Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Jacobson: Ngërçi politik në Kosovë, të zgjidhet nga vetë forcat politike
Publikuar: 05.09.2014 - 21:02

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Jacobson, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera. Duke u ndalur tek radikalizmi islamik, ajo thotë se autoritetet po e trajtojnë këtë kërcënim me seriozitet, ndaj bën thirrje për përpjekje të gjithanshme nga Qeveria dhe shoqëria për përballimin e këtij fenomeni. Lidhur me Gjykatën Special, Jacobson shton se ajo nuk mund të bëjë komente për një hetim që po vazhdon, por thekson se Kosova duhet të kalojë përmes këtij procesi që të mbyllet ky kapitull i historisë së saj.

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë dhe institucionet qeverisëse ende nuk janë krijuar. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?

Jacobson: Jam e kënaqur të shoh politikanët në Kosovë që u drejtohen institucioneve, siç ishte rasti i Gjykatës Kushtetuese. Tani që Gjykata e dha vendimin, shpresoj që udhëheqësit politikë do të veprojnë me shpejtësi për të krijuar Parlamentin, që të kalohet pastaj në formimin e qeverisë. Nuk na takon ne të themi se si duhet të vazhdojë procesi, ose se si do të ndahen postet, por ne kemi interesa strategjike të përbashkëta me Kosovën, për të cilat duhet Parlamenti dhe Qeveria. Disa prej tyre janë vazhdimi i dialogut me Serbinë, ngritja e Gjykatës Speciale, krijimi i forcave të armatosura, ligji për ata që luftojnë në vende të huaja dhe një listë e gjatë detyrash për qeverinë dhe Parlamentin e ri.

Zëri i Amerikës: Në të kaluarën komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar në krijimin e institucioneve të Kosovës. Ka shumë që mendojnë se edhe këtë herë ju mund të luani një rol të rëndësishëm...

Jacobson: Nuk mendoj se është roli i ambasadave të huaja të lehtësojnë atë që është një proces i brendshëm politik dhe që kërkon zgjidhje politike të brendshme. Ajo që bëjmë ne si Ambasadë amerikane, ose ambasadat e tjera, është të nxisim Kosovën t’i përmbahet procesit sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit për të arritur në një zgjidhje demokratike. Është e rëndësishme që Kosova ta bëjë këtë pa ndërhyrje nga jashtë dhe ky do të ishte një sinjal se Kosova është në fakt një vend i pavarur, me një demokraci funksionuese. Unë kam besim se udhëheqësit politikë do të jenë në gjendje t’i japin një zgjidhje situatës. Ne do t’i mbështesim ata, mund t’i këshillojmë si miq, por në fund të fundit, kjo është detyra e tyre si udhëheqës të zgjedhur.

Zëri i Amerikës: A mendoni se zgjedhjet e reja mund të shërbejnë si zgjidhje, apo ato nuk janë të këshillueshme?

Jacobson: U takon udhëheqësve politikë të Kosovës të vendosin. Nëse do të vijë puna për zgjedhje të reja, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta mbështesin procesin, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën, por nuk mund ta përjashtoj mundësinë që në ditët në vazhdim të kemi një Parlament dhe Qeveri të re.

Zëri i Amerikës: Derisa Parlamenti i ri pritet të përfundojë punën për krijimin e Gjykatës Speciale, prokurori i posaçëm, Clint Williamson, bëri publike disa rezultate të përgjithshme nga hetimet. Cili është mendimi juaj, cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për to?

Jacobson: Është shumë e rëndësishme që Kosova të kalojë përmes këtij procesi. Kjo është mënyra e vetme që të mbyllet ky kapitull në historinë e saj. Ne mbetëm të kënaqur që Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës morën vendimet e duhura duke mbështetur krijimin e Gjykatës. Ajo që pritet të ndodhë tani është ngritja e Gjykatës dhe ngritja e mundshme e akuzave ndaj individëve të caktuar. Të pandehurit do të kenë mundësi, si në çdo sistem tjetër drejtësie të pranuar ndërkombëtarisht, që të njihen me akuzat, t’u përgjigjen atyre dhe të jenë pjesë e një procesi gjyqësor të besueshëm. Pa u provuar fajtorë nga gjykata, ata janë të pafajshëm.

Zëri i Amerikës: Ka kritikë që thonë se gjetjet e prokurorit, të botuara në atë mënyrë, pa akuza me emër, kanë dëmtuar imazhin në përgjithësi të Kosovës. A qëndron ky konstatim? A jeni e shqetësuar për këtë?

Jacobson: Mendoj se udhëheqësit politikë në Kosovë, përfshirë kryeministrin, reaguan në mënyrë të përgjegjshme për raportin. Kryeministri reagoi në të njëjtën ditë, duke shprehur angazhimin për të mbështetur procesin dhe mendoj se kjo është një shenjë e maturisë politike dhe mbi këtë bazë ne do të vazhdojmë më tej.

Zëri i Amerikës: Gjatë ditëve të fundit në Kosovë janë arrestuar 40 individë nën akuzat për lidhje me grupin radikal islamik ISIS që lufton në Siri.dhe Irak. Sa shqetësuese është kjo? A kemi të bëjmë me raste të izoluara, apo ka një radikalizim më të madh në Kosovë?

Jacobson: Luftëtarët e huaj, nuk janë një kërcënim i veçantë vetëm për Kosovën. Shumë vende në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për rrezikun që përbëjnë ata. Është e rëndësishme për ne që të bashkëpunojmë për ta përballuar atë. Sa i përket ekstremizmit islamik në Kosovë, unë takohem shpesh me qytetarë të ndryshëm që ngrenë shqetësime për të. Unë do të thosha që kjo është një çështje më problematike tani, se sa para dy vjetësh, kur unë mbërrita në Kosovë. Është çështje që kërkon shumëllojshmëri masash: bashkëpunim rajonal, bashkëpunim të organeve të rendit, por po ashtu edhe zhvillim social ekonomik, që të rinjtë të kenë mundësi që të mos tërhiqen nga ideologjia radikale.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë arsyet e radikalizimit të tyre?

Jacobson: Është vështirë të thuash. Di që ka patur arrestime të disa imamëve që dyshohet se kanë rekrutuar njerëz për të marrë pjesë në këto luftëra të huaja. Ky është një faktor, por nga ana tjetër, ka njerëz që rekrutohen edhe në vendet e zhvilluara. Ky nuk është islami i Kosovës. Kosova ka një traditë tolerance fetare me të cilën mund të krenohet. Dhe këtë duan shumica e banorëve të saj. /VoA/

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Misiz apac foli dhe perseri nuk e tha te verteten, por cti beshe, e dine kjo sa kushton nje e vertete ne token hyjnore dardane te kaverdisur me melmesa te orientit!
hashum biberi
rekomanduar (0)
05 Sep 2014
23:06
 
Me shume nga Ditari