Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Berlini: Zgjidhja në duart e Jahjagës
Lavdim Hamidi Publikuar: 22.09.2014 - 07:00
Foto: Laura Hasani

Institucionet ndërkombëtare nuk pritet të ndërhyjnë në zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, duke u shprehur të bindur se këtë çështje do ta zgjidhë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit ka filluar takimet me liderët e subjekteve politike parlamentare pas dështimit të zgjedhjes së kandidatit të PDK-së, Arsim Bajramit, për kryetar të Parlamentit të Kosovës në seancën e 18 shtatorit 2014.

Partia e Hashim Thaçit nuk po arrin t’i sigurojë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e të parit të Kuvendit, pasi që Blloku (LAN) dhe “Vetëvendosje” nuk dëshirojnë koalicion me PDK-në.

“Jemi deklaruar se nuk ndërhyjmë në procesin e zgjedhjes së institucioneve qendrore, prandaj, presim se këtë çështje do ta zgjidhë shumë shpejt presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo tashmë i ka marrë disa veprime në këtë drejtim”, thotë për gazetën ‘Zëri’ një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Berlin.

Zyrtarët e lartë në Berlin presin që institucionet qendrore të Kosovës të formohen në afat sa më të shpejtë të mundur, në mënyrë që edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë.

Të pyetur se si e komentojnë marrëveshjen e arritur mes partive të Bllokut dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” që kjo e fundit ta drejtojë procesin e dialogut me Serbinë, zyrtarë të lartë në diplomacinë gjermane thonë se vazhdimi i dialogut në asnjë mënyrë nuk guxon të vihet në pikëpyetje dhe kjo çështje nuk duhet të jetë subjekt i vullnetit të një partie politike, apo i liderëve të caktuar, por duhet të jetë subjekt i shtetit të Kosovës.

Për ngecjen e dialogut ata thonë se nuk duhet fajësuar vetëm palën kosovare, për shkak të mosarritjes së krijimit të institucioneve. Pasi që, sipas tyre, edhe kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Serbi, në mars të këtij viti, ka pasur ngecje në procesin e dialogut mes dy vendeve.

Ata shprehin shqetësimin e tyre për moszbatim të marrëveshjes së prillit të vitit 2013. Pala serbe, siç thonë ata, ende nuk ka filluar t’i bëjë transparente transferet financiare për serbët e Kosovës, e cila gjë do të duhej të ndodhte sipas marrëveshjes së prillit 2013. Po ashtu ende nuk janë larguar të gjitha strukturat serbe të sigurisë nga Kosova, etj.

“Marrëveshja e prillit 2013 duhet të implementohet nga palët nënshkruese. I gjithë faji nuk duhet t’i mbetet Kosovës, për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve. Edhe pala serbe do të duhej t’i bënte transparente transferet financiare për serbët e Kosovës, por një gjë e tillë nuk po ndodh ende. Edhe më tutje nuk janë larguar të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë në Kosovë”, thotë ky zyrtar.

Përndryshe, pas dështimit të dytë për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit, fillimisht Agim Aliu i PDK-së më 17 korrik dhe më pas edhe bashkëpartiaku i tij, Arsim Bajrami, më 18 shtator, kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina, ka paralajmëruar se seanca do të vazhdojë gjatë kësaj jave.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
gjermania nuk edin se qfar presidente kena pa asnjë vler vetem për hotele dhe aagjë më shum hyp nja shdryp nja shkurt dhe trup thaçi e managjon edhe presidenten siç e komandoj gjykaten kushtetute
visari
rekomanduar (10)
22 Sep 2014
15:12
 
A mundet Presidentja ta tejkalon veteveten.A ka guxim udheheqes Presidentja ta thrrete Hashim Thaqin e ti thote se pa marre parasysh se ke dale i pari ne zgjedhje me 36 vota,megjithate nuk ke fuqi me i sigurue numrat dhe Kosova nuk mundet te mbetet peng i askuajte prandaj terhiqi dhe kalo ne opozite.Qeveria e ardhshme me gjith vullnetin ndoshta te mire per te bere diqka ma shume e ma mire,nuk e ka lehte sepse vonesat pre tremuajve duke hyre edhe ne te katertin,jane shkaktar qe te kete vonesa ne programin e Qeverise i cili ende nuk percaktue definitivishte duke e patur parasyshe kerkesat e anetarve te koalicionit qe kane sygjerime,ndersa ndarja e pushtetit ende nuk e ka merre formen e prere ku me sigure qe nuk do te kaloje lehte.Pyetja tjeter se kush do ta udheheqe dialogun me Serbine drejtepersedrejti duke e patur parasysh disa reagime te nderkombetarve pa e perfshire ketu Serbine qe nuk do te ja vejme vemendjen me gjithe kerkesat e saje kunder VV-sjes.Ngerqi,ende mbetet sfide.
Kosova(SHBA)
rekomanduar (7)
22 Sep 2014
14:09
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51