Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Blloku nuk e prish marrëveshjen
Lumturie Blakaj Publikuar: 26.09.2014 - 07:00
Foto: Laura Hasani

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të enjten ka hequr të gjitha dilemat për mundësinë e ridizajnimit të marrëveshjes së arritur me partinë e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, duke thënë se idetë e vartëseve të tij për ndryshim të marrëveshjes janë vetëm vlerësime personale, të cilat nuk i merr për bazë.

“Edhe njëherë e rikonfirmojmë se ne kemi një marrëveshje që e kemi arritur, e cila nuk do të ndryshojë çdo ditë në bazë të ideve që japin njerëzit, mirëpo nuk kundërshtojmë që njerëzit mund t’i japin idetë e tyre. Ne do të vazhdojmë me këtë marrëveshje dhe konsiderojmë se kjo është zgjidhja që e kemi gjetur në një partneritet me subjektet e tjera, sepse deri më tani nuk ka ndodhur aq shumë parti të gjejnë gjuhë të përbashkët. Kur gjejnë gjuhë të përbashkët ajo bëhet edhe në suaza të kompromiseve. Por, idetë për ndryshim të marrëveshjes janë çështje e vlerësimeve personale ”, ka thënë Mustafa.

Ky i fundit ndërkaq, ka rikujtuar se organet e partisë, të cilën e drejton, e kanë rikonfirmuar mbështetjen dhe është përcaktim i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së për marrëveshjen që ishte arritur. 

 Haziri: Nuk kishte zgjidhje tjetër, të gjitha opsionet janë diskutuar

Por, deputetë nga partia e Isa Mustafës së fundmi kanë dalë me sugjerime të ndryshime rreth ridizajnimit të marrëveshjes LDK, AAK, Nisma. I pari që doli me një ide të tillë, ishte deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se në rrethanat aktuale është e nevojshme që të ndryshohet marrëveshja në mes partnerëve të Bllokut dhe në këtë drejtim ai ka propozuar që  posti i kryeministrit t’i takojë shefit të tij të partisë, Isa Mustafës, ndërkaq pozita e kryekuvendarit t’i jepet PDK-së, përderisa ka sugjeruar që Ramush Haradainaj dhe Albin Kurti t’i marrin postet e zëvendëskryeministrave.

Por, kjo deklaratë e Gashit ka ngjallur reagime tek bashkëpartiakët e tij, por edhe në disa raste ka gjetur edhe mbështetjen.
Deputetja e LDK-së, Alma Lama, teksa ka dalë në mbrojtje të kolegut të saj, Arben Gashi, ka dalë edhe me një propozim, duke thënë se do të ishte mirë që pozita e kryeministrit t’i takojë LDK-së për dy vjetët e para e për dy vjetët e tjera t’i jepet AAK-së.

“Në këto rrethana të ndryshuara, kur LDK-ja, si partia më e madhe me 30 deputetë, mbetet pa postet që i takojnë marrëveshjes LDK, AAK, Nisma duhet ridizajnuar. Unë po pres, që vetë zoti Haradinaj, si njeri racional që është, të ndërmarrë vetiniciativën e ridizajnimit të marrëveshjes. E arsyeshme në këto kushte do të ishte që pozita e kryeministrit duhet të ndahet në dy kohë, dy vjetët e para për LDK-në dhe dy vjetët e tjera për AAK-në. Kjo bëhet e mundur në rast se koalicioni po lufton për shtet, e jo për pozita personale”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkaq, Lufti Haziri, i LDK-së, ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte që Isa Mustafa të jetë kryeministër, pasi që siç ka deklaruar ai për gazetën “Zëri” ky është një disponim i qytetarëve dhe i vetë LDK-së, por sipas tij, gjendja e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit ka diktuar rrethanë tjetër dhe LDK-ja ka hyrë në marrëveshje me partnerët e tjerë.

Ai tha se LDK-ja do t’i përmbahet marrëveshjes që ka arritur me partnerët e tjerë dhe në këtë drejtim ka theksuar ai, LDK-ja është e unifikuar dhe konsistente. Haziri ka bërë të qartë se para se të arrihet marrëveshja me partinë e Haradinajt dhe Limajt janë diskutuar të gjitha opsionet, përfshirë këtu që edhe Isa Mustafa të nominohet për postin e kryeministrit, por ai tha se “s’ka pasur rrugë tjetër përveç marrëveshjes që është arritur që Isa Mustafa të jetë kryetar Kuvendi”.

Por, edhe zyrtarë nga partitë e tjera, që janë pjesë e Bllokut politik VLAN kanë thënë se nuk do të ketë ridizajnim të marrëveshjes. Avni Arifi, i AAK-së, i cili është këshilltarë i Ramsuh Haradinajt, ka përjashtuar mundësinë për ndryshim të marrëveshjes. “Nuk komentojmë idetë e njerëzve, por e kemi marrëveshjen dhe në këtë drejtim ka gatishmëri nga partnerët e koalicionit që të respektojmë marrëveshjen”, ka thënë ai.

Blloku do t’i përgjigjet ftesës eventuale të presidentes 

Në anën tjetër, katër liderët politikë të Bllokut të enjten kanë zhvilluar një takim edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joserbe në Kosovë.

Isa Mustafa, i LDK-së, tha se në këtë takim është kërkuar që ata të jenë pjesë e përbashkët e orientimit të partive që përbëjnë shumicën. Kreu i LDK-së, i cili është i nominuari i përbashkët i Bllokut për kryetar Kuvendi, tha se në rast se do të ftohet nga presidentja e vendit për takim, atëherë sigurisht se do të respektojë ftesën e saj. “Nuk e di formatin se çfarë do të jetë takimi, por nëse na fton, ne prapë do të shkojmë. Mirëpo, unë pres se do të jenë takime të veçanta  të liderëve”, ka thënë ai.

Kur është pyetur se a do të pranojnë që të ulën të gjithë liderët politikë në një tavolinë për të gjetur zgjidhje, përfshirë këtu edhe PDK-në, ai tha se “Ne nuk e kemi formatin, por ne do të shohim”. Ndërkaq, Ramush Haradinaj ka bërë të qartë se deri më tani asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk është njoftuar zyrtarisht për mbajtjen e seancës më 2 tetor. Sipas tij, ky është një abuzim që po e bënë kryesuesja e seancës, Flora Brovina, dhe PDK-ja për të blerë kohë.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51