Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
Gërmia përplot në Ditën e Punëtorëve
Lindita Canolli Publikuar: 02.05.2013 - 09:42
Foto: Driton Bublaku

Radhët e qytetarëve që ecnin në këmbë, e të cilët dje ia kishin mësyrë Parkut të Gërmisë, për të festuar ditën e Një Majit, e cila njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, ishin të gjata. Parku i Gërmisë ishte vend adekuat për të festuar këtë ditë jo vetëm për prishtinasit, por edhe për banorët e qyteteve tjera të Kosovës.

Kjo ditë, sikurse viteve të tjera, po u sjell leverdi shitësve të shumtë të gjësendeve ushqimore, atyre që shisnin lodra e të tjerë, të cilët ishin vendosur aty një ditë më herët, madje duke kaluar malet e Parkut të Gërmisë dhe duke iu ikur Inspeksionit Komunal e Policisë, meqë këta të fundit nuk i kanë lejuar shitësit e paautorizuar të hyjnë përmes hyrjes kryesore të këtij parku. E, përderisa në shumë vende të ndryshme të botës, Një Maji shënohet me protesta për të kërkuar më shumë të drejta për të punësuarit, tek ne është bërë zakon që këtë ditë ta festojmë në vende malore, duke ngrënë e duke pirë.

Qëndresa Dula, nga Rahoveci, e cila studion në kryeqytet, tregon se është hera e parë që feston Një Majin në Parkun e Germisë.“Pasi që është viti i parë i studimeve në Prishtinë, këtë herë Një Majin po e festoj në Prishtinë. Qenka një vend adekuat për t’u relaksuar ..”, tha ajo.

Një studente tjetër, Arbenita Berisha, thotë se po e shfrytëzon Një Majin, që është ditë feste, për t’u relaksuar në natyrën e bukur që ka Gërmia.
“Kam ardhur me shoqëri dhe shumë bukur po kaloj. Pasi që është papunësi e madhe në vendin tonë, dhe po ashtu kushtet e punës nuk janë të mira, më mirë kishte me qenë që përmes protestës, punëtorët të kërkojnë të drejtat e tyre”, thotë ajo, duke arsyetuar veten se ka dalë të pushojë, pasi që ende nuk është e punësuar.

Prishtinasi Adem Krasniqi, i cili kishte zënë një vend në Gërmi së bashku me tërë familjen e tij, tha se ka dalë në parkun e Gërmisë, për të pushuar me familjen. “Kemi marrë ushqime nga shtëpia, ndërkaq me vete i kemi marrë edhe kupat për të pirë çaj”, tha ai.Në anën tjetër, shitësi i gjësendeve të ndryshme, Mujë Shabani, i cili kishte ardhur nga komuna e Lipjanit, tregon vështirësitë që ka hasur deri sa është vendosur në Parkun e Germisë.

“Nuk kemi marrë leje nga komuna e Prishtinës, për shkak se këtu vimë vetëm në ditën e Një Majit. Derisa jemi vendosur këtu, kemi pasur shumë vështirësi, duke kaluar nëpër mal, pasi që nuk na lejonte Inspeksioni komunal dhe Policia”, tha ai.

Ai tregoi se pas vendosjes aty, askush më nga Inspeksioni nuk ka ardhur ta largojë.“Edhe nëse vinë të na largojnë, përsëri do të gjej ndonjë alternativë për t’u kthyer, pasi që me këto të holla që fitoj, mbaj familjen“, shtoi ai.

Qytetarët, të cilët dje i janë drejtuar Gërmisë me makinat e tyre, janë ndaluar në udhëkryqin e “Taukbahçes”, sepse në këtë ditë, Komuna e Prishtinës dhe Policia kanë urdhëruar që asnjë veturë private të mos hyjë në parkun e Gërmisë, përveç disa automjeteve të lejuara, si të zyrtarëve komunalë, EULEX-it, për shkak të evitimit të kolonave të gjata të veturave.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Valla popull budall tjeter sdini veq me festu se per tjeter sjena met pun boll idare boll tona tmirat shtetin e fort
marri
rekomanduar (0)
02 May 2013
18:06
 
Ne Norwegji e cila eshte shteti me i pasur ne bote eshte demonstruar per me teper te drejta per klasen punetore dhe solidaritet me boten e varfer ne kalendar eshte dite e KUQE qka d.m.th. pushim por ata qe kan punuar paguhen 333 %, ne KosovO qe eshte shteti me i VARFER n bote nuk eshte dashur te festohet siq e pashe ne videon e RTK-se por ju eshte dashur te demonstroni kunder BANDITAVE qeveritar dhe tju hini DRU shpines. Nuk jeni as per lufte, as per paqe.
Vikingi me plis
rekomanduar (6)
02 May 2013
10:49
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51