Opinione

Ballina / Opinione / Debate
Hafirët dhe leksionet politike
Bajram Mjeku Publikuar: 25.02.2014 - 12:25

Një mëngjes të ftohtë dhjetori të vitit 1998, kur flakët e luftës e kishin përfshirë Kosovën, shefi i Qendrës për Informim të Kosovës më udhëzoi që të përcillja një mbledhje, e cila kishte të bënte me shpërndarjen e ndihmave humanitare në një lagje të Prishtinës. Në këtë kohë veç po ndjehej kriza humanitare, për faktin se mijëra banorë të Kosovës, kryesisht gra, fëmijë e pleq nga Drenica dhe rajone të tjera ishin strehuar në Prishtinë dhe mungesa për gjëra elementare ndjehej kudo.

Në kthinën gjysmë të errët ku ishte organizuar mbledhja, kishte dhjetëra njerëz, në mesin e të cilëve edhe profesorë universitarë, por edhe shumë qytetarë të tjerë, ku secili prej tyre dëshironte që të jepte kontributin e tij për gjendjen e rëndë që po mbretëronte tash disa muaj. Heshtja në kthinën ku pritej të fillonte mbledhja ishte disi mortore dhe çdo fjalë ishte e tepërt.

Mbledhjen para pjesëmarrësve të shumtë e hapi Hafiri, automekaniku i lagjes, i cili ishte edhe kryetar i aktivit politik në lagjen ku po jetonte elita intelektuale në Prishtinë. Që të ishte më bindës, në fillim Hafiri u ngrit në këmbë dhe e shpërndau një buzëqeshje nga e majta në të djathtë, pastaj me vështrim kurioz filloi të flas për gjendjen e rëndë politike që po mbretëronte në Kosovë, pastaj për rrezikun e popullatës shqiptare nga forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe, ndërkohë që nuk foli fare për krizën humanitare për të cilën e kishte thirrur mbledhjen, që në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” t’u dilte në ndihmë dhjetëra familjeve që ishin strehuar në atë lagje të Prishtinës.

Hafiri nuk harroi të fliste edhe për marrëdhëniet e mira ndërkombëtare të Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, për rolin e madh të Prijësit në këtë mes, për mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës, por edhe për lirimin e Kosovës me çdo kusht nga agresioni serb.

Fjalimi zgjati afërsisht një orë. Për një çast Hafiri i dha fund mbledhjes dhe u drejtua nga unë e tha: “Do të ishte mirë me çkruejt një artikull sa ma të gatë”, pasi truri i tij nuk i maste gjërat sipas cilësisë, por sipas sasisë!

Fillova të bëhem nervoz. Derisa po dilnim, njërin nga profesorët e Universitetit të Prishtinës e pyeta pse nuk i marrin gjërat në duart e tyre njerëzit kompetentë, por lejohen gjëra të tilla? dhe profesori tha: “Më mirë është që të vijë një herë në javë dhe ta dëgjoj Hafirin, se sa të merrem gjithë javën me punët e Hafirit, derisa të tjerët refuzojnë që t’i marrin përsipër këto angazhime…”.

* * *
Pas luftës në Kosovë, dy vjet më vonë e kam takuar Hafirin, por që në aktivet e partive politike në Kosovë vërshuan qindra Hafirë, që e morën në duar fatin e shtetndërtimit të Kosovës. Intelektualët prapë filluan të heshtin dhe në mungesë të tyre, Hafirët ashtu siç ishin gjendur në kohë të luftës, njësoj po gjendeshin në kohë të paqes.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, më saktë pas zgjedhjeve të fundit për pushtet lokal në dhjetorin e vitit të kaluar, në një mbledhje të një aktivi politik në Prishtinë e takova “Hafirin” e dhjetorit të vitit 2013, që kishte shumë ngjashmëri me Hafirin e dhjetorit të vitit 1998. Më intrigonte të dijë se si do të veprojë Hafiri i Ri, pasi partia e tij krejt “aksidentalisht” i kishte humbur zgjedhjet lokale në kryeqytetin e Kosovës.

Hafiri i Ri e ka shkollimin modest si Hafiri i Vjetër. Edhe buzëqeshjet i shpërndante pothuaj njëjtë nga e majta në të djathtë, ndërsa aktivistët politikë i ngushëllonte jo rrallë gjatë fjalimit të tij që të kenë durim, sepse “pas katër vitesh humbjen do ta shndërrojmë në fitore”! Kur ndonjëri nga aktivistët kërkonte shpjegim se a do të ketë dorëheqje nga udhëheqja e partisë pas humbjes në Prishtinë, Hafiri i Ri i kërcënonte: “Sot nejta pak me Shefin…”!

Në fund të çdo mbledhjeje, rendi e do që pjesëmarrësit ta bëjnë ndonjë pyetje për kurtuazi. Për një çast vështrimi i shumicës u drejtua nga unë dhe në vend të pyetjes e tregova fill e për pe rrëfimin për Hafirin e dhjetorit të vitit 1998. Të pranishmit filluan ta shikojnë njëri-tjetrin dhe me kaq mbledhja u krye. Pas takimit, në ritualin e pirjes së kafesë dhe analizën e mbledhjes, e paskëshin vlerësuar se rrëfimi im për Hafirin ishte degradimi më i madh për partinë e bashkë me të po kërcënohej edhe e ardhmja ime politike!

Fenomenin e hafirizmit e kemi kudo. Është i pranishëm në institucionet qendrore e lokale, në shkolla e universitete, në shkencë e kulturë, në politikë e arsim… Thjesht fenomeni i hafirizmit është bërë i rrezikshëm, por si ta zhbëjmë se?!


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione