Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Shkojmë në seancë, e votojmë Mustafën
Fadil Sertolli Publikuar: 06.09.2014 - 08:17

Deputetët e partive të Bllokut (LDK-AAK-Nisma) do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, që do të mbahet më 12 shtator 2014, por nuk do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar.

Kështu thotë gjatë një interviste të shkurtër për gazetën “Zëri” deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, duke shtuar se do ta presin pikën e 127-të të vendimit të Kushtetueses për ta zbatuar dhe, siç thotë ajo, do ta rikonfirmojnë kandidatin e tyre për kryeparlamentar, Isa Mustafën.

Brovina nuk është presidente

Zëri: Pse nuk iu përgjigjët pozitivisht ftesës së Flora Borvinës për takim konsultativ?

Kadaj - Bujupi: Sepse Flora Brovina ka vetëm rol teknik për të drejtuar seancën, i cili rol i caktohet jo për tjetër, përveç moshës që ka rastisur. Ajo nuk është presidente dhe madje i ka tejkaluar kompetencat e saj, duke aktruar në një rol i cili nuk i takon asaj.

Zëri: A do të merrni pjesë në seancën konstituive të Kuvendit dhe si do të veproni?

Kadaj - Bujupi: Po. Sigurisht ne kemi kërkuar që seanca të mos vonohet, madje është dashur të thirret më herët. Do të veprojmë konform aktvendimit, që do të thotë presim pikën 127, e zbatojmë dhe rikonfirmojmë kandidatin tonë, Isa Mustafën kryeparlamentar.

Zëri:  A do ta votoni kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar?

Kadaj - Bujupi: Jo. Do ta votojmë kandidatin tonë, z. Mustafa

Zëri: Kushtetuesja ia njeh të drejtën ekskluzive PDK-së për kryetar Kuvendi. A do ta votoni dhe ta shkarkoni më pas kandidatin e PDK-së, apo si?

Kadaj - Bujupi: Deri tek pika 126 dhe 127 ku shpjegohet përgjegjësia e deputetëve në rast të dështimit të PDK-së. Ne presim radhën dhe kemi zgjidhjen, e cila buron nga shumica dërmuese parlamentare në Kuvend.

 

Zgjedhjet, të dëmshme për shtetin

Zëri: A jeni të gatshëm si Bllok të shkoni në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Kadaj - Bujupi: Në zgjedhje shkohet për të fituar numrat e mjaftueshëm për të qeverisur vendin. Në rrethanat që jemi s’ka nevojë dhe është e dëmshme për shtetin, është humbje kohe pasi ne kemi shumicën dhe besimin e gjysmë milioni votuesve të cilin do ta zbatojmë me themelimin e institucioneve të reja.

Zëri: A do të mbetet përsëri Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër, apo ka gjasa që të mos e keni përkrahjen e LDK-së?

Kadaj - Bujupi: Kuptohet që menjëherë pas zbatimit të marrëveshjes së LAN-it për Parlament do të vazhdojmë punën për formimin e qeverisë në krye me mandatarin e LAN-it, z. Ramush Haradinaj, i cili do të zgjidhet sipas radhës nga, besoj fuqishëm, shumica e deputetëve të Kuvendit.

Zëri: A keni biseduar paraprakisht për këtë çështje me Isa Mustaf?n?

Kadaj - Bujupi: Për dallim prej PDK-së, LAN-i mban fjalën dhe i zbatojmë marrëveshjet e arritura. Nuk ka nevojë që të njëjtat të bisedohen në vazhdimësi. Ne kemi arritur një marrëveshje e cila do të zbatohet në tërësi duke zgjedhur Isa Mustafën kryetar të Kuvendit; z. Ramush Haradinaj kryeministër dhe pozitat tjera të parapara në këtë marrëveshje. Por kryesorja nga kjo marrëveshje do të përfitojnë qytetarët e Kosovës përmes një qeverie, e cila do të kthejë shpresën e njerëzve dhe do të dërgojë Kosovën në familjen e madhe evropiane aty ku e kemi vendin. Një qeveri pa korrupsion, pa ndikime detyruese në institucione të pavarura, transparente dhe e hapur në shërbim të qytetarit.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51