Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Neurokirurgët kontestojnë drejtorin Arsim Morina
Alban Selimi Publikuar: 24.09.2014 - 07:15
Foto: Laura Hasani

Nëntë nga gjithsej 11 neurokirurgët sa ka gjithsej Klinika e Neurokirurgjisë, po e kundërshtojnë zgjedhjen e drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina.

Ata përmes një njoftimi që i kanë bërë edhe ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, edhe instancave të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanë njoftuar për bojkotin e punëve derisa aty vazhdon të udhëheqë Morina.

“Ju informojmë se nuk pajtohemi me zgjedhjen e Arsim Morinës, drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë në konkursin e fundit me gjithë reagimet tona të njohura për Ju dhe opinionin”, thuhet në reagimin e nëntë neurokirurgëve që i është adresuar edhe ministrit të Shëndetësisë.

Morina u zgjodh në mënyrë të parregullt

Sipas mjekëve të kësaj klinike, procesi i zgjedhjes së Morinës ishte i parregullt.

“Në rubrikën për dënime nuk është raportuar për katër dënime që i janë bërë për shkak të fyerjeve të kolegëve, intrigave dhe keqmenaxhimit nga ana e tij”, thuhet në reagimin kolektiv.

Në vitin 2005, siç njoftojnë neurokirurgët, Morinës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të sjelljes së keqe, gjuhës kërcënuese dhe fyese që kishte përdorur në vendin e punës.

Sipas njoftimit të neurokirurgëve, bëhet fjalë për vendimin e Komisionit Disiplinor me numër 250/05, të shtatorit të atij viti.

“Dy dënimet e fundit nga ana e menaxhmentit të kaluar të QKUK-së në muajin mars 2014. Vendimi i drejtorit ekzekutiv i datës 27 mars 2014 për shkak të sjelljeve jokolegiale dhe keqmenaxhim –është i shkarkuar”, thuhet në shkresën e nëntë neurokirurgëve të QKUK-së.

Ata thonë se me pranimin e një menaxheri të tillë do të pranonin “privatizimin e Klinikës nga ana e tij, ku çdo gjë vendoset në bazë të vullnetit edhe dëshirave të tij”. Për keqmenaxhim, siç thonë ata, opinioni, Ministria, Drejtoria janë të informuar me shkresa të veçanta.

“Ende i kemi të freskëta mashtrimet që na janë bërë nga ana e tij, ku ishte një situatë e ngjashme, kur kishim bojkotuar punën nën udhëheqjen e tij për shkaqe të njëjta. Atë kohë pas pranimit të gabimit nga ana e tij, garancive që na u dhanë nga ana e menaxhmentit të kaluar për bashkëpunim dhe mosdiskriminim në të ardhmen, ne pranuam t’i kthehemi punës”.

Por, pas dy-tri javësh, ata thonë se Morina filloi sërish me avazin e vjetër.

“Pas ndërrimit të menaxhmentit të gjitha u mbyllën në atë kohë dhe keqmenaxhimi i tij vazhdoi me të vjetrën. Kësaj radhe ne jemi më se të vendosur që për asnjë çmim të mos i shkojmë prapa Arsim Morinës”, thonë neurokirurgët.

Ata gjithashtu kanë thënë se për këtë ai ua ka forcuar bindjen, pasi që nga dita e parë kishte filluar me kërcënime dhe intriga individuale.

“Ju informojmë që jemi në bojkot të punës në Klinikë. Nga tetori i këtij viti, ne nuk do të mbajmë as kujdestaritë. Ju lutemi që në bazë të kompetencave Tuaja të ndërmerrni masa për rregullimin e situatës në Klinikë”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga neurokirurgët Shaban Hasi, Bujar Kastrati, Nehat Halili, Armend Kërveshi, Haxhi Avdyli, Besnik Elshani, Faik Qosja, Feti Ahmeti dhe Shefki Dragusha.

Në shkresë nuk janë nënshkruar vetëm dy neurokirurgët: Fatos Kelmendi dhe vetë drejtori Arsim Morina që po kundërshtohet nga stafi.

Morina: S’ka bojkot në Neurokirurgji

Në anën tjetër, Morina ka thënë se punët janë duke u kryer. “Mund të jetë rebelim. Por nuk është bojkot i punës. Kryesorja asgjë nuk po ngec”.

Sipas Morinës, ata që nuk duan të kryejnë punët u nënshtrohen procedurave disiplinore.

“Ata moti nuk po kryejnë procedurat administrative”, ka thënë Morina.

Ai thotë se nuk është në dijeni se çka duan të bëjnë këta persona. Por, këtë e sheh vetëm si një presion kundër rizgjedhjes së tij drejtor klinike.

“E tash po e shfrytëzojnë presionin mediatik. Do të thonë nuk ka përgjegjësi kolektive, por individuale”, ka thënë Morina.

Duke folur për arsyetimet e stafit që refuzojnë atë si udhëheqës, ai thotë se nuk janë të qëndrueshme.

“Në vitin 2005 është fakt që atë kohë si shef Shaban Hasi më kishte dërguar në komision disiplinor. Për mua kishte me qenë ofenduese dhe mangësi do të kisha marrë ndonjë dekoratë nga Shabani që kishte mashtruar fondet e Zvicrës dhe Kosovës”, thotë Morina, duke iu referuar faktit që Hasi ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane.

Mirëpo thotë se kur është zgjedhur drejtor, ato shkresa të Hasit nuk janë përfillur.

“Derisa Shaban Hasi nuk është kthyer në punë, asnjë pakënaqësi nuk ka pasur”, thotë Morina.

Bile, thotë se i gjithë kolektivi ka pritur bashkërisht “Vitin e Ri në Neurokirurgji”.

“Të gjithë kolektivi kemi qenë shumë të kënaqur dhe puna ka shkuar perfekt. Dhe tash, sërish kjo çështje ngrihet nga Hasi”, thotë Morina.

I pyetur se si e ka bindur Hasi gjithë stafin ta kundërshtojnë atë, Morina thotë se tjerët e kanë bërë me inercion.

“Unë kam dashur të jem kritik dhe kam pasur të drejtë t’i çoj në komision etik dhe komision disiplinor kur janë bërë gabime gjatë operacioneve. Por, asnjërin nuk e kam ofenduar as në kuluare e as jashtë”.

Por, nëse atyre iu konvenon që të hyjnë e dalin sa herë duan, Morina thotë se këto janë veprime jo të përgjegjshme dhe të patolerueshme.

“Unë edhe tash ua kam shtrirë dorën e pajtimit. Askush nuk është i pagabueshëm. Askush nuk është ideal. Por duhet që në mënyrë intelektuale, që nëse dikujt i bëhet e padrejtë, të shihet se çfarë ka. E tash, për gjashtë vjet asnjë ankesë nuk ishte dhe përnjëherë po rebelohesh”.

Morina, duke iu referuar Hasit që është i nënshkruari i parë në listën e neurokirurgëve, thotë se bëhet fjalë për “një disbalans të një të burgosuri të Zvicrës, që për punë të këqija nuk është invalid”, ndonëse sipas tij, është invalid 100 për qind.
“Aty është pakënaqësia pse unë e kërkoj respektimin e punës. Pra puna nuk do të ngecë dhe kushdo që me vetëdëshirë e lëshon punën e lëshon. Në të kundërtën anarki nuk lejojmë”, ka thënë Morina.

Ndërkohë, në menaxhmentin e SHSKUK-së, thonë se drejtori Curr Gjocaj ka pranuar një ankesë prej neurokirurgëve dhe është kërkuar lidhur me këtë çështje interpretim nga zyra ligjore.

“Jemi në pritje të interpretimit të zyrës ligjore dhe asaj të personelit”, ka thënë zëdhënësi Shpend Fazliu.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51