Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Mbaron maratona e Festivalit të Pianos
Drilon Pulaj Publikuar: 30.04.2013 - 11:02

Dyqind vjet më parë, bota kishte fituar krijuesin i cili do të merrte epitetin trashëgimi universale e njerëzimit. Këtë vit, bota muzikore do ta mbajë mend si “Vitin e Verdit”. Festivali i vetëm pianistik që mbahet në vend, për tre javë ka vendosur t’u bashkohet aktiviteteve botërore që do të nderojnë krijuesin e kryeveprave operistike. “Chopin Piano Fest - Prishtina 2013”, ka mbyllur të dielën mbrëma edicionin e katërt i cili iu dedikua kompozitorit italian, Giuseppe Verdi.

Maratona prej nëntë mbrëmjesh muzikore, ka shënuar natën finale nën tingujt e pianos dhe Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, në praninë e një numri të madh adhuruesish të muzikës klasike, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet. Ishte pianisti Gotlieb Wallisch nga Austria i cili performoi Rapsodinë për Piano e Orkestër në temë të “Paganinit” nga Rrachmaninov. Ndërsa pjesë e lojës në piano qe edhe drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Haxhiu-Pula. Dirigjimi i orkestrës së Filarmonisë u bë nga holandezi Rene Gulikers, si mysafir i ftuar nga organizatorët e “Chopin...”.

Drejtoresha e festivalit Besa Luzha, për festivalin në përgjithësi dhe në veçanti për natën e fundit tha se ndjehet e kënaqur me numrin e publikut dhe atmosferën e krijuar. Luzha, përveç kësaj tha se problemi kryesor i festivalit vazhdon të mbetet vendi, salla, ngase Prishtina nuk ka një sallë adekuate, prandaj festivalit i duhet një sallë ku do ta ketë më të lehtë organizimin e radhës.

“Na mungon salla, gjë që e kanë vërejtur të gjithë pjesëmarrësit dhe me këtë them se nuk kërkojmë kushte të jashtëzakonshme, por një sallë të bukur dhe funksionale me një piano më të mirë dhe më të madhe, me gjithë infrastrukturën përcjellëse, zhveshtoret si dhe sallat për ushtrime”, ka thënë ajo. Sipas Luzhës, edicioni që tashmë përfundoi, ndër pikat më pikante kishte pjesëmarrjen e pianistëve si Peter Donohoe, Claire Huangchi, i cili ishte për herë të parë pjesë e “Chopin...”, Martin Kasik dhe nderimi që iu bë 200-vjetorit të lindjes së dy ikonave të muzikës klasike, Verdit e Wagnerit.

“Por edhe mbrëmja e hapjes, themelimi i sekstetit ballkanik, i themeluar me iniciativë të Lejla Haxhiu-Pula, ka qenë një risi si formacion, sepse nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë një sekstet pianistik në kuadër të Chopin Piano Fest”, ka thënë Luzha, e cila ka shtuar se qysh tash do të fillojnë përgatitjet për edicionin e pestë për vitin e ardhshëm, me artistë të tjerë të shquar të cilët asnjëherë nuk kanë koncertuar në Kosovë.

Përkrahja e ambasadave të shteteve të ndryshme që gjenden në Kosovë, ishte një tjetër mundësi që organizatorëve ua lehtësoi mbarvajtjen e festivalit. Në hyrje Ambasadori Austriak, Johann Brieger, si bashkëpërkrahës i kësaj mbrëmje, u shpreh shumë i kënaqur për organizimin e gjithë festivalit dhe për programin e bashkëpunimit në mes artistëve nga vendet e ndryshme të botës. “Kam kënaqësinë të shoh për së afërmi këtë festival i cili promovon artistë të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës”, është shprehur ambasadori Brieger.

Qershinë mbi tortë, ose performancën e fundit të festivalit e ka realizuar orkestra e Filarmonisë së Kosovës, e cila me këtë rast interpretoi edhe dy vepra tjera, nga të cilat, e fundit ishte vepra e Musorskit “Nata në malin e shenjtë”.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51