Opinione

Ballina / Opinione / Debate
Lotë krokodili nga “persekutorët” e të persekutuarve
Skënder Tufa Publikuar: 17.03.2014 - 20:56

Tashmë shihet qartë se po kërkohet sërish që të përndjekurit politikë të përdoren për manovra të reja politike. Ata që për 23 vite me radhë abuzuan politikisht dhe ekonomikisht me të dënuarit politikë, duke luajtur edhe me ligjet e dala nga vota parlamentare, flasin sot.

Mbas fyerjesh, diskriminimesh, dhunimesh dhe terrorizmi shtetëror të shtresës së të burgosurve politikë, sërish shikojmë po ata personazhe që urdhëruan dhunimin e grevës së urisë dhe i detyruan që të kryenin akte sublime për të drejtën legjitime, e cila kaloi në një kauzë qytetare për liri dhe demokraci, po kërkojnë që të luajnë me ta. Para disa ditësh, dizenjatorja e parlamentit, e cila në një emision televiziv u pyet për çështjen e të burgosurve politikë, u shpreh ‘no koment’, pa pritur ligjëron në foltoren e Kuvendit duke thënë: Ju organizuat grevën e urisë së të burgosurve politikë, i dogjët dhe pastaj i çuat për strehim politik.

Ndoshta ajo harron se ishte pikërisht partia e komunistëve blu ajo që me mashtrimet e saj, me sjelljet e saj fyese dhe arrogante, me veprimet e kundraligjshme të përdorura kundër tyre, i detyroi ata që t’i thonin ndaj veprimeve antidemokratike dhe antiligjore. Ishte pikërisht partia e saj që bëri veprime të papara kundër atyre që guxuan të cjerrin maskën e demokratit, diktatorit pseudodemokrat.

Në Kuvend u diskutua edhe çështja e riorganizimit të Institutit të të Përndjekurve Politikë. Mesa pamë e dëgjuam, deputetët e qeverisjes së shkuar kundërshtuan këtë iniciativë të qeverisë, duke argumentuar se kemi të bëjmë me veprime të jashtëligjshme, të cilat kanë si qëllim që të mashtrojnë të burgosurit politikë. Ne pyesim: përse ju sot preokupoheni për ata, a nuk ishin ju që i mashtruar për 23 vite?

Është e vërtetë që gjendja aktuale e kësaj shtrese është tepër e rëndë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, për këtë arsye ne kemi rezerva për qeverinë aktuale, të cilat i kemi shprehur me deklarata si dhe në takimet me zyrtarët e saj, por ne kemi besim se kjo qeveri do t’i shohë më me seriozitet problemet e zvarritura prej jush.

Kemi apeluar tek ajo dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë për t’i kujtuar premtimet e bëra gjatë fushatës. Meqenëse gjendja ekonomike e të burgosurve politikë është tepër e rëndë, ne i kemi kërkaur dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga ajo që të shikojë me prioritet zhdëmtimin e 2500 të burgosurve politikë, që janë gjallë, si dhe të atyre që nuk kanë marrë asnjë këst. Qeveritarë, çdo ditë po largohen nga jeta ata që dhanë gjithçka për liri dhe demokraci, trajtojini sa më parë edhe për arsye që të mos abuzohet me ta politikisht.

Me shqetësim kemi vërejtur se segmente të caktuara po mundohen që ta përdorin gjendjen tonë për përfitime politike. Askush nga ne nuk duhet të harrojë ripersekutimin berishian të të burgosurve politikë dhe gjakun e Lirak Bejkos.
Para pak ditësh në një media pamë të shkruhej: të persekutuar dhe përsekutorë, heshtni. Kjo na kujton formulën e famshme, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, dhe për këtë shprehim keqardhje dhe i themi kujtdo që merr këtë guxim se zëri i të burgosurve politikë nuk është ndalur as në diktaturën komuniste e as në diktaturën pseudodemokrate dhe nuk do të ndalet asnjëherë.

Zëri i këtyre njerëzve është ndërgjegje qytetare, që shpaloset në ditët e errëta me kurajë qytetare./gazetatema/


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51