatave për statusin e Kosovës.

Për më shumë lexojeni intervistën e plotë, të realizuar në vitin 1990.

Sikur më duket tepër ta prezantoj Veton Surroin. Lexuesit e gazetave në gjuhën shqipe dhe ata të gazetarëve më autoritativë të vendit e njohin si një nga penat e dalluara të gazetarisë e të publicistikës në Jugosllavi.

Ata që ndjekin me kujdes lëvizjet politike e njohin si një nga të rinjtë më perspektivë politike dhe luftëtarin e paepur për demokraci, liri e barazi të të gjithëve, si një nga trimat që me guxim njerëzor angazhohet kundër shkeljeve të të drejtave të lirive të shqiptarëve në Jugosllavi.

Pa dallim, meritë e tij është edhe fillimi i pluralizmit politik në Kosovë dhe një varg aksioneve të opozitës kosovare. Bashkëbiseduesi ynë, pra Veton Surroi, që ka një vit më pak moshë nga stazhi i gazetarisë së autorit të kësaj interviste (Vetoni u lind më 1961) ditë më parë për pak shpëtoi nga çetnikët në një tribunë të Partisë së Markoviqit, në Beograd, dhe kjo ishte arsyeja pse bisedën e filluam se prapthi.

Zëri i Rinisë: U bë atentat në Vetonin, në pikëpamjet që përfaqëson, apo në Vetonin shqiptar?

Surroi: Është e qartë se reagimi i çetnikëve ishte fizikisht agresiv, vetëm kur u çova unë të flas kur udhëheqësi i asaj tribune më paralajmëroi si mysafir nga Kosova. Deri atëherë çetnikët reagonin me fyerje e sharje ndaj kroatëve si ustashë, ndaj serbëve si tradhtar, ndaj maqedonasve si bullgarë ose serbë të Jugut, kurse ndaj meje reaguan agresivisht, fizikisht. Më duket se vetë paraqitja e një shoqërie në atë tribun dhe në një konglomerat të tillë njerëzish, të cilët përfaqësojnë pikëpamje përafërsisht në një rrymë reformiste ka shkaktuar një reagim të tillë të tyre. Ka mundur të pritet një reagim i tillë nga një grup neofashist, aq më parë kur kështu janë sjellë edhe në disa raste të tjera. Këta neofashistë janë hallka e fundit në zinxhirin e ideologjisë së tashmë kombëtare serbe, e cila në baza të totalitarizmit, në baza të shovinizmit, të hapur qysh nga Lidhja e Komunistëve arrin deri në këto fondamente neofashiste.

Zëri i Rinisë: Aparati fotografik goditi shkrimtarin e shquar, Mirko Kovacin. Ke pyetur si është?

Surroi: Në një bisedë telefonike, pas ngjarjes, sepse atë e dërguan menjëherë në spital dhe ia qepën kokën, më informoi për pasojat dhe më rrëfeu një anekdotë që u lind nga rasti i tij. Radio Beogradi e ka pyetur si ndihej pas kësaj, e ky përgjigjet: si shqiptar. Rasti i Kovacit bën me dije se fatin që e kanë shqiptarët sot nën sistemin totalitar shovinist, mund ta kenë edhe vetë serbët nesër, nëse jo me paramendim, atëherë kështu aksidentalisht.

Zëri i Rinisë: Të doli kush në mbrojtje?

Surroi: Ai që më sulmoi ishte njeri nga ata që eksponohej me zhurmë dhe gjithë kohën vërtitej aty. Në momentin kur dola unë në foltore, një grup njëzet vetash u vërsul nga foltorja, që të më heqin nga andej. Në atë moment, një djalë i ri, që u ndodh, e pengoi atë fotoreporterin çetnik që të më godasë. Në ndërkohë, kur u vërsulën ata njerëz, para meje doli Nebojsha Popova, me atë trup korpulent më mbuloi të tërin, dhe iu drejtua atyre: Ejani tani, keni punë me mua! Ai që më parë ua kishte bërë me dije se nuk frikësohej nga çetnikët, të cilët gjatë gjithë kohës kur fliste i bërtisnin “Tradhtar i popullit”

Zëri i Rinisë: Ishe në këtë tribunë mysafir, apo anëtar i Partisë së Markoviqit?

Surroi: Kam qenë mysafir dhe jo vetëm unë, por një grup dhjetë – pesëmbëdhjetë vetash nga tërë Jugosllavia. Mendoj se jo vetëm në këtë rast duhet të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Kosovës apo ata që kanë një legjitimitet si veprimtarë politikë në Kosovë, apo ata që kështu të dëshmohet se mund të gjenden bashkëmendimtarët në Jugosllavi dhe t’u tregojmë të tjerëve se pa marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi ne shqiptarët, nuk harrojmë as konceptualisht, as në programet e veprimit të përditshëm politik se gjërat në Jugosllavi mund të ndryshohen pa dhunë, atëherë kur të krijojmë një konsensus politik në Jugosllavi, sa u përket reformave dhe kur këtë e përfaqësojnë forca të ndryshme politike kombëtare dhe sociale.

Zëri i Rinisë: Supozojmë se Nazim Mustafa është anëtar i kësaj Partie. A ka ndonjë anëtar tjetër shqiptar në të?

Surroi: Me sa di unë, jo. Në Kosovë kjo nuk ka depërtuar. Jo për shkak të asaj që u vishet shqiptarëve se janë popull kundëreformues, por nga shkaku se trendet e përgjithshme nga formimi i partive politike ka shkuar nga formimi i partive kombëtare, organizmi kombëtar, që nuk është specialitet i Kosovës. Përkundrazi, në Kosovë më së mbari.

Zëri i Rinisë: A je ti anëtar i ndonjë partie?

Surroi: Jam vetëm anëtar i Shoqatës për Iniciativë Demokratike Jugosllave, shoqatës së parë opozitare në Jugosllavi, e cila deklarohet se nuk është parti politike. Në momentin kur të kthjellen ujërat politike, jo për shkak të oportunizmit, por për shkak të disa parakushteve që duhet të jenë për veprimin e partive politike, atëherë edhe unë do të inkuadrohem në ndonjë parti politike.

Zëri i Rinisë: A jeni përcaktuar ende për ndarje?

Surroi: Jo, partitë politike janë të nevojshme për zgjedhjet, e më sa di unë Jugosllavia ende nuk ka parti politike, ka lëvizje politike të cilat kërkojnë vendin e vet. Madje edhe ato forca politike që diku kanë fituar në zgjedhje, në fakt nuk janë parti politike, LDK-ja është lëvizje kombëtare.

Zëri i Rinisë: A i njeh programet politike të partive që janë formuar në Kosovë? A përputhen ato me pikëpamjet tua?

Surroi: Të gjitha programet e partive politike, apo më mirë të thuhet të organizatave politike kosovare, i njoh. Në të gjitha gjej pika të përbashkëta. Dhe nëse e marrim rastin e Kosovës dhe i krahasojmë organizatat politike kosovare me ato të ngjashme në vend, gjithkund, madje edhe deri te Lidhja e Komunistëve, pos Partisë Socialiste të Serbisë, gjithkund do të gjejmë përafërsisht pika të përbashkëta të tyre. Çdo njëra deklarohet për demokraci parlamentare, ekonomi të tregut, pos Partisë Socialiste të Serbisë, gjithkund do të gjejmë përafërsisht pika të përbashkëta të tyre.

Zëri i Rinisë: Konsideron se ky homogjenizim ndër shqiptarë dhe te të tjerët është rezultat i mungesës së një atmosfere demokratike?

Surroi: Absolutisht. Ne nuk kemi atmosferë demokratike, jo pse ky është faji i shqiptarëve, por për shkak së këtu nuk janë krijuar kushte elementare për konkurrencë politike, për një treg të lirë politik të të menduarit, meqë jemi të ballafaquar me një sulm brutal kundërkushtetues të pushtetit të Serbisë, i cili pretendon me mënyra më të vrazhda e brutale që këtë trevë ta mbajë në administrimin represiv.

Shqiptari është i pambrojtur nga shteti

Zëri i Rinisë: T’i jepet përparësi të drejtës së individit, apo të kolektivitetit? Disa thonë se ti i jep përparësi të drejtës individuale?

Surroi: Asnjëherë nuk kam thënë: individi e pastaj kolektiviteti. Por, nuk them as kolektiviteti e pastaj individi. Të drejtat individuale dhe kolektive definohen në një pako. Ta bëjmë, për shembull, një skenar optimist: lejohen zgjedhjet në Kosovë sipas disa parakushteve, që do të ishin normale për popullatën, për parlamentin e Kosovës dhe të themi se popullata shumicë definon vullnetin e vet duke zgjedhur deputetët e vet, që do t’i përfaqësojnë interesat e tyre. Kjo nuk është kurrfarë garancie që pushteti i ardhshëm të mos jetë totalitar.

Vetë fakti i imponimit të shumicës nuk do të thotë se ky pushtet do të jetë demokratik. Edhe Serbia thirret në parimin e shumicës. Nevojiten instrumente të njohura, të cilat do të niseshin nga pushteti, nga sovraniteti i qytetarit dhe pastaj të definohet demokracia, mbrojtja e të drejtave individuale qytetare, qytetar si sovran, sistemi ekonomik, politik, kulturor sistemi i vlerave në përgjithësi.

Pjesën e dytë të intervistës mund ta lexoni nesër...


Komento
Komente (5)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
O z.Qamili ti në komentin tëndë nuk e ke cek se më 1992,Vetoni ka propozuar me dalur në zgjedhjet e Serbisë,pra si qytetar i Serbisë dhe se gjithëherë ka qen kurndër Rugovës dhe ka punuar kundër Rugovës.
Rexhep murtezi
rekomanduar (0)
29 Jan 2014
10:48
 
Hashimi e ka cliru Hashimi e ka maru me nje kallash e ka lexu deklaraten e ka prifatizu edhe e ka bo europiane.Hashimi o misteri I jetes I gjithfuqishmi dishka afer Abomes
Petiriti
rekomanduar (2)
29 Jan 2014
09:00
 
Personalisht me doj se eshte demi me i madhe qe Vetoni nuk eshte i perfshire ne politiken aktive dhe ne institucionet e shtetit te Kosoves. Si gazerar dhe publicist i ri kam pas nderin te ia jap nje deklerat per gazeten Rilindja ne vitin 1982, lidhur me politikat e sistemit tatimor ne komunen e Prishtines. Dhe kam pare se kem te bejme nje njeri jo vetem gazetar pkr edhe politikan te mire. Uroj shendet dhe jete te gjare. Por duke pase parasysh se qfar politike udheheqet sot ne Kosove, mund te aresyetohet mos prezenca e tije ne politikeberje. E shtetit tone.
Arif
rekomanduar (1)
29 Jan 2014
08:51
 
Njerëz si Veton Surroi, rrallë lindin, Pavarësisht se cka mendojnë të tjerërt. Po të ishte ky, ta zeme ne vend te Thaqit, shumë gjëra do të rrjedhin më ndryshe në aspektin pozitiv...
qamili
rekomanduar (8)
28 Jan 2014
22:00
 
Se pasni cekë që një nga pjesëmarrësit në Rambuje ka qenë kundër ndërhyrjeve të forcave të NATOS në Kosovë!!!
Njoni
rekomanduar (6)
28 Jan 2014
21:11
 
Me shume nga Ditari