Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Jahjaga në New York raporton për terrorizmin
Enis Veliu Publikuar: 23.09.2014 - 07:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në New York do t’i prezantojë të dhënat e detajuara mbi angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit dhe të terrorizimit fetar.

Ajo do t’i njoftojë zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, ata të sektorit kundër-terrorizëm, gjatë kësaj javë për angazhimin që janë duke e bërë organet e sigurisë në vend në parandalimin e shtrirjes së rrymave radikale në vend.

Burime zyrtare të gazetës “Zëri” kanë treguar se gjatë javës Jahjaga do të takohet me dy zyrtare të larta të Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ndihmëssekretare e Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike në Departamentin e Shtetit, dhe me Tina Kaidanow, koordinatore kundër terrorizmit në Departamentin e Shtetit.

“Presidentja e Kosovës do të takohet gjatë javës me dy zyrtaret e Departamentit të Shtetit, Nuland dhe Kaidanow, për t’ju prezantuar të arriturat që i ka bërë Kosova në luftën kundër ekstremizmit fetar. Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve të tjera të Ballkanit, ku temë kryesore do të jetë rreziku nga terrorizimi dhe nga organizatat, ISIS dhe “Al-Nusra””, ka thënë ky zyrtar për “Zërin”.

Ndërkohë, që zyrtarisht nuk është bërë me dije ende asgjë për detajet e agjendës së presidentes Jahjaga gjatë javës së takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mirëpo, mësohet se tashmë raporti mbi arrestimet e fundit të imamëve të dyshuar për nxitje të urrejtjes fetare i përgatitur edhe nga Ambasada amerikane i është dorëzuar Departamentit të Shtetit.

Në takimin, i cili pritet të mbahet të enjten, do të bisedohet për rrezikun që kanë vendet e Ballkanit nga të rekrutuarit në organizatat terroriste, që operojnë në territorin e Sirisë dhe të Irakut, dhe mekanizamat që kanë këto vende për t’i parandaluar shtrirjet e tyre.

Tashmë janë të njohura me emra dhe mbiemra një numër jo i vogël i kosovarëve që i janë bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, disa prej të cilëve tashmë të vrarë.

Presidentja Jahjaga ka qenë e angazhuar prej fillimit në luftën kundër ekstremizmit fetar dhe pritet që të flasë në këtë takim për të arriturat që ka bërë Kosova në këtë drejtim.

Jahjaga disa herë ka reaguar publikisht kundër ideologjisë ekstreme fetare, e cila ka nisur të instalohet pas luftës në Kosovë, gjë për të cilën ka marrë edhe kërcënime verbale nga grupe të ndryshme radikale fetare në vend.

Ajo së bashku me ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kanë përkrahur autoritetet e vendit gjatë operacioneve të fundit në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.

Jahjaga do të japë detaje, në takim me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, për arrestimet e fundit dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të drejtësisë, për ruajtjen dhe garantimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, sigurisë kombëtare të qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të shtetit.

Jahjaga ka ripërsëritur disa herë se institucionet e Kosovës e kuptojnë seriozisht përgjegjësinë për të vepruar ndaj kësaj kanosjeje globale, që po i shkaktojnë organizatat terroriste “Al-Nusra” dhe ISIS.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51