Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Kushtetuesja nuk i bie pishman
Albert Ahmeti Publikuar: 24.09.2014 - 07:23
Foto: Laura Hasani

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet ta rishikojë vendimin e saj rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit, në mënyrë që të tejkalohet kriza politike në vend.

Mirëpo, një kërkesë e tillë është vlerësuar si e parealizueshme nga njohësit e këtyre proceseve, të cilët kanë thënë se Gjykata Kushtetuese nuk do ta rishikojë vendimin e saj, pasi në atë formë do të dilte nga parimet që i ka ngritur vetë kjo Gjykatë.

Për më tepër analistët kanë rikujtuar që me dorëheqjen e gjyqtarit amerikan, Gjykata Kushtetuese nuk ka kuorum për t’u marrë me çështje në të cilat prezantojnë si palë: Kuvendi, Presidentja, Qeveria apo Avokati i Popullit, prandaj ata kanë thënë se kjo është edhe një arsye më shumë rreth pamundësisë që të bëhet rishikim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, sipas analistëve, nëse Gjykata do të kishte kuorum, atëherë ajo do të mundë të jepte përgjigje se a është e konsumueshme e drejta e PDK-së për propozimin e kreut të Kuvendit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë që Gjykata Kushtetuese do të duhej ta rishikonte vendimin e saj në mënyrë që të mundësohet tejkalimi i krizës politike.

“Unë mendoj se edhe Gjykata duhet ta rishikojë edhe një herë vendimin e saj, në mënyrë që të hapë rrugë, sepse Gjykata është ajo që të hapë rrugë dhe assesi të mbyllë...”, ka thënë Mustafa për mediet kosovare.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për “Zërin” se rishikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndodhë pasi, sipas tij, kjo Gjykatë nuk mund të dalë nga parimet që i ka vendosur vetë.

“Rishikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është një praktikë që mund të ndodhë sepse nuk është e logjikshme që Gjykata të lëvizë prej parimeve që i ka përcaktuar njëherë në vendimin e saj”, ka vlerësuar Korenica, duke thënë se ajo që mund të bënte Kushtetuesja është që në kuadër të konturave që i ka përcaktuar, të gjendet një zgjidhje më novatore sesa propozimi i liderit të LDK-së.

Në këtë kuptim, sipas Korenicës, eventualisht në një rast të ri, Gjykata do të mundë të sillte koncepte që hyjnë brenda konturave të vendimit të kaluar, por kurrsesi jo që ajo të rishikonte në tërësi atë vendim.

“Pika kontestuese që ka mbetur pa u zgjidhur me vendimin e kaluar dhe që nuk mund të zgjidhej me vendimin e kaluar është situata hipotetike se a është e konsumueshme e drejta e PDK-së për propozimin e kreut të Kuvendit. Kjo do të mundë të zgjidhej me një vendim të ri”, ka shtuar Korenica, duke rikujtuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka kuorum për t’u marrë me çështje të tilla.

Edhe publicisti, Halil Matoshi, e ka vlerësuar si të parealizueshme idenë e liderit të LDK-së për rishikim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi është i plotfuqishëm dhe nuk mund të rishikohet dhe kjo nuk është një qasje që ndikon në tejkalimin e ngërçit politik dhe madje Gjykata Kushtetuese është jofunksionale sepse pas dorëheqjes së gjyqtarit amerikan, praktikisht Gjykata ka mbetur pa kuorum dhe nuk mund të sjellë kurrfarë vendimi në rastet e tilla”, është shprehur Matoshi.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Po pse mej ra pishman kur njeriu e thot te verteten po sipas Ises po deshka me rrejt, jo zotri Prof.Enver Hasani ti gjithmon ke qen burr dhe vedis burr, Isa i thot pohes JO dhe i thot johes PO
Kryeplaku
rekomanduar (6)
24 Sep 2014
13:11
 
Une mendoj se kjo kushtetute eshte me shum pak vlera sepse nuk i mbrone te drejtat dhe qytetaret e Kosoves,si dhe aty fillon korrupsioni.
Isa Ahmeti
rekomanduar (12)
24 Sep 2014
07:55
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51