Opinione

Ballina / Opinione / Editoriale
Reflekto presidente
Milaim Shefkiu Publikuar: 24.09.2014 - 12:50

Ka disa muaj e ndoshta edhe një vit, që në arenën ndërkombëtare vetëm një lider po reflekton lidership, duke ia ngritur imazhin Kosovës, por edhe qytetarëve të saj. Një lidere që nuk po arrin ta gëzojë respektin në vendin e saj për mënyrën se si është ngjitur në skenë, po reflekton dhe manifeston imazh shumë të mirë në të gjitha vendet ku ajo është prezent. Jo që Atifete Jahjaga është e bukur dhe po i mahnit të tjerët, por duke u sjellë si një lidere po dëshmon se Kosova nuk është vend patriarkal, ku gratë nuk kanë pushtet, por një vend i mundësive dhe i barazisë demokratike.

Ajo që i ka bërë të gjithë të ndihen mirë, është Çmimi për “Lidership në sferën publike” nga “Clinton Global Initiative” në New York. Madje edhe kësaj here, presidentja tha se çmimin ia dedikon popullit të Kosovës...

Shumëkush ka pasur kritika për këtë çmim, duke thënë se Jahjaga nuk ka reflektuar kurrë lidership në Kosovë, sepse “nuk e ka pyetur askush”. Madje disa të tjerë kanë shkuar edhe në “Facebook”, duke e konsideruar Jahjagën si dezertore, që e ka lënë Kosovën pa institucione, në krizë ordinere dhe vetë ka “thyer qafen në Amerikë”.

Mirëpo, shikuar nga një prizëm tjetër dhe pa dashur të thur panegjirikë, presidentja po tregon lidership shumë më të fuqishëm jashtë vendit sesa brenda.

Ndoshta kësaj dukurie i përshtatet më shumë proverbi latin: “Të parin e shtetit kurrë nuk e respektojnë në katundin e tij”. Edhe Jahjaga nuk e ka fituar simpatinë e masës si presidente, pasi që erdhi në krye të shtet si koncesion brendapartiak. Por, gjatë viteve që mbetën pas, ajo dëshmoi se nuk është bash aksidentalisht në këtë post, sidomos nga respekti që po përfiton nga liderët evropianë dhe ata të SHBA-ve.

Askush në Kosovë, por as në Ballkan nuk mund të thotë se ka respektin e ndërkombëtarëve më shumë se presidentja Jahjaga.

Kjo tashmë po shihet se është e pakontestueshme. Këtë respekt nuk e kanë pasur, as paraardhësi Fatmir Sejdiu e aq më pak kryeministri Hashim Thaçi.

Por ajo që ngjall pakënaqësi dhe mosdurim është angazhimi i zbehtë i saj në Kosovë për të zhbllokuar krizën institucionale e politike.

Deri tani ka qëndruar shumë indiferente, sikurse përplasjet politike të ndodhin në ndonjë shtet tjetër në Ballkan, përjashto këtu Shqipërinë dhe vendet tjera me shqiptarët, sepse edhe aty i bie hise të inkuadrohet në pajtimin e mundshëm të partive shqiptare.

E për ta plotësuar këtë boshllëk dhe për t’u kujtuar si presidente që fitoi “Çmimin Clinton... për Lidership”, duhet të reflektojë shpejt lidership edhe në Kosovë. Pavarësisht që nuk e ka fuqinë siç e ka pasur dikur Fatmir Sejdiu, i cili ka përfaqësuar LDK-në, ajo e ka fuqinë kushtetuese për ta përfaqësuar unitetin e kombit.

Jahjaga duhet t’i mbledhë sërish liderët e partive politike, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Albin Kurtin e Hashim Thaçin, dhe të mundohet të gjejë një zgjedhje, madje edhe duke shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk ka alternativë. E nëse as për zgjedhje nuk arrihet marrëveshje, atëherë sërish i mbetet presidentes ta gjejë një solucion. Si një mikeshë e diplomacisë amerikane, por edhe atyre në Evropë, Jahjaga duhet të kërkojë influencimin e diplomatëve të huaj për ta “imponuar qeverisjen”.

Nëse ajo reflekton fleksibilitet për të gjetur të panjohurën e krizës politike, do të mbetet në historinë e Kosovës si presidentja që zgjidhi krizën më të madhe politike në Kosovën e pasluftës. Nëse ajo për çdo gjë i drejtohet Kushtetueses, edhe për çështje koti, do të kujtohet si presidentja egoiste që kurrë nuk guxoi të marrë vendim të rëndësishëm për vendin. Jahjaga mundësinë e ka, varet a e shfrytëzon...


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione