Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Akademia, e izoluar dhe e heshtur
Liridon Llapashtica & Albert Ahmeti Publikuar: 25.09.2014 - 07:00
Foto: Laura Hasani

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë shkencor në vend, është vënë shumë herë në debat, për rolin e saj në shoqëri e në politikë, për heshtjen e mosreagimin ndaj çështjeve të mëdha politike, kombëtare e fetare që po ndodhin në vend.

Ka zëra që e konsiderojnë tërësisht të politizuar, të tjerë që e akuzojnë për autarki shkencore dhe zëra që e quajnë një shkollë tashmë të demoduar e të udhëhequr nga krerë të një ideologjie të përfunduar komuniste. Njerëz të botës akademike e të shoqërisë civile vlerësojnë se kjo akademi ka njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty, të cilët, thonë ata, e kanë shndërruar AShAK-në në çerdhe të mospunës.

Por këtë akuzë e çojnë edhe më tej duke e quajtur shkollë e vjetër intelektualësh të Kosovës, nga e cila nuk mund të priten ide kreative apo qëndrime rreth çështjeve të rëndësishme në interesin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare. Sipas profesorëve universitarë dhe publicistëve, ASHAK-ja asnjëherë nuk ka ditur se si të pozicionohet në situatat kryesore politike në vend. Por, edhe në lidhje me këtë çështje ka mendime të ndryshme dhe kundërshtuese në mesin e publicistëve, të cilët thonë se “të presësh që Akademia t’ia zgjidhë problemet nga shoqëria është mendësi e kohës së komunizmit”.

Pavarësisht përpjekjeve të gazetës për të marrë një vlerësim rreth kësaj çështjeje nga ASHAK-ja, kjo ka qenë e pamundur, pasi që askush nga institucioni nuk do që të flasë për heshtjen e tij.

Vinca: ASHAK-ja, institucion servil

Profesori universitar, Agim Vinca, ka thënë për “Zërin” se duke e ditur përbërjen e ASHAK-së nuk mund të priten ide, apo këshilla. “Me përbërjen që ka dhe me mendësinë që e karakterizon, nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, as që është e nevojshme të priten farë idesh a këshillash. ASHAK-ja jonë është një institucion servil ndaj politikës së ditës (me përjashtim të garniturës së fundit politike, kësaj në largim e sipër, ndaj së cilës, çuditërisht, ka manifestuar njëfarë “trimërie”!)”, ka vlerësuar Vinca. Sipas tij, ky institucion është uzurpuar nga njerëz me interesa të përafërta politike e klanore.

“E dyta, ASHAK-ja jonë është institucion i uzurpuar në mënyrë flagrante e brutale nga një parti politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga një grup njerëzish, të cilët i lidhin pikëpamjet e njëjta a të përafërta politike ose edhe interesat klanore, materiale e të tjera (Këto të dytat, sidomos në kohë të fundit, mbase më shumë se të parat)”, ka shtuar Vinca. Madje sipas Vincës kjo akademi nuk ka ditur asnjëherë të pozicionohet në situatat kryesore politike në vend.

“Dhe e treta, kryesorja, ASHAK-ja kurrë nuk ka ditur të pozicionohet si duhet në situata kyçe historike. As në ’81-shin, kur shpërthyen demonstratat e studentëve e të rinisë shkollore, që kërkonin Republikë, as kur doli në skenë UÇK-ja, që ia riktheu Kosovës krenarinë e nëpërkëmbur dhe ia solli lirinë e shumëpritur, natyrisht, në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar, e as në shumë raste të tjera, prejse ekziston”, është shprehur Vinca. Ai më tej ka thënë se zgjedhjet e fundit të anëtarëve të rinj të kësaj Akademie e dëshmojnë gjendjen e rëndë të këtij institucioni. Vinca prej vitesh ka ambicie të anëtarësohet në këtë Akademi, të cilën e kritikon aq shumë dhe e quan, në fakt, të padobishme.

“Zgjedhjet e fundit të anëtarëve të rinj në këtë të ashtuquajtur “Akademi të Shkencave” dëshmuan edhe një herë katërçipërisht gjendjen katastrofike që sundon në institucionin më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës, që thith mjete të majme nga buxheti i varfër i shtetit tonë të ri e fukara”, ka përfunduar Vinca për gazetën “Zëri”.

Robelli: Akademia nuk është ambulancë për shërim të plagëve politike

Ndërsa publicisti, Enver Robelli, ka thënë se pritjet e çuditshme të disa njerëzve që Akademia e Shkencave duhet të na i zgjidhë të gjitha problemet, janë anakronike. Sipas tij, kjo Akademi duhet të merret më shumë me shkencë dhe sa më pak ose fare me politikë. Mirëpo, sipas Robellit, ASHAK-ja do të mundë të jepte këshilla rreth ndonjë çështjeje politike, nëse një gjë e tillë i kërkohet nga politika.

“Mendoj se kjo Akademi duhet të reagojë për çështje që kanë të bëjnë më shumë me shkencën. Ose, ta zëmë, nëse politika e sheh të nevojshme të dëgjojë mendimin e Akademisë së Shkencave për dialogun me Serbinë, bie fjala, gjë që politika deri më sot nuk e ka bërë. Por nuk besoj që Akademia e Shkencave do të duhej vetvetiu të dalë me një platformë për dialogun, sepse ajo është çështje politike dhe është përgjegjësi e politikanëve. Akademia nuk është ambulancë për shërim të plagëve politike”, ka deklaruar Robelli.

Sipas Robellit, Akademia e Shkencave e Kosovës i ka ikur dhe duhet t’i ikë edhe më tutje modelit të Akademisë serbe. “Mendoj që duhet t’i ikë modelit të Serbisë, ku njerëzit presin që Akademia e Shkencave të jetë udhërrëfyese e politikës. Ne e kemi parë se çka ndodh kur shkenca shndërrohet në instrument të nacionalizmit dhe kur nacionalizmi në emër të shkencës shndërrohet në udhërrëfyes të kombit. Udhërrëfimet e tilla përfundojnë në humnerë”, është shprehur Robelli. Derisa flet për akademitë e vendeve të rajonit, Robelli ka thënë se Kosova duhet të ketë shembull Kroacinë dhe Slloveninë.

“Nuk do ta merrja si shembull Akademinë e Maqedonisë, sepse bëhet fjalë për një institut të intelektualëve që janë në shërbim të politikës, madje disa prej tyre kanë bërë plane për ndarjen e Maqedonisë, por, siç e kemi parë, ajo nuk u nda. Mendoj që problemet politike nuk duhet t’i ngatërrojmë me shkencë. Po bëj krahasime me Kroacinë dhe Slloveninë, ku akademitë kryejnë punët e tyre shkencore larg politikës dhe zhurmës së përditshme publike. Në këtë drejtim Akademia e Shkencave e Kosovës është në rregull. Me rëndësi është që institucionet kulturore e shkencore në Kosovë të mbështeten shumë më tepër financiarisht se deri më tani dhe të kërkohet nga çdo institucion që këto mjete t’i ndajë për projekte shkencore në të mirën e shoqërisë. Deri më sot ka pasur përpjekje që Akademia të futet nën kontroll nga grupe interesi. Bile kryeministri Hashim Thaçi pati vendosur në hyrje të ndërtesës së Akademisë një pllakë me një slogan tipik komunist: ‘Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin’”, ka thënë Robelli.

ASHAK-ja, shkollë e vjetër

Kurse, publicisti Halil Matoshi ka thënë për “Zërin” se ASHAK-ja është një shkollë e vjetër e intelektualëve të Kosovës, prandaj, sipas tij, nuk kanë mundësi që të ngrenë çështje të rëndësishme.

“Janë intelektualët e autonomisë së Kosovës, të viteve të 70-ta, të cilët janë të shkëlqyeshëm me kastën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me partizanët e fundit të PDK-së dhe nuk kanë as mundësi intelektuale, për të ngritur çështje të modernitetit, probleme të shekullit njëzetenjë”, ka vlerësuar Matoshi. Ai më tej ka thënë se anëtarët e Akademisë së Shkencave nuk e dinë që Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk e dinë që interpretimi nuk është shkencë, interpretimi folklorik i diplomacisë e i historisë.

“Ata e shohin veten si në ëndërr, nuk e dinë se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, e praktikisht janë për bashkim me Shqipërinë. Ata nuk e dinë që Kosova ka ligje, Kushtetutë dhe simbole të veta shtetërore. Ata nuk e dinë që nuk shkohet në Evropë dhe nuk është shkencë interpretimi ideologjik i historisë. Ata nuk e dinë që nuk është shkencë interpretimi folklorik i diplomacisë, i luftës, i shtetit dhe i ligjit”, ka shtuar Matoshi, duke thënë se kjo Akademi duhet të mbyllet me vullnetin e saj. “Ata duhet që me vullnetin e tyre të lirë ta mbyllin këtë çerdhe të mospunës. Sa u përket pagave të mëdha, nuk është problemi se sa përfitojnë ata, por është se çka prodhojnë ata, e ata prodhojnë mite, ndërsa dija që ata e prodhojnë është e rrezikshme për shtetin e ri të Kosovës dhe për modernitetin e shqiptarëve”, ka përfunduar Matoshi.

 

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Kush me fole a ? E moti e kane hanger bumbanin ! AShAK - qerdhe e UDB-se ! Dihet ku dhe si i kane fituar titujt ! -
Qerdhja e UDB--se
rekomanduar (3)
25 Sep 2014
20:05
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51