Opinione

Ballina / Opinione / Editoriale
Shqiptari i keq dhe serbi i mirë
Blerina Rogova - Gaxha Publikuar: 25.09.2014 - 12:58

Çdo serb që vjen në Kosovë, në këto 15 vjet, fjalitë e para që i dalin janë ato në mënyrën habitore: Hej unë jam serb, dhe jam në Kosovë! Askush s’po më vret! Asnjë artist serb që ka shkelur këtu në këto vjet, nuk është përcjellë me polici. Asnjë artist serb nuk është ngacmuar, nuk është sharë e më shumë, është pritur siç shqiptarët e kanë mikpritjen në damarë. Sepse shqiptarët janë hasmi i vetvetes e atdheun e tyre s’mund ta dojë tjetri më shumë. Sepse janë të vuajturit që me zor e duan atdheun, e mezi arrijnë ta duan edhe veten, por për tjetrin japin shpirtin e zemrën.

Patën shkruar serbët vetë për veten se “janë gënjeshtarë tradicionalë e ustallarë të zanatit”. Për shqiptarët mbase, akoma nuk e dimë! As për popujt tjetër të këtij konteksti gjeografik s’e dimë me siguri se sa “rrejnë”! Por, sigurisht se gjeografia luan lojën e vet.

Beogradi ia shtriu dorën Kosovës? Kjo nuk është as e rreme, as e vërtetë. Është veç një titull që flet për diçka në lidhje me artin, prapaskena e të cilit ka plot intriga.

Nëse dikush nga Serbia e fton Kosovën në një “pajtim gjaqesh” artistike, pse aty duhet të jetë edhe policia, e për më shumë cili është morali i mbrojtësve të shtetit që merr të drejtën të fyejë  artistët që skena e artit beogradas i ftoi të flasin sy më sy në të njëjtën tryezë. Nëse ky “pajtim artistik gjaqesh” synonte vërtet pajtimin, pse organizatorët, shqiptarë e serbë, nuk deshën që gazetarët të raportojnë edhe për protestën që i priu festivalit? Pse edhe Natasha Kandiq, ajo që aq fort mbron të drejtat e njeriut, nuk donte kurrsesi të kuptohej për protestën, edhe në paq qenë ajo me vetëm dhjetë veta. Një maskë teatri për hir të teatrit që u luajt atje?

Mungesa e kulturës së dialogut në Kosovë dhe Serbi, dhe mungesa e dialogut në kulturë, ka krijuar perceptimin e “tjetrit” si armik. Por, nëse armiqtë dikur, më vonë, duhet patjetër të bëhen miq, a mund ta bëjnë këtë me maskë? Ku rri realisht rindërtimi i së ardhmes? “Kosmeti” i tyre e Kosova jonë, është e butë dhe e urtë. Serbia zyrtare, ndërkaq, llomotit si papagall se serbët ndihen të kërcënuar në “Kosmet”, por sa të kërcënuar janë realisht ata?

“Grobarët do të jenë të pranishëm gjithashtu, mos kini merak…Do t’i varrosim midis stadiumit”, kështu komentojnë në portalet e mediave serbe për lojën e Shqipërisë me Serbinë. Urë e “imponuar” komunikimi, e edhe kur shqiptarët e Kosovës janë krejtësisht jashtë “lojës” vjellin vrer. Po vrer vjellë e gjithë makineria institucionale, makineria politike, makineria akademike e makineria e artit zyrtar. Izolimi dhe autarkia e kulturës nacionale serbe e ka bërë të veten.

Kur arti e kultura shqipe udhëton në Serbi, e nënvizojnë me vija të kuqe si “ngjarje e rrezikshmërisë së lartë”. Ngjarje e rrezikshmërisë super të lartë qe llogaritur edhe ekspozita e artit në Beograd që paraqiste tragjedinë e vetëm njërës nga qindra familje që ishin viktimë e krimeve serbe. Protesta e reagimet qenë të mëdha, por ajo që Serbia zyrtare “përshëndeti” qe se kjo ekspozitë çonte një hap përpara marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, e mbi të gjitha një hap para Bashkimit Evropian. Dikush nga këndej madje tha se kjo ishte në një mënyrë një apologji e Serbisë për krimet e bëra në tokën e “Kosmetit” të tyre e Kosovën tonë.

Por, sa mjafton kjo për të drejtat e njeriut që u shkelën sikur të ishin kafshë. “Kafshët nuk e duan atdheun”, thotë një poet. Disa të tjerë thonë se të flasësh për komunikimet në kulturë, në shoqëritë postjugosllave, do të thotë t’i bësh një “bypass” të gjithë makinerisë institucionale, akademive, universiteteve e instituteve, që për dy dekada të historisë së re kanë etabluar artin e izoluar dhe “qenien” e saj nacionale. Ato, kanë në vete edhe paradoksin e situimit alternativ kulturor-politik. Një fillim të ri në komunikimin kulturor larg nga dhuna e diskriminimi, do të ishte një projekt-sulm ndaj ksenofobisë e autizmit të ideologjisë nacionaliste që qëndron në prapavijën e modelit kulturor dominues në shumicën e shoqërive të këtij territori. Dialogu që mes kujtesës e harresës provon të nënshkruajë një gjuhë të përbashkët, me hapat që mezi i qet, është plot pezëm e nervozë, sado njerëzor që të jetë synimi i këtij bashkëbisedimi. Socio-kultura është e vrarë nga dialogu politik, nga ideologjia dhe e vrarë tmerrshëm nga apologjia pa maskë.


Komento
Komente (6)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me ne fund pas kapsit/ngerqit politik po shpresojme qe te kete nje shtrirje duarsg
Mani
rekomanduar (1)
26 Sep 2014
13:48
 
Të lumt moj Blerinë për këtë shkrim të bukur!
vjollca
rekomanduar (3)
26 Sep 2014
13:27
 
Liria absolute e personit nuk ka kuptim pa lirin nacionale, e kete duhet me e fitu na e te luftojm per te se ndryshe nuk kemi liri
n. Azemi
rekomanduar (3)
26 Sep 2014
11:45
 
Ska strategji per dialogun e vertet te kosoves e serbise porse ka loje te ndyer te serbis ne politiken nderkombrare te shtetit politikes serbe rolit te saj ne qarqet nderkombtare
Institucionalisti
rekomanduar (6)
25 Sep 2014
17:05
 
Serbia po e lun lojen e ngjashme si qdohwre (dinakerin)
Mena Dervishi
rekomanduar (5)
25 Sep 2014
16:58
 
Bravooo shume bukur shume sakt
Hysni
rekomanduar (4)
25 Sep 2014
16:00
 
Me shume nga Opinione