Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Mustafa: Unë, kryekuvendar!
Lumturie Blakaj Publikuar: 11.09.2014 - 08:14
Foto: Laura Hasani

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është optimist se shumë shpejt do të ulet në “kolltukun” e kreut të Kuvendit të Kosovës me votat e shumicës së deputetëve. Ai nuk po beson se kandidati i PDK-së do të arrijë të marrë votat e nevojshme, ditën e premte, në seancën konstituive të Parlamentit për zgjedhjen e kryekuvendarit.

Mustafa në një intervistë, dhënë gazetës “Zëri”, tha se i ka të sigurta 63 votat e deputetëve shqiptarë, të LDK-së, të LVV-së, të AAK-së dhe të Nismës, por edhe të 9 deputetëve të Listës Serbe, sikurse që ka marrë sinjal edhe nga deputetët e tjerë minoritarë. Ai tha se Blloku politik, LAN, bashkë me LVV-në do të bëjnë përpjekje, që më 12 shtator mos të ketë përsëritje të seancës së 17 korrikut. Lideri i LDK-së thotë se nuk i frikësohet zgjedhjeve të reja, por thotë se nuk ka nevojë që vendi të zhytet në një proces të tillë.

PDK s’i ka votat

Zëri: Si e shihni epilogun e seancës konstituive të 12 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit?

Mustafa: Ne do të bëjmë përpjekje që këtë të premte mos të kemi përsëritje të seancës së 17 korrikut, por do të bëjmë përpjekje që të kemi durim dhe të gjithë t’i shfrytëzojnë mundësitë e veta për zgjedhjen e kandidatit. Do t’ia mundësojmë këtë që ta bëjë PDK-ja, meqenëse, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë përparësi PDK-së që ajo ta propozojë kandidatin e saj, por do ta propozojmë edhe ne dhe të tjerët nëse dëshirojnë të japin propozimet e tyre. Nëse ata e fitojnë këtë garë, e fitojnë dhe askush nuk do ta kontestojë këtë fitore të PDK-së, por dyshojë se do të arrijnë që t’i kenë votat e nevojshme. Në qoftë se nuk arrin kandidati i PDK-së t’i marrë votat e domosdoshme, atëherë duhet hapet mundësia që deputetët ta bëjnë zgjidhjen në Kuvend, sepse edhe në vendimin e Kushtetueses thuhet se nuk mbyllet seanca e Kuvendit dhe nuk shkohet në zgjedhje, përderisa mos të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

Zëri:  Jeni të sigurt se do t’i keni të gjitha votat e deputetëve shqiptarë të partisë suaj, të AAK-së, të LVV-së dhe të Nismës. Pra, realisht sa vota prisni që t’i merrni në momentin që do të arrini të futeni në garë për kryetar Kuvendi?

Mustafa: Blloku politik i bërë nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma, dhe tash më marrëveshjen e arritur me “Vetëvendosjen” kemi arritur të sigurojmë shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen si kryetar Kuvendi. Pra, ne tani kemi shumicën në të gjitha variantet, respektivisht 63 votat e shumicës shqiptare, të LDK-së, të AAK-së, të Nismës dhe LVV-së, por që kemi marrë premtime edhe nga deputetët e Listës Serbe, të cilat janë 9 sosh dhe nga deputetët e tjerë minoritarë. Duhet theksuar se Lista Serbe është deklaruar se do të më mbështesë në procesin e votimit dhe nuk është se ne kemi bërë ndonjë pretim, por ata kanë deklaruar vetë së do të më mbështesin. Por, kemi premtime edhe të deputetëve të partive tjera minoritare, se do ta votojnë pro kandidaturës sime, por që janë deklaruar se do të votojnë edhe kandidatin e PDK-së.

Zëri: Kur prisni që të uleni në karrigen e kreut të Kuvendit të Kosovës? Do të ndodhë kjo ditën e premte, apo në ditët në vijim?

Mustafa: Nuk mund ta specifikojë ditën nëse ajo do të jetë më 12 shtator, kur edhe do të mbahet seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, apo do të jetë ndonjë ditë tjetër, por ajo për çka jam i sigurt se ne tashme e kemi shumicën parlamentare. Megjithatë, dua t’iu sigurojë se do të bëjmë përpjekje që të respektohen procedurat dhe Rregullorja e Kuvendit. Pra, do të jemi të durueshëm dhe të gjejmë zgjidhje që do të jetë në përputhje të vendimit të Kushtetueses, të cilin nuk dua ta komentojë. Por, ky vendim lë një hapësirë që të gjendet një zgjidhje brenda deputetëve të Kuvendit.

Zëri: Në rast se nuk gjendet zgjidhja për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, a jeni të gatshëm të shkoni në zgjedhje?

Mustafa: Tani për tani jemi të gatshëm që t’i respektojmë të gjitha procedurat dhe do të mundohemi që t’i respektojmë ato, në mënyrë që mos t’i kthehet lënda Gjykatës Kushtetuese, sepse me këtë do ta sfidonim Kushtetuesen, e cila nuk ka dhënë zgjidhje, por i ka dhënë përparësi vetëm një partie politike. Në atë vendim shkruan se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje, prandaj, ne do të angazhohemi që ta gjejmë zgjidhjen brenda Kuvendit dhe të kemi sjellje demokratike dhe parlamentare.

Zëri: Po nëse vije puna deri te zgjedhjet e reja, jeni të gatshëm të shkoni në zgjedhje të reja si një Bllok i përbashkët?

Mustafa: Gjithsesi, por ne nuk shohim asnjë arsyeje që të shkojmë në zgjedhje të reja, kur ekziston një shumicë absolute e deputetëve. Shkuarja në zgjedhje të reja është totalisht e pakuptimit, kur kemi shumicën e deputetëve të Kuvendit. Në vendet demokratike, praktika të tilla kanë ndodhur, se në rast se partia e cila del e para në zgjedhje nuk e ka përkrahjen e subjekteve tjera për ta krijuar qeverinë dhe për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, atëherë i lihet vendi partisë tjetër. Pra, kjo çka po ndodh tek ne nuk ka ndodhur në vendet e tjera, edhe pse Kosova gjendet në një situatë krejtësisht të re, e cila flet se do të kemi strukturim krejtësisht tjetër të skenës politike në Kosovë.

Zëri: Pra jeni të gatshëm që të shkoni në zgjedhje në një listë të përbashkët si Bllok: LDK, AAK, Nisma?

Mustafa: Ajo është një çështje krejt tjetër, të cilën tani për tani nuk e kemi diskutuar. Por, jemi të bindur se edhe nëse shkohet në zgjedhje, prapë do të dalim fitues, sepse kjo pajtueshmëri që e kemi arritur mund të vazhdojë edhe më tutje.

    

 

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Ti Iso mundesh vetem kryekar te bahesh!
pitpitaku
rekomanduar (0)
11 Sep 2014
17:58
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51