Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
“Baba” si Ayatollah Khomeini
Milaim Shefkiu Publikuar: 08.09.2014 - 08:18

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, kundërshton çdo mundësi që partia e saj të bëjë koalicion me PDK-në, duke e konsideruar këtë si lëvizjen më të dëmshme për Kosovën.

Ajo në intervistën dhënë “Zërit” thotë se ndërkombëtarët në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërhyjnë në zgjidhjen e krizës politike, ndërsa kërkon nga presidentja Atifete Jahjaga, që të luajë rolin e “unifikuesit” dhe të mos rrije spektatore e situatës aktuale.

Për krizën politike, Sahatqija e akuzon PDK-në, ndërsa LDK-ja, sipas saj, nuk ka faj për këtë gjendje.

Edhe një herë nënkryetarja e LDK-së thotë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka luajtur rolin e paanshmërisë, ndërsa kryetarin e kësaj Gjykate, Enver Hasnin, e konsideron të njëjtë me liderin shpirtëror iranian, Ayatollah Khumenin.

“Enver Hasani në njëfarë mënyre po shndërrohet në një Ayatollah, të cilit duhet t’i “merret dore” për vendime politike. Absurde dhe shumë e dëmshme”, thotë ajo.

Zëri: Z. Sahatqija. Kosova tashmë gjendet në një krizë politike. Cili është mendimi juaj, si LDK dhe si LAN (LDK, AAK Nisma) për të dalë nga kjo gjendje?

Sahatqija: Mendoj se seanca e ardhshme duhet të jetë çelësi i zgjidhjes. Ne fakt vetë shtyrja e thirrjes së seancës vetëm sa e shtyri gjetjen e zgjidhjes. Vendimi i Gjykatës ndonëse në gjithë tekstin ka anime kah partia që ishte në pushtet, ka krijuar një dritare për zgjidhje në Nenin 127.

Zëri: Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përparësi PDK-së për krijimin e organeve të reja. Çka nënkupton kjo, që LAN-it nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin e saj për kryeparlamentar, apo deri kur duhet të pritet?

Sahatqija: Gjykata ia ka dhënë të drejtën duke e nominuar PDK-në si “grupi më i madh parlamentar” për të dhënë propozimin për kandidatin për kryetar të Parlamentit.

Gjykata ka arsyetuar se grupet krijohen pas konstituimit të Kuvendit. Në fakt ne e dimë se grupet në çdo mandat janë formuar përpara, shembull është Grupi 6+. Në këtë mandat edhe grupi parlamentar Lista “Srpska” është formuar pas zgjedhjeve nga partitë të cilat kanë garuar veç e veç në zgjedhje. Bile në Rregulloren e Punës në Nenin 8.3 flitet qartë për grupet parlamentare në mbledhjen përgatitore.

Por, atë që Gjykata nuk mund të bëjë është që t’i bëjë numrat e votave PDK-së për ta kaluar votimin për kryeparlamentar. Prandaj Neni 127 jep mundësinë që deputetët e Kuvendit të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Koalicioni LDK-AAK-Nisma e ka zgjidhjen, e ka numrin e mjaftueshëm të votave për të pasur kryetarin dhe nënkryetarët dhe çfarëdo veprimi për të penguar këtë zgjidhje është kundër Nenit 127 të vendimit dhe është veprim për të ngulfatur demokracinë në Kuvendin e Kosovës.Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë dhe se Kosova do të ketë Kuvendin dhe Qeverinë e formuar shumë shpejt.

Zëri: A ndihet edhe LDK-ja bashkëfajtore me PDK-në për këtë gjendje?

Sahatqija: LDK-ja ka kërkuar që sa më shpejt të thirret seanca dhe se nuk ka pse të ndihet fajtore, pasi LDK-ja e as koalicioni nuk kanë penguar zgjidhjen në asnjë moment, përkundrazi LDK-ja dhe koalicioni kanë ofruar zgjidhje. Prandaj nuk ka bashkëfajtorë. Ka fajtor, e ky nuk është LDK-ja.

Zëri: Për të dalë nga kriza a është në gjendje LDK-ja të bëjë koalicion me PDK-në, duke i thyer parimet dhe premtimet e deritanishme?

Sahatqija: Koalicioni LDK-PDK është absolutisht i papranueshëm dhe nuk do të ndihmonte në avancimin e proceseve. Shihet qartë se shumë institucione, borde, organizata e pra edhe për Gjykatën Kushtetuese po thuhet se janë nën influencën e fortë, të mos them është bërë kapja e tyre nga PDK-ja. Dhe çfarëdo koalicioni do ta bëjë të pamundshme lirimin e këtyre institucioneve nga shtrëngimi që iu është bërë nga pushteti i kaluar. Prandaj kriza tejkalohet me PDK-në opozitë e assesi me bashkëqeverisje.

Zëri: Kjo gjendje a po ia qet, në një farë mënyre, “zërin e zi” Kosovës te ndërkombëtarët?

Sahatqija: Gjykatësi Carolan (i SHBA-ve) ka pasur mendim tjetër nga vendimi dhe mendimi i gjyqtarëve tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Gazeta prestigjioze “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka botuar shkrimin ku thuhet se Enver Hasani nuk është i paanshëm dhe se ky vendim i ka ndihmuar PDK-së. Në anën tjetër Andrea Capussela i cili për një kohë ka punuar në Kosovë dhe është i njoftuar me rrjedhat, ka botuar shkrimin ku thuhet se z. Enver Hasani në të gjitha rastet ka gjykuar në dobi të PDK-së.

Pra janë bërë shumë zëra në vend, por edhe jashtë ku thuhet se vendimet nga kjo Gjykatë nuk janë të paanshme, por favorizojnë partinë e cila deri tash ishte në pushtet. Kjo gjë mund të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës jashtë pasi një prej arsyeve të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë ishte mendimi se Gjykata Kushtetuese do të jetë e paanshme.
Në anën tjetër kjo do ta dëmtojë edhe më rëndë demokracinë në Kosovë ku vullneti i 83 deputetëve neglizhohet dhe favorizohet vullneti i 37 deputetëve.

Bile pika 123 e vendimit të Gjykatës tallet me përfaqësues të zgjedhur të popullit kur obligon që të gjithë deputetët duhet të jenë prezentë dhe duhet të votojnë. Në fakt kjo është kundërkushtetuese pasi deputeti është i lirë të vendosë vetë pasi këtë fuqi ia ka dhënë vota. Me këtë pikë asnjë deputet nuk guxon as të sëmuret, as të dalë për nevoja personale jashtë sallës pasi “Baba” s’ka dhënë leje.

Shihet se vendimi në disa pika është absurd dhe qesharak. Kjo Gjykatë në vendim bile ka bërë korrigjime dhe plotësime të kërkesës së PDK-së dhe ka dhënë përgjigje edhe në pikat ku PDK-ja nuk ka kërkuar. Prandaj nuk është çudi që edhe në qarqe ndërkombëtare aludohet në kapjen e gjykatës dhe anshmërinë të dukshme.

Më e keqja është se vullneti i popullit i shkrirë në mandatet e deputetëve i nënshtrohet vullnetit dhe diktatit të njerëzve të emëruar në Gjykatë (jo të zgjedhur nga vota demokratike). Enver Hasani në njëfarë mënyre po shndërrohet në një Ajatollah të cilit duhet t’i “merret dore” për vendime politike. Absurde dhe shumë e dëmshme.

Zëri: A është e nevojshme të ndërhyjnë diplomatët e huaj si në rastin e presidentes për t’i zgjedhur drejtuesit e institucioneve?

Sahatqija: Mendoj se do të ishte shumë degraduese që të kërkohet zgjidhje prej ndërkombëtarëve pasi do të tregonte papjekurinë e madhe të institucioneve dhe do të vinte në pyetje se a është bërë mirë me ndërprerjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Do të ishte veprim tepër naiv me pasoja.

Te ne po ndodh një proces i cili ka ndodhur në shumë shtete demokratike si në Austri, Slloveni, Sllovaki, Norvegji dhe ata nuk kanë kërkuar zgjidhjen nga shtete tjera.
Ne po i kalojmë këto procese pak më vonë dhe duhet t’i bëjmë zgjidhjet ne vetë.

Zëri: Ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci, e ka dhënë një ide për daljen nga kriza, që presidenti t’i takojë PDK-së, ndërsa dy postet tjera LAN-it. Si e komenton këtë ide?

Sahatqija: Z. Daci ka propozuar një zgjidhje interesante por mendoj se pika e parë është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Parlamentit pastaj e qeverisë. Ndërsa presidentja është në atë post edhe 2 vjet dhe për atë flasim më vonë, kur t’i vijë koha.

Zëri: A duhet presidentja, Atifete Jahjaga, të ishte më aktive në zhbllokimin e situatës?

Sahatqija: Patjetër, mendoj se posti i presidentes është post unifikues, dhe shumë i rëndësishëm në raste si ky. Prandaj mendoj se presidentja nuk duhet të jetë spektatore por aktive në zgjidhjen e kësaj nyje. Kosovës i duhen sa me shpejt institucionet funksionale, Parlamenti, Qeveria pasi ka shumë procese të rëndësishme që e presin.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari