Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Blloku, ultimatum Brovinës
Lumturie Blakaj Publikuar: 23.09.2014 - 07:27
Foto: Laura Hasani

Partitë politike të Bllokut, LDK, AAK, Nisma bashkë me “Vetëvendosjen” edhe njëherë kanë akuzuar kryesuesen e seancës, Flora Brovinën, se po abuzon me pozitën e saj, duke qenë në shërbim të partisë së Thaçit, derisa kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq deri në pakufi, por javën që vjen do të pasojnë veprimet e Bllokut VLAN me një kërkesë për debat në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryekuvendarit.

Partnerët e koalicionit, VLAN kanë paralajmëruar masa, nëse kryesuesja e seancës, Flora Brovina, nuk e thërret vazhdimin e seancës konstituive.

I nominuari për kryeministër nga Blloku, tha pas takimit të radhës që kanë zhvilluar liderët e katër subjekteve politike, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe VV-së se janë të shqetësuar me veprimet e Brovinës, derisa akuzoi PDK-në për zaptim të institucioneve.

“Jemi shumë të shqetësuar për mënyrën se si është ndërprerë seanca. Në fakt Brovina ka ikur nga seanca, duke mos marrë asnjë mendim të deputetëve për mënyrën e vazhdimit të seancës. Prandaj, jemi të shqetësuar se nuk është dhënë mundësia e debatit në seancën e javës që shkoi, dhe po ashtu nuk është duke e thirrur seancën. Brovina duhet ta shfrytëzojë të drejtën e saj dhe brenda javës ta thërrasë vazhdimin e seancës, sepse abuzimin që po e bën Brovina dhe zaptimi i institucioneve të vendit duhet ta ketë një kufi. Koalicioni VLAN këtë kufi do t’ua japin një ditë”, ka thënë Haradinaj pas takimit që ka zgjatur gati rreth një orë e gjysmë.

Sipas tij, Blloku nuk do të rrijë duarkryq, por do të veprojë javën e ardhshme për të gjetur zgjidhje që, sipas tij, është brenda Kuvendit të Kosovës.

“Ne presim që të ketë seancë gjatë kësaj jave, por nëse jo atëherë do të veprojmë, por kuptohet me kërkesë për vazhdim të seancës”, ka thënë ai. Haradinaj, gjithashtu, ka theksuar se nuk i takon kryesueses së seancës që të abuzojë me pozitën e saj, duke thënë se vetëm me një marrëveshje politike do të thirret seanca.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parasheh marrëveshje politike, por parasheh që deputetët të vendosin”, ka thënë duke e interpretuar edhe pikën 127 të aktgjykimit të Kushtetueses ku thuhet se zgjidhja duhet të gjendet nga deputetët brenda Kuvendit.

I pyetur se a do ta votonte kandidatin e PDK-së me një marrëveshje eventuale për krijimin e qeverisë, ai tha: “Unë jam deputet i lirë, i zgjedhur nga vota e popullit. Prandaj, vota ime është e lirë dhe nuk mundet askush të më detyrojë që ta votoj kandidatin e PDK-së dhe as edhe një gjykatë si ajo që kryesohet nga Enver Hasani”. Se a nevojitet ndërhyrja e presidentes në këtë situatë, Haradainaj tha se “presidentja mund ta luajë rolin e vet lehtësues apo ndihmues”.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri i LDK-së, tha se partitë e Bllokut nuk do ta lejojnë pafundësisht PDK-në që ta votojë kandidatin e saj për kryetar Kuvendi.

“Sot s’mund të them se sa herë do t’i lejohet PDK-së që të propozojë kandidatin e saj, për të mos thënë do t’i lëmë derisa të lodhen, sepse ata edhe ashtu të lodhur janë. Nëse mendojmë se do të lodhet shumica parlamentare e kanë shumë gabim. Por kjo nuk do të shkojë në infinit, pasi që gjithçka ka një kufi”. Duke komentuar thirrjet e fundit të partisë së Thaçit që partitë politike të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e situatës, Beqiri tha se “çdo gjë që flitet për marrëveshje ne flasim përmes votës në Kuvendin e Kosovës. Nuk është Flora Brovina ajo që duhet të na tregojë neve të arrijmë marrëveshje, por duhet ta thërrasë seancën”.

Ndryshe, gazeta ka kontaktuar edhe me kryesuesen e seancës, Flora Brovina, e cila nuk ka dashur t’i komentojë thirrjet e Bllokut për një seancë gjatë kësaj jave. Por, ditë më parë ajo ka bërë të qartë se nuk do të thërrasë seancë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përderisa partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje politike.

Në anën tjetër, janë analistët politikë ata që parashohin se vetëm ndërhyrja e presidentes, Atifete Jahjaga, mund ta zgjidhë situatën, në të kundërtën ata paralajmërojnë se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Mirëpo, e para e shtetit, Atifete Jahjaga, edhe disa ditë do të qëndrojë në SHBA dhe me t’u kthyer nga atje pritet që ajo edhe njëherë t’i takojë liderët politikë të të dyja taborëve, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja shtetërore.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
edhe diqka deshta me shtu asht Shum interesant që po këmbngulin që jan qlirimtarë,populli e ka kuptu Shum mirë oj Amerik ti e qlirove vendin kuptohet për interesa të vetat se jo për sy tzi por,nrregull eu kaq Shum heronj e trima uqk uqk uqk,dhe sot po dojn me u vra ndër vehte për pozita dhe fitime të tyre të ndërsjella,kurse populli i mjer jan duke e hjek zin,po mos tish kann populli me bashkpunue me të gjith kurr sdo të kishit bër asgjë e lëshoj kosovën,për ta vjedh ju në njerën an e shkau në tjetrën sdi bre valla sdi qfar race njerzore kishim qen jaaaa skuptohet kjo as në avganistan sasht ma keq tybe
ymeri
rekomanduar (3)
23 Sep 2014
16:56
 
Mos e ngritni fort zerin se thaqi dhe bajram rexhepi nuk pertojnè fare te shpallin fletarreste per te gjith juve! Ma mir rrini duarkryq se me hy ne burg! Se si te rrini duarkryq si jo, nuk eshtè se jini diqka ma te mir! Krejtè shpresat janè te VV. Se ju tjeret moti ishit marr vesh
arber
rekomanduar (11)
23 Sep 2014
10:24
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51