Opinione

Ballina / Opinione / Debate
Pse kombëtarja e Zvicrës është edhe e jona
Ilir Dërbaçi Publikuar: 15.06.2014 - 16:41

Jemi në prag të kampionatit botëror të futbollit dhe kuptohet që tek tifozët e kombëtares shqiptare nukvërehen përgatitje frenetike për ta pritur këtë ngjarje superlative. Nga ky fenomen plogështie janë përfshirë jo vetëm ata, por edhe kombe të tjera që dështuan të kualifikohen në këtë turne.

Përkundër kombeve që ndihen të tradhëtuar nga perëndia e futbollit, ne nuk ka nevojë që të qëndrojmë gjatë kokëulur, por përkundrazi kemi aryse të shëndoshë për tu krenuar shumë. Të tjerët do të na kenë shumë lakmi dhe zili kur në fushat e futbollit në Brazil do të marshojnë pesë futbollistët e talentuar shqiptarë : Xherdan Shaqiri, Valon Berami, Armend Mehmedi, Blerim Xhemaili dhe Granit Xhaka si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të skuadrës së Zvicrës dhe Pajtim Kasami si rezervë.

Kombëtarja drejt suksesit Për të gjithë shqiptarët do ishte padyshim kulminacion ndjenjash ta shikonin skuadrën kuq e zi në gjirin e këtij manifestimi sportiv gjigant. Por nëse e konsiderojmë faktin që Shqipëria me transferet e bëra arriti që t’ia kalojë edhe Brazilit, gjasat për kualifikim në këtë superlativë janë absolute realiste. Prandaj nuk ka nevojë që të tentohet që lojtarët shqiptarë të shkëputen nga rrethi ku ata janë rritur, por më shumë duhet forcuar kultivimi i talenteve vendas.

Të luash për një kombëtare është privilegj i veçantë që kërkon përkushtim moral që trajtohet me një sinqeritet të përcaktuar. Në dallim me angazhimet në klubet komerciale, në këtë kategori nuk tolerohen spekulimet në nivel të pazarllëqeve. Pjesëmarrja në një seleksion të tillë është e lidhur me ndjenja që shprehin përkatësi të pakushtëzuar në një kolektivizëm me identifikim kombëtar. Futbolli shqiptar nuk vuan aspak nga mungesa e sportistëve të talentuar. Si pengesa akute shfaqen udhëheqja e dobët, menaxhimi jo adekuat i financave, nepotizmi dhe korrupsioni. Ne të gjithëve na kujtohen masat e vitit 2008 kur FIFA përjashtoi Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare si pasojë e ndërhyrjeve dhe manipulimeve politike në federatën të futbollit. Prandaj për t’i tejkaluar këto pengesa dhe për të korrur suksese si në fushë dhe jashtë saj, duhet qasur punës me një angazhim serioz dhe më të përkushtuar.

Paradigma zvicerane Zvicra si shtet 8 milionësh dhe pa ndonjë traditë të përsosur futbollistike, është shumë krenare që janë ndër 13 nga gjithsej 53 skuadrat evropiane që ia arritën të kualifikohen. Anembanë vendit deri në majat më të larta të Alpeve, nuk ka njeri, qoftë i madh ose i vogël, që nuk i ka marrë nëpër gojë emrat e këtyre djelmoshave shembullorë. Në shenjë mirënjohjeje, duke e ditur se suksesi i futbollit zviceran është i lidhur direkt me aftësitë profesioniste, disiplinës dhe angazhimet e këtyre çunave, ata janë bërë tifozë fanatikë të tyre.

Kjo përkrahje nuk vërehet vetëm tani si rezultat i kualifikimit, por iu është kushtuar atyre që nga fillimi. Zviceranët kanë një meritë të posaçme për qëndrimet shumë të civilizuara që treguan, kur këta lojtarë gjatë lojrave për kualifikim u desht që të ndeshen me kombëtaren e Shqipërisë. Padyshim, do ishte utopike të pritet që të mos ketë përjashtime duke marrë parasysh natyrën delikate lidhur me emocionet që lindin kur është në pyetje kombëtarja e një shteti.

Nga skenat konzervative rrjedhin shumë polarizime, për ata është e pakuptueshme pse Zvicra përfaqësohet me kaq shumë lojtarë me prejardhje migrantësh. Vetëm 3 nga 11 lojtarët janë autokton. Janë prezente edhe kërkesat ksenofobe që kërkojnë shkarkimin e lojtarëve nëse ata nuk e këndojnë himnën kombëtare. Në radhën e shfaqjes së këtyre pakënaqësive, më prominet ështe lapsusi i një komentatorit të pakujdesshëm. Gjatë lojës për kualifikim që u mbajt në Lucernë kur u ndeshën Zvicra me Shqipërinë Granit Xhakës pothuajse vetë para portierit shqiptar gjoja iu "drodhën këmbët" dhe nuk e dha golin e "sigurtë". Duke e komentuar se Xhaka nuk është aspak i pakënaqur që nuk shënoi kundër Shqipërisë, ai u nënçmua me akuzën për sabotazh. Ky debakël verbal u kritikua aq shumë saqë kërkohej edhe shkarkimi i komentatorit si i padurueshëm për televizionin publik, gjë që e detyroi atë të shpreh haptaz falje.

Shumica e simpatizuesve helvetik, traineri aktual me famë internacionale Otmar Hicfeld, sikurse edhe homologu zviceran para tij, qëndrojnë kategorikisht pas gjashtëshes shqiptare. Për ta, nuk ka dyshim se këta çuna posedojnë aftësitë sportive si askush tjetër dhe me një vendosshmëri të qartë refuzojnë që ata t’iu nënshtrohen ndonjë pseudokuote me karakter nacionalist. Etiketimet e panevojshme Nga ana tjetër, vendimi që e morën këta djem për ta përfaqësuar Zvicrën, shkaktoi në Shqipëri por dhe mbarë kombit shqiptar disa turbulenca ndjenjash. Për fat të mirë, edhe këtu shumica është modeste dhe tregon një mirëkuptim të shëndoshë. Por përsëri, ofendimet dhe komentet e vyeshme nëper mediat sociale lanë një shije të hidhur që duhet shpalosur dhe mënjanuar.

Veçanërisht reshje kritikash të nivelit të ulët dhe anitsportiv u vërejtën kur ata i shënuan golat që ishin aq të rëndësishëm për ekipin e tyre, por dhe të paharrueshëm sa i përket dramatikës dhe emocioneve. Disa dashamirës të Zlatan Ibrahimoviqit me një krenari të verbër kritikojne se gjoja ai, do ta bojkotojë lojën po erdhi rasti që Suedia të ndeshet me Bosnjën. Këta denuciantë siç duket nuk çajnë kokë fare për qëndrime objektive dhe matësin me njësi të pabarabarta, sipas tyre 1 = 6! Do ishte skandal i paparë dhe do gjykoheshte pa mëshirë nga të gjithë dashamirët e sportit, kur gjysma e ekipit do bojkotonte dhe tradhëtonte reprezentacionin e shtetit të vet, shtetit që atyre u ka mundësuar të bëhen ata që janë.

Është hipokritizëm e padrejtë dhe patetike të kërkohet që këta çuna t’i harrojnë të mirat që në këtë shtet u janë ofruar t’i shijojnë që nga fëmijëria, ta zbehin trajtimin e barabartë që moshatarët e tyre atëkohë në vendlindje as që kanë mundur të ëndërrojnë dhe mbi të gjitha t’i injorojnë mirënjohjet që i shprehin prindërit e tyre ndaj këtij shteti që i ka strehuar në kohërat kur atyre ju ështe kanosur jeta dhe ekzistenca e gjithë familjes. Disave që kritikën e tyre e legjitimojnë me ndjenja patriotike, duhet t’ua përkujtomë të kaluarën e hidhur të sportistëve tanë në ish Jugosllavi për ta kuptuar rëndësinë signifikante të këtyre djelmoshave. Ne e dimë se, përveç disa përjashtimeve shumë të rralla, në asnjë periudhë të bashkëjetesës në "barazi dhe vëllazëri" nuk janë përkrahur dhe promovuar talentët shqiptarë.

Si të tretë për nga madhësia e popullatës së atëhershme, nëse krahasohen relacionet me skuadrën helvetike, duheshte që në nacionalen të mbizoterojnë futbollistët shqiptarë. I perkujtojmë ata që e kanë harruar këtë epokë, se përveç Fadil Vokrrit askush tjetër nuk e gëzoi privilegjen e përfaqësueses jugosllave. Duke iu referuar sukseseve në Zvicër ku rekrutohen dita-ditës futbollistë të ri, hidhen edhe një herë poshtë teoritë e funksionerëve sportistë të atëhershëm. Mungesën e pjesëmarrjes së shqiptarëve në nivelet e larta ata e arsyetonin, pothuajse si një e metë gjenetike, me traditën e varfër sportiste tek shqiptarët dhe jo si viktima të thundrës diskriminuese.

Fitorja e garantuar Pikërisht, nëse duam që t’i shtojmë vlerat e enciklopedisë sonë kombëtare, atëherë e kemi obligim moral që këta çuna mos i kufizojmë por t’i trajtojmë si margaritarë të rallë dhe të shenjtë. Trajtimi i tyre i posaçëm, shansat e barabarta pa hile, pa nënçmime dhe segregime na ndihmojnë që t’i tejkalojmë dhe lëmë pas për gjithnjë kohërat e vështira të padrejtësisë, komplekset të inferioritetit dhe ta rikthejmë vetbesimin kolektiv. Vetë fakti që këta çuna historia do t’i regjistrojë si shqiptarët e parë që e kanë arritur këtë maksimë sportive, duhet të na bëjë krenarë dhe me plot shpresa për të ardhmen.

Por jo vetëm nëse mirret parasysh e kaluara jonë sportive, në përgjithësi, ne momentalisht nuk kemi ndonjë shembull të ngjajshëm kaq pozitiv që rrjedh nga gjiri i kombit tonë. Padyshim, pjesëmarrja e këtyre lojtarëve në kampionatin e Brazilit është një reklamë unikate që do të mundësojë që emrat shqiptarë të shqiptohen nga komentatorët e radio-televizioneve anembanë rruzullit botëror. Ata duhet shikuar si ambasador më të çmuar të kombit tonë dhe sukseset e tyre do të na e zbardhin faqen të gjithëve. Rezonancat pozitive do të ju shërbejnë si motivacion inspirues gjeneratave të ardhshme.

Zvicra është një nga shtetet e rralla në të cilën pothuajse nuk ka ekip futbollistik ku nuk stërviten shqiptarët. Qoftë elitar ose rajonal, talentet janë gjithandej dhe ne çdo grupmoshë të pranishëm. Andaj nuk befason që edhe golshënuesi i vitit është shqiptar, quhet Shkëlzen Gashi dhe në sezonin e ardhshëm do të gjuaj për klubin e tij GC të Cyrihut në ligën e kampioneve evropiane. Parë nga ky këndvështrim, neve na takon që kësaj skuadre zvicerane t’i urojmë me një mburrje të posaçme që të korr sa më shumë suksese. Mbas kësaj botërore helvetikët do t’i stërvis trajneri kroat Vladimir Petkoviç. Do të mbes të shpresojmë se edhe ai do t’i përkushtohet kontinuitetit dhe që futbolli zviceran edhe më tutje do të zhvillohet mbi shtyllat e e sukseseve të futbollistëve shqiptarë.

Ata që akoma ndjenjë frustracion nga mos kualifikmi i kombëtares, tani do ishte me vend që hidhërimin ta shndërrojnë në hare dhe festë sportive. Le të shpalosen të dy flamujtë e kuq dhe le të valojnë krah për krahu si shenjë respekti në mes të dy popujve miq dhe mirënjohje ndaj djelmoshave tanë ne Brazil. Të vetëdijshëm për barrën që e mbajnë, ata përvetësojnë me një bravurë të veçantë rolin e tyre si perfaqësues dinjitoz të të dyja përkatësive kombëtare. Edhepse ndonjëherë të vënë në shënjestër të eksponentëve ekstrem në mes të dy vatrave, me sjelljet e tyre ata dëshmuan konstant urtësinë dhe edukatën e shëndoshë që rrjedh nga gjiret e tyre familjare. Pa marr parasysh rezultatet e tyre sportive në këtë turne ata që tani e meritojnë pokalin tonë, kurse ne që i kemi këta shembuj të shkëlqyer e kemi edhe fitoren e garantuar!

Hopp Schwiiz, allez Suisse, forza Zvizzera, përpara Zvicër!


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
O zotni kta mujn mu kan tut, po tmite jo kurre, pra mos fol me "na, ju" n shumes! Kta jan argat t hallit si baballart e tyne, shesin zanatin e tyne per para, as ma shume e as ma pak, shqiptari patriot luan per shqiperine, nanen e baben smun e mohon nieriu, se kerkon smunesh me vet para se u lind ku dhe si cka po don me dal n kit dynja, dihet qe kta djem jan te afte, por jan tu e bart qerren e huaj, nuk pajtohna me cilsmin tradhtar se ata gja marre shqiptarve sju kan! Kaq! E per shaqirin e kam ni vrejtje se shume i papjekun asht kur po i con duert si arab!
servii helvetici
rekomanduar (0)
22 Jun 2014
10:21
 
Me shume nga Opinione