Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Agani i çon “selam” Kelmendit
Lumturie Blakaj Publikuar: 23.09.2014 - 07:23
Foto: Laura Hasani

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, pranon se brenda subjektit të tij politik ka zëra kundërshtues rreth vazhdimit të koalicionit me PDK-në e Thaçit për shkak të mosimplementimit të marrëveshjes që ka të bëjë me bartjen e shamive brenda shkollave.

Megjithatë, pas largimit të deputetit të partisë së tij, Gëzim Kelmendit, nga koalicioni me PDK-në e Thaçit, Agani ka thënë se është kryesia e partisë, ajo e cila do të marrë vendimin e saj rreth qëndrimit zyrtar të deputetit Kelmendi, për të cilin tha se ka rënë ndesh me vendimet e PD-së.

Në një intervistë të shkurtër dhënë gazetës “Zëri”, ministri në detyrë i Shëndetësisë, i cili është edhe kryetar i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka thënë se pas konstituimit të organeve shtetërore, partia e tij do të analizojë implementimin e marrëveshjes së arritur me PDK-në e Thaçit para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, ku njëra ndër pikat e marrëveshjes është edhe shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ që ndalon shaminë në shkolla.

Ai ka thënë se vetëm një marrëveshje politike në mes liderëve politikë mund ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik që është zhytur. Agani është ithtar i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Zëri: Z. Agani, a po mbesin zgjedhjet e reja si opsion, pasi të dyja taborët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre për krijimin e institucioneve të reja?

Agani: Zgjedhjet e reja nuk janë në interes të vendit dhe nuk duhet të jenë në opsion fare. Kosovës si asnjëherë më parë i duhet uniteti i faktorit politik rreth interesave kombëtare dhe shtetërore. Po shihet qartë se jemi në një situatë që flet për ngërç politik që është krijuar me interpretime të ndryshme të faktorit politik. Konsideroj se pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese nuk do të duhej ta kishim një situatë të tillë, pasi që vendimi i Kushtetueses është shumë i qartë në të cilin thuhet se kryeparlamentari i takon grupit më të madh parlamentar që është grupi që udhëhiqet në mes PDK-së dhe partive tjera në koalicion. Mendoj se partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet e 8 qershorit që janë bërë bashkë në një bllok politik duhet të reflektojnë pozitivisht në këtë situatë dhe të votojnë kryeparlamentarin në procedurë të rregullt kushtetuese dhe pastaj në bashkëpunim me PDK-në dhe koalicionin tonë të ndërtohet Qeveria e Kosovës dhe jo të bllokohet çështja e formimit të institucioneve.

Zëri: Për të dalë nga ngërçi politik, a nevojitet ndërhyrja e presidentes Jahjaga?

Agani: Mendoj se presidentja e vendit në një moment të duhur, ndoshta do të pritet edhe një seancë tjetër e parlamentit ku do të shihet se çfarë kahe po marrin zhvillimet politike dhe ajo nëse është e nevojshme do t’i drejtohet edhe njëherë Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për sqarim rreth atyre pikave 126 dhe 127 në mënyrë të qartësohet vetë ajo dhe gjithë akterët politikë se e vetmja rrugë e zgjidhjes së këtij problemi është arritja e një marrëveshjeje. Mendoj se në këtë moment nuk ka rrugë tjetër përveç arritjes së një marrëveshjeje në mes liderëve politikë. Pra, uroj që të gjithë akterët politikë të ngrihen në përgjegjshmërinë e tyre dhe të kuptojnë se pa unitet politik rreth çështjeve kruciale shtetërore dhe pa respektimin e Kushtetutës së vendit, e cila është mbi numrat e deputetëve të Kuvendit nuk mund të ketë rrugëdalje nga kjo situatë. Pra, nuk pres që zgjedhjet e reja të jenë opsion.

Zëri: Cilat janë mundësitë reale për arritjen e një marrëveshjeje në mes PDK-së dhe partive të Bllokut VLAN?

Agani: Shoh mundësi reale që të ketë një marrëveshje politike, ku liderët politikë do të ulen në tavolinë dhe të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. Pasi që kemi të bëjmë me liderë politikë me përvojë dhe njerëz që janë të dëshmuar mendoj se ka vend për marrëveshje për të qeverisur bashkë në qeverinë e ardhshme katërvjeçare.

Zëri: Cilin subjekt politik parapëlqeni që PDK-ja të mund të arrijë një marrëveshje për koalicion?

Agani: Mendoj se bashkimi i këtyre katër subjekteve politike në një bllok është bashkim i improvizuar dhe një bashkim i vonuar politik. Pra kemi të bëjmë me një projekt të vonuar, pasi që sikur ta kishim këtë bashkim të këtyre forcave politike para zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit do ta kishim një situatë krejt tjetër. Prandaj, mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse në mes PDK-së, dhe tri subjekteve tjera të Bllokut, LDK, AAK, Nisma, por do të ishte dëshirë e imja që kësaj marrëveshje t’i bashkohej edhe “Vetëvendosja”.

Zëri: Pra jeni për një qeveri gjithëpërfshirëse?

Agani: Po, jam për një qeveri të tillë, në të cilin do të bënin pjesë ekspertë të ndryshëm.

Zëri: Si po ecën koalicioni PDK-PD, pas largimit të deputetit të partisë suaj, Gëzim Kelmendit, nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke mos e votuar kandidatin e kësaj partie për kryetar Kuvendi?

Agani: Çështja e shamive ka qenë një nga pikat e marrëveshjes që kemi nënshkruar me PDK-në para mbajtjes së zgjedhjeve. Si kryesi e PD-së jemi në pritje të konstituimit të institucioneve të reja, kuvendit dhe qeverisë, dhe më pastaj të shihet zbatimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje në dy pikat e saj është realizuar në tërësi, ndërsa sa i përket çështjes së mbulesës kemi një ngecje në fuqizimin e Udhëzimit Administrativ, i cili është nënshkruar nga ministri Ramë Buja, por që nuk është jetësuar, duke pasur parasysh momentin politik të vendit dhe moskrijimin e institucioneve. Është qëndrim i organeve drejtuese të partisë që të pritet konstituimit i institucioneve të reja dhe më pastaj konkretizimi përfundimtar i kësaj çështjeje. Duhet theksuar se në disa komuna vajzat me mbulesë janë duke e realizuar të drejtën e tyre kushtetuese, por ka edhe disa raste të shkeljes ligjore nga ana e drejtorëve të shkollave që janë sot subjekt i procedurave juridike.

Zëri: A e ka shkelur PDK-ja marrëveshjen që e keni arritur para zgjedhjeve për lejimin e mbulesave nëpër shkolla?

Agani: Jo, qëndrimi i deputetit Kelmendi nuk është qëndrim zyrtar i partisë. Kryesia e partisë vlerëson se marrëveshja është në implementim e sipër dhe presim zbatimin e saj në plotëni me konstituimin e organeve drejtuese shtetërore.

Zëri: Pas largimit të deputetit Gëzim Kelmendi nga Grupi Parlamentar i PDK-së, a ka përplasje brenda partisë suaj?

Agani: Ka pasur mendime të ndryshme edhe para hyrjes në koalicion parazgjedhor dhe natyrisht gjithmonë ka mendime ndryshe që janë pjesë e demokracisë. Por, vendimi i fundit i deputetit Kelmendi për dalje nga Grupi Parlamentar i PDK-së paska ka acaruar gjërat në këtë aspekt dhe organet qendrore të partisë do të merren me këtë çështje dhe do të dalin me një qëndrim.

Zëri: Pra, ende nuk keni marrë një vendim?

Agani: Jo, kjo çështje do të shqyrtohet në mbledhjen e Kryesisë së partisë që do të mbahet gjatë kësaj jave dhe pas shqyrtimit të kësaj do t’i marrim edhe vendimet e duhura.

Zëri: A është Kelmendi zëri i vetëm kundërshtues rreth koalicionit me PDK-në, apo ka edhe zëra tjerë?

Agani: S’mund të deklarohem për këtë, por e rëndësishëm është qëndrimi zyrtar i deputetit tonë, i cili ka rënë ndesh me vendimet e organeve qendrore të partisë dhe kjo çështje duhet shqyrtuar.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari