Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
LVV-ja refuzon planet e Bllokut
Besiana Xharra Publikuar: 28.08.2014 - 08:58
Foto: Laura Hasani

“Vetëvendosje” ka refuzuar kërkesën e Bllokut LAN për të biseduar për seancën e ardhshme të Kuvendit, duke ju bërë me dije se nuk bënë asnjë hap më tutje pa marrë përgjigje definitive për marrëveshjen  paraprake, e cila ende nuk është nënshkruar mes tyre. Sekretari i “Vetëvendosjes”, Dardani Molliqaj, ka bërë të ditur për “Zërin”, se nuk do të ketë asnjë plan të radhës me Bllokun nëse Marrëveshja e 16 korrikut nuk nënshkruhet.

LVV-ja paralajmëron Bllokun se do ta presë deri para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit që ta nënshkruajë marrëveshjen. Dhe nëse përfundimi mbetet pa marrëveshje, atëherë “Vetëvendosje” do të diskutojë për metodat e saj vepruese ndaj pushtetit, që sipas Molliqaj do të jenë shumë më të fuqishme. Molliqaj thotë se në takimin e prej tri partive ka vërejtur reflektim vetëm  nga ana e LDK-së, i cili është treguar më bashkëpunues dhe më i afërt me qëndrimet e LVV-së.

“Ne mendojmë që në raport me çka ka ndodhur deri më tani në Kosovë, patjetër duhet të ketë veprime shumë më të rëndësishme, prej diskutimit të protestave, për çka edhe i propozuam sot Bllokut, dhe deri te mosmarrja pjesë fare në seancë”, ka thënë ai në intervistën dhënë “Zërit”.

Nuk ka marrëveshje

Zëri: Nga 17 korriku, kur u takuat për herë të parë me Bllokun, për çka biseduat?Molliqaj: Po, ky është takimi i parë me përfaqësuesit e koalicionit: LDK, AAK, Nisma, pas 16 korrikut. Ftesa ka ardhur nga përfaqësuesit e këtyre subjekteve. Tema ka qenë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe seancës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Më pas është hapur edhe diskutimi për çështjen e marrëveshjes mes Bllokut dhe “Vetëvendosjes”.

Zëri: A keni arritur ndonjë marrëveshje?

Molliqaj: Prapë, lajmi i mirë mbetet që të tri subjektet dhe “Vetëvendosja” janë dakorduar që nuk do të ketë as diskutim dhe as negociata me PDK-në. Kjo jo vetëm për të pamundësuar “Thaçin 3”, por për në asnjë formë të bashkëqeverisjes me PDK-në. Ndërsa, nuk ka zhvillime të mëtutjeshme lidhur me qëndrimet e Bllokut rreth marrëveshjes me “Vetëvendosjen”. Ne kemi treguar se nuk heqim dorë nga Marrëveshja e 16 korrikut dhe kemi kërkuar nga Blloku një përgjigje përfundimtare. Këtë vendim besoj se do ta marrin para seancës së Kuvendit. Varësisht nga qëndrimi i tyre do të qartësohet edhe nëse “Vetëvendosje” do të jetë me Bllokun në koordinimin, sa i përket metodave në raport me zhvillimet e ardhshme në Kosovë, apo do të jemi në pozicionin e opozitës, ku më pas edhe do të bëjmë pjesën tonë, siç e kemi bërë gjithmonë në raport edhe me metodat dhe qëllimet politike.

Zëri: A vazhdon të jetë dialogu me Serbinë, pika ku Blloku nuk po pajtohet me “Vetëvendosjen”?

Molliqaj: Sot nuk kemi diskutuar për këtë, për shkak se janë të qarta qëndrimet. Sot  kemi diskutuar vetëm nëse ata janë të gatshëm të pranojnë Marrëveshjen e 16 korrikut. Problemi mbetet hezitimi nga ana e Bllokut mbi dialogun me Serbinë. Por, më duhet të vlerësojë pozicionin e LDK-së, e cila ka qenë shumë më bashkëpunuese kësaj here dhe më e hapur drejt një bashkëpunimi Vetëvendosje-koalicion qeverisës dhe mendoj se reflektimi i LDK-së dhe gatishmëria e tyre është në interes të ndërtimit të institucioneve të Kosovës mbi disa parime që e ndërrojnë kursin e shtetit.

Zëri: Cilat janë qëndrimet e AAK-së dhe të Nisma-s?

Molliqaj: Të gjithë kanë kërkuar kohë shtesë, por me qëndrimet tyre, sot, ajo që mund të them është se LDK-ja ka avancuar dukshëm prej qëndrimeve të mëparshme. Dhe ky avancim është avancim politik i reflektuar mirë në këtë subjekt dhe nëse kështu do të vazhdohet edhe me subjekte të tjera, atëherë do të kemi edhe një marrëveshje mes Bllokut dhe LVV-së.

Koha e fundit për të kthyer përgjigje ndaj LVV-së

Zëri: Deri kur “Vetëvendosje” do të presë Bllokun për përgjigjet?

Molliqaj: Mendoj se gjithçka do të qartësohet përfundimisht para seancës. Ne si subjekt duam të marrim një pozicion politik, cilido qoftë ai, sepse besojmë se për ta mundur PDK-në duhet pasur strategji pak më afatgjatë si dhe një organizim më i fuqishëm dhe më dinamik. Sepse, kapja e shtetit nuk është në disa institucione, por në të gjitha institucionet, rrjedhimisht edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Zëri: Cili ishte qëllimi i Bllokut që të bisedohet për seancën e ardhshme të Kuvendit? Kur Gjykata i ka dhënë të drejtë vetëm  PDK-së për ta nxjerrë në votim kryeparlamentarin?

Molliqaj: Ne i kemi ndërprerë diskutimet se çka do të bëjmë në seancë, sepse fillimisht duam të kemi marrëveshjen mes nesh. Kjo sepse besojmë që PDK-në nuk mund ta mundësh vetëm me një hap. PDK-ja është gjithandej, ne duhet të kemi strategji të qartë se si duhet ecur deri në ndërtimin e institucioneve. Kush do t'i ndërtojë, mbi cilat parime do t'i ndërtojë ato dhe pastaj e kemi shumë lehtë të vendosim se çka do të bëjmë në seancën e ardhshme.

Blloku ka pasur interes të bisedojë vetëm për atë se çka do të bëhet ne seancën e ardhshme, por ne nuk kemi pranuar, sepse mendojmë që në këtë mënyrë do të humbnim vazhdimisht në raport me PDK-në.

Zëri: Para se ta ndërprisni takimin, çka konkretisht kërkoi Blloku nga ju?

Molliqaj: Blloku ka kërkuar nga ne që të kemi një grup të përbashkët, një përfaqësues të subjekteve për të diskutuar modalitetet e ndryshme të seancës dhe ne i kemi thënë se nuk jemi të gatshëm për të ndërtuar më asnjë mekanizëm të përbashkët nëse nuk kemi marrëveshje. Sepse nuk jemi të interesuar të kemi iluzione të reja tek qytetarët apo mediet, që mund të ketë marrëveshje, derisa nuk ka.

Por nga çfarë vura re në këtë takim, është se as ata dhe as ne nuk do ta votojmë kryetarin nga radhët e PDK-së.

LVV-ja kërkon protesta

Zëri: Çfarë plani mund të bëjë Blloku në rast se PDK-ja dështon kur Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë mundësi Bllokut për të propozuar kryeparlamentarin?

Molliqaj: Ky vendim është puç institucional. Gjykata Kushtetuese ka bërë krahasim me shtetet e tjera ku në të gjitha lejohet që të ketë votim për më shumë se një kandidat. Pra, ka dhënë krahasimet, por ka vendosur diçka që nuk e ka asnjë shtet të cilit i është referuar. Kjo është prekje e demokracisë, është dëmtim i Republikës, sepse kështu me këtë vendim, nuk ka Republikë.

Por, gjatë diskutimit me Bllokun, meqenëse nuk jemi pajtuar për tërësinë, pra marrëveshjen, atëherë nuk kemi diskutuar as për detajet.

Nëse LVV-ja nuk do të jetë pjesë e parimeve qeverisëse e ndërtimit të institucionit bashkë me Bllokun, atëherë ne do të ulemi dhe do të diskutojmë për metodat tona që besojmë se do të jenë shumë më të fuqishme. Ne mendojmë që në raport me çka ka ndodhur deri tani në Kosovë, patjetër duhet të ketë veprime shumë më të rëndësishme, prej diskutimit të protestat, çështje të cilat i propozuam që sot në takim. Pra, që duhet të ketë protesta të përbashkëta qytetare, e madje deri te mospjesëmarrja fare në seancë.

Por, e tëra varet nga përgjigjja që do të marrim nga Blloku. Nëse jemi bashkë vendosim bashkë. Nëse jemi vetë, atëherë vetë do t'i marrim vendimet.

Zëri: Po thoni se i keni propozuar Bllokut protestë? Cili ishte qëndrimi i tyre?

Molliqaj: Këto i  kemi propozuar, për shkak se në momentin kur nuk ka rrugë institucionale, referuar institucioneve, si Kuvendi, Gjykata edhe Qeveria, atëherë duhet të përdorim një institucion tjetër, që është protesta. Aty ku njerëzit tregojnë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe i padrejtë. Ata nuk e kanë refuzuar si diskutim, por kanë kërkuar që ta diskutojnë brenda subjekteve të tyre. Tani po presim që edhe për këtë çështje të na kthejnë përgjigje.

Kur të ndryshojmë ne, ndryshojnë edhe ndërkombëtarët

Zëri: Sot zv. ambasadori gjerman tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe se ai duhet të jetë prioriteti i parë e pastaj të tjerat, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik etj?

Molliqaj: Ne nuk kemi negociata nga muaji mars me Serbinë dhe jeta po vazhdon edhe në BE edhe në Kosovë edhe në Serbi. Mendoj që pikërisht përcaktimi i prioriteteve, ku të parat vendosen negociatat, nuk është qasje që lejon ndërtimin e shtetit të Kosovës. Nuk e demokratizon Serbinë. Dhe sidomos nuk i ofron serbët e Kosovës drejt integrimit shoqëror dhe e largon Kosovën nga rruga drejt BE-së. Krejt çka ka ndodhur është që afrohet Serbia në BE.

Ne si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës, mendojmë që duhet t'i artikulojmë kërkesat dhe interesat e qytetarëve. Ne kemi thënë që qeverisja e ardhshme e Kosovës nuk duhet të ketë prioritet dialogun, si e ka pasur Thaçi. Por qeverisjen e mirë, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe luftimin e PDK-së që e ka kapur shtetin.

Në anën tjetër për dialogun kemi propozuar një qasje tjetër, demokratike dhe me vlera evropiane. Së pari, duhet të bëhet një vlerësim se çka është bërë deri më tani, e dyta kemi thënë që është me rëndësi dialogu me serbët lokalë dhe e treta, dialogu duhet të zhvendoset me Brukselin në kuadër të departamentit të zgjerimit, e pastaj nëse do të ketë nevojë edhe dialog me Serbinë.

Zëri:  BE-ja nuk po e pranon një model të tillë, kërkon dialog direkt me Serbinë?

Molliqaj: Nuk kemi asnjë qëndrim publik të tyre që thonë se nuk e pranon këtë. Pastaj, jo gjithçka që shprehen ndërkombëtarët bëhet. Ne shpesh e kemi bërë një krahasim figurativ, ku themi se ata janë sipër nesh dhe nëse ne nuk ecim, presioni bie poshtë, mbi ne, nëse ne ecim, ata ecin prapa nesh. Pra, mendoj se një qeverisje me shumicë shqiptare me parime të tjera, që përdoren edhe nga shtetet demokratike, do ta ndryshonte edhe qëndrimin e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Zëri: A e keni caktuar takimin e ardhshëm me Bllokun?

Molliqaj: Nuk kemi lënë takim, por ata kanë thënë se ju duhet kohë për të diskutuar mes subjekteve politike të tyre. Por, jam i bindur se gjithçka do të qartësohet para seancës së ardhshme të Kuvendit.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Kjo osht prapagand se marrveshjen e kini nenshkru ju Po ini ka pergaditni plane sekrete kur te mbahet seanca ktu informata i kemi mar ende pa mbaru takini i bllokut me VV
avni
rekomanduar (4)
28 Aug 2014
15:56
 
Mendermethane edhe VV si keta te PDK-s. Po perpiqen qe nga kjo situat, ne kurriz te popullit, te nxerrin perfitime partiake! Marri!
Beqa
rekomanduar (3)
28 Aug 2014
15:26
 
Me shume nga Ditari