Zgjedhjet

Ballina / Zgjedhjet / Zgjedhjet
Proces i qetë, me pjesmarrje shumë të ulët
Artan Z. Haraqia Publikuar: 08.06.2014 - 21:15

Gjakovarët më shumë kanë preferuar që të dielen ose të punojnë ose të freskohen në ndonjërin prej vendpushimeve kosovare por jo edhe të votojnë në masë të madhe. Kjo ka bërë që për herë të parë që nga çlirimi, kjo komunë të rradhitet e fundit për numrin e votuesve, me vetëm 38 mijë e 313 nga 107 mijë e 844 banorë me të drejtë vote, ose shprehur në përqindje, vetëm 38,53 përqind. Frika se një gjë e tillë mund të ndodhë është paralajmëruar qysh në mengjes nga njohës të rrethanave zgjedhore.

“Kjo është sezonë e punëve në arë, prandaj deri me tani kanë votuar shumë pak votues. Shpresoj që pasdite, pasi t’i kenë përfunduar punët të vijnë e të votojnë”, ka thënë dikur rreth orës 11 të paradites Musa Shala, menagjer i qendrës së votimit në fshatin Rogovë të Hasit, pritje e cila megjithatë nuk u përmbush në menyrë të kënashme.

E ajo që ka rëndësi, është fakti se ata qytetarë që votuan, kanë votuar në menyrë të qetë dhe pa ndonjë incident apo ekces që ka mundur t’i qesë hije të keqe procesit. “Në përgjithësi ka qenë proces i qetë me disa incidente të vogla, që nuk kanë ndikuar në proces”, ka thënë kryeprokuroja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija.

Në fakt, një incident ka ndodhur në qendrën e votimit në Brekoc, me ç’rast është raportuar se komisioneri i LDK-së e ka kërcënuar komisionerin e AKR-së dhe mes tyre ka pasur mosmarrëveshje verbale. Incidenti tjetër ka ndodhur me dy komisioner në qendrën e votimit në shkollën fillore “Zekeria Rexha”, të cilët kanë tentuar ta marrin listen e personave që nuk kanë votuar, me qëllim që të ndikojnë tek ta që të votojnë. Në të dyja rastet, komisionerët janë marrë nga policia në ndalim policor dhe vendin dhe ndërkohë janë zëvendësuar me komisioner tjerë.

Hiq, këto dhe disa raste tjera minore, prokuroria, policia dhe subjektet politike pjesmarrëse, e kanë cilësuar si kryesisht të qetë procesin zgjedhor, që nga ora 07.00 e mëngjesit, deri në mbyllje të tij në orën 19.00.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Zgjedhjet