Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
Sejdiu: Prishtina qytet normal!
Lindita Canolli Publikuar: 26.09.2014 - 07:20
Foto: Driton Bublaku

Pas nëntë muajsh qeverisja komunale e LVV-së në Prishtinë shprehet optimiste si në fillim të mandatit, se Prishtinën do ta bëjë qytet normal. Kështu thotë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, në një bisedë me “Zërin” me bindje se vetëm për nëntë muaj kanë kryer “punë të mëdha”. Kanë ndalur “mafinë e ndërtimit”, kanë zhbllokuar disa projekte, që për një kohë të gjatë janë lënë në gjysmë e tash janë drejt finalizimit, etj . 

Akuzave se mandatin e patën nisur me vrull rrënimesh e tash kanë rënë në heshtje, ai thotë se rrënimet, megjithatë, po vazhdojnë, por nuk po bëhen publike për medie. “Misioni ynë nuk është të bëjmë çudira, por që ta bëjmë Prishtinën qytet normal. Prishtinën normale do ta bëjmë, madje mund të them se edhe e kemi bërë”, tha nënkryetari Sejdiu. Për ta vërtetuar këtë ai jep disa shembuj:

“U patëm zotuar se do ta ndalim ndërtimin pa leje dhe degradimin urban që po i bëhet Prishtinës dhe këtë mund t’ju them
se e kemi bërë, se shumë patën menduar se nuk mund ta bëjmë”, ka theksuar ai. Duke folur për projektet që janë kryer ai me krenari thotë se qeverisja e re për nëntë muaj Prishtinës ia ka kthyer ndjenjën e një qyteti normal.

Sipas tij është punuar në rregullin urban, në projekte infrastrukturore që ishin të bllokuara kohë të gjatë, të cilat janë zhbllokuar, në mënyrën e punësimit apo rekrutimit etj. Ndërkohë, ai përmendi edhe kapërcimet shumë të mëdha në Drejtorinë e Administratës, ku siç tha ai, qytetari më nuk sillet nëpër sportele, por në një vend kryen aplikimin, pagesën dhe merr dokumentin.

Përmes kontrolleve sistematike të nxënësve që janë bërë muaj më parë, ai thotë se po dihet, prej një intervenimi si pasojë te intervenimit në shkaktarë. “Po e kuptojmë prej çka lëngojnë fëmijët tanë dhe rrjedhimisht mundohemi t’i parandalojmë me politika preventive”, tha ai, duke njoftuar se tashmë është shpallur tenderi për vendosjen e ormanëve nëpër shkolla, për klasat e ulëta.

Sa i përket trafikut urban ai thotë se tashmë është kryer analiza teknike dhe ambientale për llojin e autobusëve që përshtaten në infrastrukturën rrugore në kryeqytet. Sipas tij në Prishtinë, sipas këtyre analizave rreth 160 autobusë prej të cilëve Komuna pretendon që 60 të jenë në pronësi dhe në menaxhim të ndërmarrjes komunale “Trafikut Urban”, ndërsa të tjerët të koncesionuar ose të jepet me qira. Sipas tij, në fund të javës që vjen do të përfundojë ridizajnimi i linjave dhe orareve dhe kjo do t’i ndihmojë Komunës të dijë se sa autobusë nevojiten për sektorin privat, pasi që për atë  publik dihen.

“Në nëntor të këtij viti, kur të formohet qeveria, Ministria e Financave pritet të japë leje për kredi me BERZH-in, me të cilën
tashmë janë dakorduar. Autobusët, gjegjësisht projekti për rikonstruimin e “Trafikut Urban”, do të kushtojë deri në 11 milionë euro, ndërkaq si projekt do të zgjas deri në dy vjet e gjysmë. Sipas tij deri në fund të 2016-s do të përfundojë projekti i biletave të integruara.

“Sot një vit në Prishtinë ka me pas sistem të integruar të biletimit, ndërsa flota fillon rimëkëmbjen në fund të këtij viti, eventualisht në muajt e parë të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Përderisa qeverisja komunale ka trashëguar një buxhet prej 62 milionë euro, i pyetur se sa nga ai buxhet janë shpenzuar
deri tash, ai nuk mund ta thotë, por kjo, sipas tij, mund të dihet më 6 apo 7 tetor, kur edhe e marrin raportin financiar për 9-mujorin.

Përfundimin e dy projekteve të zvarritura nga ish-qeverisja komunale, si ai i rrethrrotullimit në lagjen “Veternik” si dhe projekti i rrugës në lagjen “Arbëria” i vlerëson si suksese të kësaj qeverisje. “Askush nuk ka guxuar të largojë “Kosova
Petrolin”, për dy vjet e gjysmë. Ne kemi pasur vullnet, jemi ulur e kemi biseduar dhe është larguar. Po ashtu, shpronësimi i pronës të Hekurudhës në lagjen “Arbëria”, për tri vjet ka zvarritur projektin që u zhbllokua dhe do të sivjet do të përfundojë.
Edhe tek rruga “Enver Maloku” ku kishte ngecje është duke u punuar me intensitet të lartë, thotë ai.

Nënkryetari Sejdiu thotë se për parkingjet është bërë më së shumti. Madje, shton ai, janë identifikuar të gjitha pikat në Prishtinë, të cilat do të konvertohen në parkingje, e që deri tash janë përdorë shkel e shko dhe nga ato Komuna nuk ka gjeneruar të hyra. Janë identifikuar diku 5794 parkingje, përmes së cilave Komuna planifikon të gjenerojë shumë të hyra. Madje me të hyrat nga këto parkingje, me themelimin e ndërmarrjes komunale “Prishtina Parking”, që pritet të marrë dritën e gjelbër ë mbledhjen e së hënës synohet që të investohet në ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, të cilat do të jenë
në pronësi komunale.

Komuna, thotë ai, e ka llogaritur koston edhe të pagesës me sms për parking, praktikë kjo e shumë vende të rajonit. “Tashmë kemi mbërritur në pikën ku jemi dakorduar me të gjithë operatorët dhe të gjithë janë pajtuar. I kemi koordinuar tre numra telefonik për sms që do përdoren prej qytetarëve për parkim”, tha ai.

Ai thotë se qëllimi i Komunës është që kjo të fillojnë në fund të tetorit. E brenda javës, tha ai, pritet të nisë sinjalizimi horizontal dhe vertikal, vendosja e shenjave, vizatimi i rrugëve, ndarja e parkingjeve dhe sivjet pritet të fillohet me ekzekutimin e pagesave.

Lidhur me pakënaqësinë e ndërtimtarëve se kanë mbetur pa punë dhe se janë ndaluar ndërtimet, ai këtë e quajti sfide reale.
“Po mundohemi me aq sa kemi kapacitete t’i rrimë karshi kërkesave për leje ndërtimi, të cilat e kanë kompletuar dokumentacionin dhe janë në përputhje me vijat e planeve rregulluese. Janë dhënë mbi 30 leje dhe në krahasim me vitin e kaluar nuk janë dhënë më pak leje” thotë nënkryetari Sejdiu.


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Te nderuar, mbrem lexova dhe nje lajm shume te mire. Se veq ka fillu qyteti ti kthehet normales. 1. shlirimi i trotuareve 2. trajtimi i lagjes Dragodan- rreshqitja e dheut do te trajtohet nga nje ekip e gjeologeve nga Kroacia. 3. zhbllokimi tek Rrethi rruga per Shkup. 4. Trajtimi i problemit te ujit. 5. Bllokimi i ndertimeve pa leje. 6. Vjelja e borxheve te vjetra ne Komune- nga kompanite me borxhe. 7. Vjelja e tatimeve ne Prone, degjova se ishin afer 35 milion borxhe. .... 8. Mbrojtja e femijve nga karburantet kanceroxhene neper shkolla. 9. Shujta per femijet ne shkolle, dollapet dhe eliminin e qantave te renda- (mbrojtja e shendetit- boshti i kurrizit te femijve). A nuk jane keto suksese te udheheqjes se re. Ata flasin kunder ketyre suksese, ata jane njerez xheloz qe nuk e duan progresin, por duan njerze me duar ne xhepa, dhe te kalojne rruges me xhipa qe kane perde te zeza. Gjersa keta djem hecin ne kembe, dhe shkel ne toke, qe ti zgjedhin hallet e njerezve. Hamb..
Mergime
rekomanduar (5)
26 Sep 2014
23:25
 
Po qka bonet bre, se di qysh po mundeni me u lavdu, i keni vazhdu projektet te cilat kan fillu ne kohen e qeverisjes Mustafa. Asnje projekt i ri nga ju nuk eshte bere deri tash. Ato qysh kan fillu edhe kan pas me u mbarru keshtu qe leni ato pallavra se nuk ka kurgjo qe mundeni me u lavdru.
ARTAN
rekomanduar (4)
26 Sep 2014
09:00
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51