Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
Komuna mburret me kiflet, LDK-ja kritikon
Lindita Canolli Publikuar: 25.09.2014 - 08:31

Nxënësja e klasës së parë në shkollën fillore “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet, Eda Zeka, sikurse në ditën e parë që ka marrë një kifle edhe dje u shpreh e gëzuar. Madje ajo kënaqësinë e shprehte me buzëqeshje.

“Jam shumë e gëzuar që tash po na japin kifle. Më ka pëlqyer shumë”, thoshte ajo.

Njësoj u shpreh edhe mësuesja e saj, Dafina Miftari.

“Fëmijët janë të kënaqur shumë. Por aty këtu ka ndonjë vërejtje: jo unë se dua me xhem por me djathë, por në përgjithësi kjo është iniciativë shumë e mirë”, theksoi Miftari.

Mirëpo, kjo mësuese pati ankesë për mosmbështjelljen e kifleve, por ajo tha se tashmë i ka sugjeruar nxënësit që secili të marrë pecetë me vete për t’i vendosur ato.

Ndërkohë zëvendësdrejtori i fillores “Pjetër Bogdani”, Halil Ramadani, përveç lëvdatës për ndarjen e shujtave falas ka edhe disa sugjerime.

“Gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë ankesë nga nxënësit për cilësinë e kifleve, përveç disa ankesave të vogla nga disa mësues që higjiena e shportave ku vendosen kiflet të jetë më në nivel”, tha Ramadani.

Ai sugjeroi që kiflet të mbështillen me ndonjë letër apo pecetë dhe kompania e cila i sjell kiflet në shkollë të na sigurojë një raft ku t’i vendosim ato deri në ndarjen e tyre. Në mungesë të raftit, tha ai, ato po detyrohen t’i lënë në zyrën e tij që është shumë e vogël.

Ai tha se kishte qenë mirë që kiflet t’u ndahen të gjithë nxënësve të shkollës fillore, jo vetëm atyre të klasave nga e para deri në të pestën.

Besa Behrami, e cila ka tre fëmijë në shkollën “Meto Bajraktari”, në kryeqytet tha se tash nuk e ka më shqetësimin çka t’i blejë vetëm njërit fëmijë, por jo edhe për dy të tjerët.

“Kushtet ekonomike në shtëpi nuk i kemi bash të mira. Dhe t’i shkollosh tre fëmijë, t’u sigurosh transportin, t’u blesh çdo ditë bukë apo gjësende për të ngrënë, me të vërtetë po na kushton. U bë shumë mirë që Komuna po ndan kifle, por mua vetëm njërin fëmijë që e kam në klasë të dytë po i takon të marrë kifle, por jo edhe dy të tjerët, njëri në klasë të pestë dhe tjetrin në të gjashtën”, tha ajo.

Lëvdata për Komunën në ndarjen e kifleve ka edhe Ymer Rusinovci, shefi i grupit parlamentarë të AAK-së në Kuvendin Komunal.

“Kjo është nismë e mirë. Tash prindi nuk e ka hallin çka t’i blejë fëmijës, apo a ka pare t’i blejë. As në fillim por as tash nuk kam qenë kundër, thjesht është projekt për ta përshëndetur. Kishte qenë mirë që ky projekt të zbatohet edhe te klasat e tjera të shkollës fillore”, deklaroi Rusinovci. Ndërkohë, ai tha se Komuna për çdo kritikë që merr për kiflet duhet të lërë vend për t’u debatuar dhe përmirësuar.

Ndryshe, nga ai flet Agim Gashi, ish-drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike gjatë qeverisjes së LDK, ndërkaq tash këshilltar komunal.

“Shpërndarja e ushqimit për nxënës në Komunën e Prishtinës nuk po bëhet në përputhje me standardet higjienike. Askund dhe asnjëherë në asnjë vend nuk preferohet t'ju jepet ushqimi i papaketuar ose i pambështjellë me mbështjellës adekuat fëmijëve siç i pamë nëpër medie”, tha Gashi. Ai shpreson se dikujt në Komunë do t’i bjerë ndërmend për këtë gabim dhe do të marrë masa për plotësimin e kushteve elementare higjienike.

Ndryshe nga Gashi, është shprehur dje nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu.

“Kemi bërë kapërcimin e parë kualitativ sa i përket aspektit të barazisë së nxënësve, sa i përket shujtave. Përveç problemit të peshës së rëndë të çantave të fëmijëve është potencuar edhe kequshqyerja e nxënësve në kontrollet sistematike që janë bërë javë më parë nëpër shkolla. Dhe ideja ka qenë që sadopak të krijojmë barazi te nxënësit në ushqim”, ka theksuar Sejdiu.

I pyetur se si lejohet që kiflet të ndahen pa u mbështjellë me ndonjë mbështjellës apo pecetë, ai ka thënë se ato shpërndahen me letra.

“Ato vinë të paketuara sikurse në çdo furrë. Dhe ai paketim vendoset në shkollë, në ndonjë pikë që e definon shkolla, ndërkaq aty i merr mësuesja dhe i shpërndan nxënësve. Kiflet nuk preken nga askush përveç prej nxënësve”, shtoi Sejdiu

Megjithatë, ai thotë se në çdo kritikë në këtë temë ekziston mekanizmi i korrigjimit.

“Nëse pretendohet se nuk është higjienike kontrollohet dhe intervenohet prej kontraktorit me kërkesën tonë”, tha më tej Sejdiu.

Ndryshe, shujta kanë përfituar 17.216 nxënës në 43 shkolla fillore të Prishtinës.

Kiflet janë me djathë, me vishnje, pjekurina me gjalpë, gjevrek dhe kifle me mollë. Të premteve edhe nga një pemë sezonale, tha ai. 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari