Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
"Meto Bajraktarit" iu vonuan dje kiflet, nxënësit mbetën pa ngrënë!
Lindita Canolli Publikuar: 25.09.2014 - 14:47

Nxënësit, nga klasa e parë deri në të pestën, të shkollës “Meto Bajraktari”, të mërkurën (dje), kanë mbetur pa kifle, iniciativë kjo e nisur nga fillimi i kësaj jave nga Komuna e Prishtinës. Nxënësit, sidomos ata të vegjlit, e kësaj shkolle duke shpresuar se sikurse dy ditë më parë do të ushqehen me kifle falas, dje nuk kishin marrë asgjë nga shtëpia dhe si pasojë e kësaj kanë mbetur pa ngrënë. Krejt kjo, sipas Drejtorisë së shkollës, ka ndodhur për shkak të një vonese nga kompania “Ada Group”, e cila bënë shpërndarjen e kifleve.

“Kanë ardhur me vonesë diku një orë e gjysmë. Dhe me t’u njoftuar nga një punëtor i shkollës se kanë ardhur kiflet unë iu kam drejtuar personit, i cili ka sjellë kiflet “Pse kaq vonë”, ai menjëherë ka dalë nga objekti. Atëherë, unë e kam thirrur personin përgjegjës të Kompanisë që shpërndan kiflet dhe më ka thënë se do të sjellë përsëri punëtorin, mirëpo kjo nuk është bërë, për shkak se pas disa minutash do të përfundonte mësimi”, ka thënë drejtoresha e shkollës fillore “Meto Bajraktari”, Valbona Kastrati. Mirëpo, ajo njoftoi se përveç dje që kiflet kanë ardhur me vonesë edhe në ditën e dytë kanë pasur telashe sa i përket ndarjes së tyre.

“Edhe pardje kifle nuk janë sjellë aq sa kemi pasur nxënës dhe si pasojë e kësaj jemi detyruar t’i ndajmë ato për gjysmë, në mënyrë që të hanë të gjithë”, shtoi Kastrati. Mirëpo ky problem, që sipas saj, në njëfarë mënyre është njerëzore dhe mund të ndodhë, për shkak se është proces fillestar, ky problem sot është evituar. Ndërkohë, një prinde e cila e ka fëmijën e saj në klasë të parë në këtë shkollë, ka thënë se djali i saj dje nuk marr asgjë për të ngrënë nga shtëpia sepse ka menduar se ato do t’ju ndahen sikurse ditë më parë në shkollë.

“Djali dje ka ardhur i nervozuar në shtëpi sepse nuk i kanë sjellë kifle në shkollë. Ai duke u përgatitur se do të hajë në shkollë ka mbetur pa ngrënë asgjë, sikurse edhe shokët e shoqet e tij”, tha kjo prinde. Ndërkohë, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar për “Zërin”, se është njoftuar për këtë rast dhe më nuk do të ndodh. “Nuk kemi pasur rast tjetër përveç këtij, mirëpo pas intervenimit, ky problem tashmë është evituar. Sot kilet, sikurse në çdo shkollë tjetër, janë dërguar me kohë”, shtoi Nagavci.

Përderisa drejtoresha e shkollës “Meto Bajraktari”, Valbona Kastrati, tha se është detyruar vetë shkolla që të blejë peceta dhe najlon për t’i mbështjellë kiflet, drejtoresha Nagavci dha këtë shpjegim: “Përgjegjësi e Komunës është që kiflet të shkojnë në shkollë, ndërkaq shkolla e ka përgjegjësi të sigurojë pastërti për ato. Tashmë, jemi duke biseduar që të mbahen mbledhje me prindër për t’i njoftuar që secili nxënës të pajiset me peceta”, tha ajo.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari