Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Rexhepi: 100 persona nën hetime
Selvije Bajrami Publikuar: 25.09.2014 - 09:43
Foto: Laura Hasani

Kosova nuk është vend qind për qind i sigurt nga rrymat ekstremiste, ndërkohë që nën hetime po vazhdojnë të jenë një numër i madh personash, thotë ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhep. Sipas tij, arrestimet e fundit, janë bërë si rezultat i një pune të përbashkët të institucioneve të rendit dhe ligjit dhe urdhrin për arrestime sipas tij e ka dhënë Prokuroria, e jo nga kryeministri Hashim Thaçi.

Ai thotë se personat që janë duke u hetuar dyshohen se kanë qenë në Siri apo janë të lidhur me grupe të ndryshme radikale, ndërsa e konfirmon se deri më tani është pezulluar veprimtaria e së paku 14 organizatave joqeveritare që janë të dyshuara për financim dhe mbështetje të grupeve terroriste. Veprimet e fundit, Rexhepi i pranon se janë të vonuara por thotë që institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kompetencë ekzekutive deri pas pavarësisë.

Zëri: Z. Rexhepi, intervenimet e fundit të policisë në qytete ndaj të dyshuarve për ekstremizëm fetar. A është ky një sukses apo një veprim i vonuar?

Rexhepi: Kjo është pak relative çfarëdo që të përgjigjem. Natyrisht që më mirë është që t’i preventojmë, do të thotë të reagojmë nga fillimi sesa të merremi me pasojat. Në këtë rast, në një mënyrë po merremi edhe me pasojat, por në të njëjtën kohë e kemi zgjeruar paksa frontin të merremi edhe me parandalim, pra në dy binarë jemi duke shkuar. Pse nuk kemi vepruar deri tash? Ne e dimë edhe kapacitetin e hetuesisë që ka qenë në ngritje në vazhdimësi, kapacitetet e gjyqësorit, një shtet i ri me përvojën jo të duhur dhe me shërbimin inteligjent e me të gjitha, dhe natyrisht që në faza të caktuara për grupe të caktuara kanë filluar hetime shumë më herët që të mblidhen të dhënë, analiza e të gjitha. Por për t’i argumentuar ato dhe të jenë valide nëpërmjet prokurorit para gjyqit, është dashur t’i konkretizojmë. Në një mënyrë mund të them se sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe fenomeneve të fundit, përveç me organizata të specializuara jashtë EULEX-it e atëherë edhe jashtë UNMIK-ut, nuk kemi pasur ndonjë ndihmë të madhe as nga UNMIK-u, as nga EULEX-i, pra këto janë bashkëpunimet edhe me shtetet e rajonit, edhe me SHBA, por edhe të Evropës në këtë drejtim. Ndoshta rastet e fundit makabre që kanë ndodhur dhe shkuarja e një numri të madh, vrasjet e tyre në Siri në fillim e mandej edhe në Irak, e kanë përshpejtuar që edhe ne të ndërmarrim veprime dhe ky fenomen të minimizohet dhe të parandalohet dhe realisht kanë paraqitur një rrezik potencial që ata kur të kthehen, të frymëzuar me këtë ideologji, eventualisht të bëjnë edhe ndonjë akt terrorist në Kosovë. Prandaj, kjo e ka përshpejtuar që ne të veprojmë më shpejt. Përndryshe si proces ka filluar më herët. Tash mund të them me krenari që drejtorinë kundër terrorizmit gati e kemi të kompletuar dhe janë goxha të mirë.

Zëri: Z. Rexhepi, ju keni qenë kryeministër më herët dhe thatë që në njëfarë mënyre, në atë kohë e keni paralajmëruar rrezikun që na kanoset. Pse nuk është vepruar në atë kohë?

Rexhepi: Është e vërtetë kjo dhe madje Mitrovica dhe Prizreni kanë qenë qytetet e para kur kanë filluar këto dyshime të lidhjes me grupe radikale islame, etj., apo fillimi i ideologjizimit të tyre ku edhe nëpër xhami i kanë mësuar imamët tjerë se si të bëhen ato reaqte, me arsyetimin se ju nuk dini se si, por duhet në këtë mënyrë. Unë atëherë i kam vërejtur këto dhe nuk e di a është në vitin 2002 apo 2003 dhe e kam iniciuar Ligjin për Lirinë e Feve dhe pata kërkuar nga grupi punues që të definohet me ligj se çfarë lloj islami kemi, por edhe për katolikë e ortodoksë, këta që i kemi tradicionale të sanksionohen me ligj dhe të ndalohet me ligj çfarëdo organizimi sektar apo ideologjizim. Në grupe punuese kanë qenë edhe ndërkombëtarët dhe kam pasur kritika, kemi pasur edhe nga Këshilli i Evropës. Bile një zyrtar goxha i lartë i Këshillit të Evropës, një ditë tek nuk më lejonin që ta procedoja ligjin në Parlament e si arsyetim më tha: me këtë projektligj ju i dënoni të drejtat njerëzore dhe religjioze të njerëzve, dhe kemi pasur një debat.

Zëri: A keni të dhëna se sa është numri i shqiptarëve të vrarë në Siri e Irak dhe sa shtetas të Kosovës gjenden atje?

Rexhepi: Për sa është numri i saktë ne nuk mund ta dimë për arsye se këta lëvizin dhe ne nuk kemi qasje direkte se sa janë në Siri, sa në Irak, si kanë shkuar. Është pak e pamundur për shkak se shumica shkojnë përmes Turqisë dhe shumica nga ta deklarojnë se po shkojnë për biznes dhe mandej vazhdojnë atje. Për numrin e të vrarëve nga deklaratat e familjarëve, përafërsisht dihet numri, saktë nuk e kam këtu për shkak se duhet të marrim informatën në polici. Sa është numri aktual ka pasur spekulime. Në bazë të disa të dhënave që i kemi pasur, kanë qenë 80-100 persona. Disa të dhëna nga FBI thonë që janë rreth 150. Unë i besoj këtyre të fundit për shkak se i kanë resurset dhe informatat. Por ky numër lëviz, më pak apo më shumë. Disa janë vrarë, disa janë kthyer, disa shkojnë, por përafërsisht rreth 150 sillet.

Zëri: A është Kosova vend i rrezikuar nga këto rryma, apo e keni situatën nën kontroll?

Rexhepi: Realisht askush nuk mund të thotë qind për qind jemi të sigurt nga ky fenomen i terrorizmit, apo i paprekshëm, apo imun ndaj këtij fenomeni. Por realisht me kapacitetet që i kemi ngritur në Kosovë si një vend i vogël dhe me një bashkëpunim të ngushtë që e kemi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet evropiane e vendet në rajon e sidomos kohëve të fundit edhe me Turqinë, ne tashmë e kemi një oficer të ndërlidhjes i cili është në Turqi, në Ankara, i cili ka shkuar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit. Ai është një njohës i mirë dhe shkëmbimi i informatave është shumë më i mirë. Ne kemi kapacitete që të parandalojmë çfarëdo aktiviteti terrorist këtu, kështu që qytetarët në këtë drejtim mund të jenë të qetë, mirëpo nuk mund ta neglizhojmë këtë proces. Ne jemi shumë të përkushtuar si institucione që ta çrrënjosim këtë mundësi, qoftë të akteve terroriste, qoftë që Kosova të jetë vend i rekrutimit të të rinjve që shkojnë për aktivitete terroriste.

Zëri: Disa nga të kthyerit nga Siria janë arrestuar, por jo të gjithë, sa rritet rreziku nga të kthyerit, ndërkohë?

Rexhepi: Kjo është një temë e gjerë. Por, sipas mendimit tim, një pjesë e tyre kur kthehen i bien pishman ose diçka dhe e shohin se nuk kanë shkuar për atë që kanë menduar dhe zhgënjehen. Ka të atillë që janë trajnuar dhe përveç që ua kanë shpërlarë trurin, duke parë krime makabre, ajo iu kalon në sferën psikike dhe iu bëhet si art dhe ata janë të rrezikshëm. Mirëpo, çdo njëri që ka qenë është në një lloj kontrollimi dhe monitorimi. Këta që janë arrestuar 40, dhe më pas edhe dy të tjerë, nuk janë të vetmit. Lista e të dyshuarve është më e madhe, rreth 100 apo edhe më shumë. Mendoj se ky proces nuk ka përfunduar, por të dyshuarit janë në faza të ndryshme të hetimit.

Zëri: A i ka shtuar kontrollet kufitare Policia e Kosovës. Kemi rastin kur një prind ka marr fëmijën pa lejen e së ëmës?

Rexhepi: Policia i ka shtuar kontrollet kufitare. Tashmë kemi edhe rastet kur ndoshta edhe janë të divorcuar edhe ai ka certifikatën e të gjitha dokumentet dhe iu bëhen probleme në kufi, duke dyshuar se mos po keqpërdoren fëmija e po dërgohen në Siri e Irak. Kemi raste, na u janë ankuar neve. Pra i kemi shtrënguar masat, mirëpo shumica e tyre kanë shkuar nëpërmjet linjës Prishtinë – Stamboll, që për arsye të ndryshme vizita apo biznes, por në raste të caktuara kur nuk e kanë autorizimin kanë mundur të kalojnë deri në Shqipëri ose Mal të Zi që në faza të caktuara as nuk kontrollohen, ka mjaftuar njëri prind. Masat janë, kontrolli bëhet, por kurrë nuk mund të garantohet që ndonjë rast nuk mund të përvidhet, dhe kjo jo vetëm në Kosovë. Por mund të them që masat janë shumë më të shtuara dhe shumë më rigoroze.

Zëri: Arrestime e fundit kanë ngjarë duke u bazuar në Kodin Penal të Kosovës, përkatësisht në kapitullin që flitet për veprat penale që janë kundër rendit kushtetues të Kosovës. Ndërkohë, Ligji kundër pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra jashtë vendit, nuk ka kaluar. Sa po e pengon Kosovën mungesa e këtij ligji?

Rexhepi: Jemi pak të hendikepuar edhe pse Kodin Penal, unë nuk jam jurist dhe nuk kam të drejtën ta interpretoj. Por ashtu siç më kanë shpjeguar mua ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore edhe në Kodin Penal që nëse dikush bashkohet në organizata terroriste, që për fat të keq ne ende nuk e kemi një listë të organizatave terroriste, gjatë kthimit në Kosovë kanë të drejtë të arrestohen. Kjo mundësi është shfrytëzuar, mirëpo ne interpretimin e bëjmë të tillë që jo vetëm njerëzit që kanë luftuar, por edhe njerëzit që kanë bërë rekrutim, megjithatë janë bashkëpunëtorë të këtyre organizatave terroriste. Dhe në këtë drejtim janë bërë këto arrestime ngase është rrezikuar rendi kushtetues. Por qëllimi i këtij projektligji ka qenë që të parandalohen të gjitha ato organizata, gjitha thirrjet për xhihad ekstrem, ta quaj, apo për veprime terroriste, financimi, transportimi, rekrutimi, të gjitha këto sanksionohen me këtë projektligj, që për fat të keq nuk kaloi në leximin e dytë, nuk pati kohë dhe pak a shumë i ka ngushtuar hapësirën e veprimit të hetuesve dhe të prokurorëve. Sikur ta kishim pasur edhe këtë ligj në funksion, ka mundur të zgjerohet edhe sfera e hetimeve edhe e arrestimeve shumë më shumë. Pra, synimi në të ardhmen është që të mos merremi vetëm me pasojat, por ta parandalojmë dhe ky ligj e mundëson një gjë të tillë.

Zëri: Lëvizja “Vetëvendosje” ka qenë kundërshtuesja e këtij ligji, me çfarë arsyetimi nuk është mbështetur ky ligj, pse ndodhi kjo?

Rexhepi: Çfarëdo që flas për Lëvizjen “Vetëvendosje”, ata e mendojnë për qëllime politike. Por, unë nuk po flas për qëllime politike, por siç e mendoj unë dhe në bazë të deklarimeve të tyre. Unë nuk e di a kanë ndonjë afërsi me organizatat e caktuara për poena politikë që të kenë më shumë elektorat, pra kjo është ajo pjesa politike. Por arsyetimet pse kanë dashur ta ndryshojë projektligji, ata që kanë qenë në Komisionin për siguri dhe mbikëqyrje të MPB-së e FSK-së, kanë deklaruar që është ligj i përgjithësuar, që nuk është ligj vetëm për Sirinë, se në atë kohë ka pasur luftime vetëm në Siri dhe jo edhe në Irak, dhe kjo e parandalon që nesër nëse ndodh një konflikt në Luginë të Preshevës ose Shqipëri i parandalon të shkojnë. Dhe arsyetimi është që nuk mund të bësh një ligj specifik vetëm për një shtet, se ishte në Siri, tash është në Irak dhe mund të shpërndahet edhe diku dhe ligji duhet të ketë jetëgjatësi më të madhe e jo të bëhet ad-hoc për një shtet të posaçëm. Dhe jam munduar t’ua shpjegoj që hipotetikisht nëse ndodh ndonjë agresion ndaj Shqipërisë, institucionet shtetërore këtë ligj e aprovojnë menjëherë dhe ka mënyra për të vepruar.

Zëri: Përmende që Departamenti Antiterrorizëm është i kompletuar, por megjithatë personat e arrestuar, a janë arrestuar si rezultat i punës së policisë, apo më shumë si rezultat i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës? Kush i ka meritat për këto arrestime?

Rexhepi: Meritat janë të përbashkëta në rend të parë të Drejtorisë Kundër terrorizmit, AKI-së, por edhe gatishmërisë së prokurorisë e gjyqësorit që të merren me këtë problem shumë seriozisht dhe këtu është roli i pamohueshëm edhe i presidentes, edhe i kryeministrit, që kanë pasur disa takime për t’i koordinuar këto agjenci të zbatimit të ligjit. Natyrisht që edhe në kuadër të Departamentit të Hetimeve e kemi njësinë e inteligjencës së Policisë që shpeshherë në opinion e kanë përzier dhe kanë thënë qysh të ketë inteligjencë Policia, sidomos Lëvizja “Vetëvendosje” na bënte këto kritika, por shkëmbimi i informatave ndodh pavarësisht se në opinion ka ndodhur të fitohet përshtypja se Policia dhe AKI-ja nuk i kanë raportet e mira. Këto mund të kenë diçka personale, por në aspektin institucional kanë bashkëpunuar dhe neve na furnizojnë me informata dhe ne e kemi inteligjencën tonë dhe e bëjmë verifikimin. Por është një punë e përbashkët e të gjithëve, por them që mënyrën se si Policia e ka koordinuar operacionin, janë një model për rajonin në luftën kundër terrorizmit. Dhe thjesht, lëvdatat nuk janë të rastësishme nga Departamenti i Shtetit e të gjitha shtetet evropiane ku profesionalizmi i tyre e ka ngritur njëfarë mënyre reputacionin e institucioneve tona të zbatimit të ligjit.

Zëri: Kush dha urdhrat për këto aksione?

Rexhepi: Këto i jep prokurori i Prokurorisë Speciale. Natyrisht që ne bëjmë konsultime nëse themi në aspektin politik, ne bëjmë konsultime edhe pse në operativë e hetime unë nuk përzihem asnjëherë. Por unë kam kontakte edhe ditore me drejtorin e Policisë dhe kur janë të një natyre që mundemi edhe politikisht të ndikojmë, normalisht që bëjmë koordinime. Dhe gatishmëria ime ka qenë gjithnjë, veç a jeni të gatshëm se sa më shpejt aq më mirë. Por, realisht, pas informatave që i çojnë hetuesia jonë, në këtë rast Drejtoria Kundër Terrorizmit, bazuar edhe në informatat e AKI-së, ia prezantojnë prokurorit, Prokuroria Speciale e jep urdhrin dhe këta e zbatojnë. 

 

 


Komento
Komente (4)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
O Bajram Rexhepi ti zbulo drogen se u vjedh ne polici boll eki ajo osht me e keqja ne stacijon policor ne te ndodh kjo e mos fol ma gjat se nje fukara te shkret mund ta arestoni kur doni po ti arresto vetveten masepare tani koleget e tu renqoju flet arrest se nuk jini duke punu si duhet
Mitrovicalija
rekomanduar (6)
26 Sep 2014
08:03
 
Kur te ik treni tani ti vepron O Rexh
tini
rekomanduar (7)
25 Sep 2014
20:37
 
Do te pajtohet ky popull sic thua ti zotri Rexhepi nese fillojn te hetohen edhe vrasesit e Xhemajl Mustafes, Drinit, Tahir Zemes....e plote figurave to LDK-se qe u vrane politikisht. Cka thua ti a me ja len kete pune prokurorise, a? Po ciles prokurori qe udhehiqet nga PDK. A kryen pune kjo.
Dritani
rekomanduar (15)
25 Sep 2014
16:30
 
ME INTRIGA E SHKATRROVE KOSOVEN PO TE KONVENON KARRIKA POR MENDHO PER GADAFIN
Fatmiri
rekomanduar (13)
25 Sep 2014
14:38
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51