Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Seanca më 2 tetor, palët s’lëshojnë pe
Lumturie Blakaj Publikuar: 24.09.2014 - 07:00
Foto: Laura Hasani

Pavarësisht se s’ka marrëveshje në mes dy taborëve, PDK-së njërën anë dhe katër subjekteve politike të Bllokut, LDK, AAK, Nisma dhe “Vetëvendosje” në anën tjetër, seanca e ardhshme konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të mbahet javën që vjen.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “ Zëri” kryesuesja e seancës, Flora Brovina, e cila ka thënë se po i bën të gjitha përgatitjet e duhura teknike për thirrjen e seancës konstituive javën e ardhshme, më 2 tetor.

Ajo ka deklaruar se do të dëshironte shumë që kësaj radhe, për herë të tretë liderët politikë të arrijnë një marrëveshje paraprake dhe në seancën të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe organet tjera drejtuese.

Megjithatë, thekson se nuk është në dorën e saj çështja e arritjes së marrëveshjes politike, pasi që siç deklaron Brovina, kjo çështje është në vullnetin e liderëve politikë.

“Jam duke bërë përpjekje që të përgatitemi për thirrjen e seancës javën e ardhshme. Se a do të kemi zgjedhje të kryetarit të Kuvendit apo jo, kjo mbetet të shihet nëse do të kemi lëvizje pozitive të gjërave gjatë ditëve në vijim. Por, kjo çështje është kryekëput në dorën e liderëve politikë nëse do të kenë vullnet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhje”, ka thënë ajo.

Kryesuesja e seancës shfaq besimin se me përfshirjen e presidentes, Atifete Jahjagës, në këtë proces, gjërat do të marrin kahe pozitive.

“Do të ishte në dëshirën time që herën e tretë të kemi përfundimisht zgjedhjen e kryekuvendarit dhe jo seancë të njëjtë sikur e kishim herën e fundit. Megjithatë, dua të besoj se me përfshirjen e presidentes, Atifete Jahajga, liderët politikë do të tregojnë vullnet dhe gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve përmes një marrëveshje”, ka thënë ajo për “Zëri” përmes telefonit.

PDK-ja shpreson në marrëveshje, Blloku “Jo” pazare me PDK-në

Megjithatë, pas dy dështimeve për zgjedhjen e kryetarit, PDK-ja do të bëjë edhe përpjekjen e tretë për ta zgjedhur kandidatin e saj për kryekuvendar.

Edhe pse deri më tani ky subjekt politik nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat për zgjedhjen e kreut të Kuvendit nga radhët e kësaj partie, megjithatë në partinë e Thaçit shfaqen optimistë se gjatë ditëve në vijim gjërat do të lëvizin pozitivisht në drejtim të krijimit të institucioneve të vendit.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se në vazhdimin e seancës konstituive do të ketë vota të mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e kësaj partie.

Ai ka shprehur bindjen se gjatë ditëve të ardhshme, do të arrihet të gjendet zgjidhje për të dalë nga kjo situatë politike.

“Ne presim që në ditët në vijim, pra sa më shpejt që është e mundur të mbahet seanca dhe presim që edhe partitë politike të reflektojnë dhe të ndërtojmë institucionet e vendit. Kjo nënkupton që partitë e tjera të reflektojnë përballë fituesit të zgjedhjeve të 8 qershorit”, ka thënë ai ditë më parë.

Kuçi, ndërkaq, ka theksuar se partia e tij është e gatshme që të reflektojë pozitivisht me subjektet tjera politike për ta zgjidhur këtë bllokadë institucionale, madje edhe duke bërë kompromise.

Seancë “deja vu”

Por në anën tjetër, janë partitë e Bllokut ato që thonë se nuk do të hyjnë në asnjë marrëveshje me PDK-në e Thaçit.

Madje, katër subjektet politike që kanë hyrë në marrëveshje për bashkëqeverisje theksojnë se edhe herën e tretë PDK-ja do të dështojë t’i marrë votat për ta zgjedhur kryetarin e saj, kandidat i së cilës sërish do të jetë deputeti, Arsim Bajrami.

Ismet Beqiri i LDK-së ka thënë se katër subjektet politike të Bllokut e kanë të garantuar shumicën parlamentare dhe i kanë numrat për ta zgjedhur Isa Mustafën kryetar Kuvendi, vullnet ky që siç ka theksuar ai, është i 64 deputetëve të Kuvendit.

Çdo gjë që flitet për marrëveshje ka shtuar Beqiri, “është e qartë se ne flasim përmes votës në Kuvend”.

Sipas tij, zgjidhja është brenda Bllokut dhe kjo do të tregohet me votë, derisa ka theksuar se seanca duhet të thirret zyrtarisht sa më parë që të jetë e mundur.

Ndërkohë, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se do të ishte krejt e pakuptimtë që të thirret një seancë 2-3 minutëshe dhe në fund të mos zgjidhet kryetari i Kuvendit.

“Është e pakuptimtë që të luhet ajo “deja vu”, dhe të ndërpritet seanca për shkak të dështimit të PDK-së. Prandaj, topi kësaj radhe është te presidentja e vendit, e cila ose duhet të bëjë trysni mbi liderët politikë që të gjejnë zgjidhje, ose t’i shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, as seancën e ardhës nuk do të ketë zgjedhje të kryetarit, ndonëse ka shfaqur mendimin se nuk pritet të ketë marrëveshje në mes liderëve partiakë.

“Në bazë të pozicionit të tyre nuk pres të ketë marrëveshje, por vendi do të shkojë drejt zgjedhje”, ka thënë analisti Matoshi.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, ka deklaruar se faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik, por sipas tij, ajo çka mund të bëjë BE-ja është që të japë rekomandime për t’u zgjedhur sa më shpejt të jetë e mundshme kjo situatë.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
O kta po dojn me emitue Stupcat..Humor jan tu..po pupulli nuk e ka kuptue hala..hahaahh
xhema
rekomanduar (6)
24 Sep 2014
12:57
 
O zonja.Flora nuk keni ti kompetenca për séance konstutive.Ti je vetem nji deputet vjeter.Nuk keni ligjimiteti.
Rashiti
rekomanduar (9)
24 Sep 2014
10:53
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51