Opinione

Ballina / Opinione / Debate
Lavdrim Muhaxheri është shqiptar Kosove!
Roni Telegrafi Publikuar: 01.08.2014 - 12:24

Futja e kokës në rërë si struci duket se po kthehet në sport kombëtar për shqiptarët e Kosovës. Paaftësia e shoqërisë dhe politikës kosovare për t’u përballur drejtpërdrejt me problemet që paraqet Islami radikal, mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë hapësirës shqipfolëse në Ballkan.

Askush nuk duhet t’i ushqejë vetes iluzionin se radikalizmi islamik ndër shqiptarë ashtu si erdhi – pa pritur e pa kujtuar – ashtu dhe do të shkojë. Stërpikjet e radikalizmit islamik në hapësirën shqiptare burimin e kanë te shpërthimi i llavës vullkanike në luftërat ndërfetare në Lindjen e Mesme. Për sa kohë që ky vullkan do të jetë veprues, shkulmat e llavës së tij në hapësirën shqiptare do të jenë të pashmangshme. (Përvoja evropiane me luftërat ndërfetare dëshmon se ato mund të zgjasin edhe më shumë se një shekull.)

Këtë rrezik nuk ka se si të mos e dinë elitat politike dhe intelektuale në Kosovë. E dinë! Në fakt, për ata që kanë veshë kambanat e rrezikut kanë kohë që bien. Kambanat ishin të fuqishme në 2011-n, kur nën brohoritjet "Allahu Ekber" Arid Ruka vrau dy ushtarë amerikanë në Berlin; në vitin 2012, kur gjithashtu nën brohoritjet "Allahu Ekber" u shkatërruan ambientet ku do të zhvillohej aktiviteti i revistës “Kosovo 2.0”; në vitin 2013, kur u rrëzua bredhi i Kërshëndellave në Prizren; dhe në vitin 2014, kur u rrëzua statuja e Nënë Terezës në Mitrovicë.

Reagimi i politikës, dhe në një masë të gjerë i shoqërisë kosovare, për rastet e mësipërme ishte mishërimi i strucit proverbial që me shpresën për të zhdukur rrezikun, kryet i fut në rërë sa herë që përballet me të. Për Arid Rukën u tha se ai qe rritur në Gjermani dhe si rrjedhojë nuk ishte shqiptar. Për shkatërrimin e ambienteve të “Kosovo 2.0” përgjegjësia u orvat të lihej në derën e "Plisave". Kryeministri Thaçi, nga ana tjetër, i dënoi “…sulmet e disa grupeve ekstremiste në mbrëmjen e së premtes në lansimin e publikimit të gazetës Kosovo 2.0.” Fatkeqësisht Kryeministri Thaçi nuk pati mirësinë të na sqaronte se për farë grupesh ekstremiste e kish fjalën. Për ekstremiste vegjetarianë? Nuk dihet!

Rrëzimi i bredhit të Kërshëndellave në Prizren dhe i statujës së Nenë Terezës në Mitrovicë patën një tipar rozafian: u rrëzuan natën, pa parë dhe dëgjuar gjë njeri. Reagimi për to pati, të themi, një tipar kosovar: kryet në rërë! Për rrëzimin e bredhit përgjegjësia iu la erës së fortë dhe bazamentit të dobët. Për rrëzimin e statujës së Nënë Terezës – mbase për mungesë imagjinate – përgjegjësia iu la prapë bazamentit të dobët. Por nuk vonoi shumë dhe një tjetër statujë pati rastin të bëhej objekt lajmesh kur dy besimtarë myslimanë regjistruan veten me zë dhe figurë duke pështyrë "Gjergj Skënderbegun, qafirin" dhe duke uruar që "me sakicë t'ia prishi krejt fytyrën". Për këtë rast shoqëria kosovare u skandalizua dhe në masë u kërkua dënimi i përdhosësve.

Dhe vijmë te Lavdrim Muhaxheri. Fotot e Lavdrimit duke prerë koka tashmë i kanë parë të gjithë. Skandalizimi është masiv, reagimi mbetet kosovar. Thirrjet masive për heqjen e nënshtetësisë kosovare dhe mohimi i kombësisë së tij shqiptare dëshmojnë më së miri për naivitetin që ka kapluar shoqërinë kosovare. Lavdrim Muhaxheri është shqiptar mysliman Kosove.

Ai nuk është as arab, as turk e as sirian. Qasja sipas së cilës ai nuk është mysliman shqiptar, sepse myslimanët shqiptarë nuk e kanë në traditë prerjen e kokave është sa naive, aq dhe e rrezikshme. Shoqëria kosovare dhe institucionet e saj duhet të përballen haptazi dhe drejtpërdrejt me rrezikun e islamit radikal. Deklaratat e politikanëve për mospërputhshmëri traditash janë më shumë se teleshmane. Islami radikal tashmë e ka traditën e tij si në teori dhe në praktikë, dhe as nuk trembet e as nuk stepet prej akuzave se nuk po respekton traditën islame shqiptare.

Aime Cesaire pat shkruar se një shoqëri, e cila tregohet e paaftë të zgjidhë problemet që krijon, është një shoqëri në rënie. Problemi i radikalizmit islamik në shoqërinë kosovare është një problem i krijuar nga vetë kjo shoqëri. Kush nuk e beson këtë, i sugjeroj të dëgjojë me veshët e vet në Youtube hoxhallarët e shumtë kosovarë. Retorika e tyre është skandaloze dhe e tejmbushur me urrejtje dhe përçarje fetare: Hoxhë Shefqet Krasniqi këshillon se "…ma mire me të vdek çika, se me të krishterë me shku me u martu…, ma mirë me të vdek"; Hoxhë Irfan Salihu i hakërrehet gazetarit Kastriot Myftaraj se "…veç me të pa përpara, se pa ta hiek krytë si të pulës nuk ta kisha lonë." Kur dëgjon të tillë retorikë e kupton se veprimet e Lavdrim Muhaxherit nuk janë rrufe në qiellin e pastër kosovar, por janë rezultat i reve të zeza që sa vinë dhe po shtohen në Kosovë.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Paradoksi i mentalitetit kosovarë: Kur çdokush merret me analizë atëherë ma!!!
meti
rekomanduar (0)
07 Aug 2014
21:49
 
Me shume nga Opinione