Opinione

Ballina / Opinione / Debate
Lazarati që na çon drejt Amsterdamit
Artur Zheji Publikuar: 13.04.2014 - 14:57

Çfarë po ndodh sot në lidhje me çështjen e Lazaratit? Personalisht mendoj një hipokrizi e madhe. Ky fshat, tashmë ndërkombëtarisht i famshëm, i ka mbijetuar për shumë vite të gjitha “sfidave”. Çfarë ndodh në Lazarat? Të gjithë e dinë: kultivohet kanabis-sativa, ndryshe marihuanë ose “bar”. Një lloj droge e lehtë, pak më e fortë se duhani, të cilën në Britaninë e Madhe e përdorin 15% e të rinjve dhe në Evropë është masiv konsumi në nivelet 7-10%, një biznes që tejkalon dhjetëra e dhjetëra miliardë eurosh.

Mirëpo çfarë ndodh sot në botë? Cili është debati mbi marihuanën? Në Shqipëri nuk ka fare informacion për këtë, shqiptarët nuk e dinë se jemi realisht në prag të një legalizimi global të kësaj droge të lehtë sepse përfitimet janë vërtet të shumta.
Ndryshe nga çfarë mendohet, numri i përdoruesve zvogëlohet dhe ky leksion vjen nga një vend i famshëm, nga Holanda, e cila ka çuditërisht shifrën më të ulët të përdoruesve, pavarësisht se e ka të liberalizuar përdorimin personal të marihuanës. Jo vetëm kaq, por në Holandën liberale, edhe numri i përdoruesve të drogave më të rënda është më i ulëti. Pikërisht në Evropën ku ndalohet kanabis-sativa, sepse, studiuesit thonë me fakte në dorë që përdorimi i marihuanës nuk rrit, por zvogëlon përdorimin e drogave të rrezikshme si kokaina dhe heroina.

Italia e ka legalizimin e marihuanës në rend të ditës dhe mjaft shtete të rëndësishme në Kanada apo në SHBA, ose e kanë legalizuar, ose janë drejt legalizimit, duke i hequr kështu nga dora mafias ndërkombëtare këtë trafik kaq fitimprurës dhe kaq korruptues. Eksperienca rrëfen se pothuajse askush në botë nuk i reziston dot uraganit korruptues që lidhet me këtë trafik. Amerika e provoi me proibicionizmin (lexo ndalimin) e alkoolit në vitet ’30-të të shekullit të kaluar, që krijoi korporatën më të madhe të krimit të organizuar të trafikut të alkoolit në historinë botërore.

Korporatë vrastare që kishte në gjirin e vet një ushtri killerash dhe një ushtri informatorësh në gjirin e shtetit. E gjithë kjo sipërmarrje kolosale krimi u shfry si tullumbace kur u hoq ligji që ndalonte tregtimin publik dhe normal të pijeve alkoolike, të cilat “vrasin” sot miliona konsumatorë.

Sot në Evropë mendohet se mbajtja në këmbë e ligjit që ndalon konsumin e lirë dhe të kontrolluar të marihuanës, është jo një luftë kundër mafias që e tregton atë, por një arsye se përse kjo mafie lulëzon dhe mbijeton e pamposhtur.

Aq më tepër në fshatin tonë, mjerisht ende provincial, duhet guxim për të shkuar drejt legalizimit sipas modelit holandez. Duke u kujtuar partnerëve ndërkombëtarë se Holanda, e famshme edhe për turizmin e marihuanës që blihet në format 5gr. lirisht nëpër kafene, është anëtare brilante e BE. Sepse në Holandë ka rreth 40.000 sera “klandestine” ku kultivohet marihuana dhe ky nuk përbën një skandal evropian, por një tolerim që buron nga fryma e ligjit që lejon përdorimin vetjak të “barit”.

Kësisoj duket se Lazarati, ashtu në mënyrën e vet, dëshmon se “i pamposhtur” si dhe shfaqet, është një dëshmi e gjallë e domosdoshmërisë së një refleksioni në frymë liberalizuese. Qeveritë kanë ardhur dhe shkuar matanë, ndërsa Lazarati ka mbijetuar, duke u perceptuar si një njollë kombëtare, perceptim ky i tepruar po të kujtojmë 40.000 serat që kultivojnë marihuanë në Holandën e Madhërisë së saj, kuptueshëm një pikë elegante e furnizimit në nivel evropian.

Në vetë baltosjen e talentuar që është tipari ynë virtuoz, është krejt thjeshtëzuese të rrethojmë dhe të “bombardojmë” verbalisht apo ushtarakisht Lazaratin. Në këto kohë që jetojmë, inteligjenca dhe zgjidhjet e mençura liberale janë shumë më produktive sesa qasja trashanike e dhunës.

Prandaj edhe duket se “rezistenca” e Lazaratit, vjen si me porosi për të hapur një debat energjik me frymë liberalizuese që na afron me Amsterdamin. Duke qenë se Amsterdami është në Evropë, afrimi me Amsterdamin, është pse jo, një afrim real me trendin që Evropa përmes shumë hezitimeve, herët a vonë do të shpalosë në tërësi.(Mapo)


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione