Kronika e zezë

Ballina / Kronika e zezë / Kronika e zezë
Sakaton 7-vjeçarin, shpallet i pafajshëm
Albatrit Matoshi Publikuar: 26.09.2014 - 09:34

Me datë 05.08.2010, Blend Syla atë kohë vetëm 7 vjeç, ishte shkelur nga një veturë e tipit “Opel Kadet” e drejtuar nga A.B., në fshatin Koretin, duke e lënë më lëndime të rënda trupore, përkatësisht, 11 thyerje në trup.

Vetura që i kishte kaluar sipër Blendit, e kishte lënë me lëndime shumë të rënda duke i shkaktuar: ndrydhje të kokës, plagë çarëse në regjionin e kokës dhe të fytyrës, thyerje të kockave, të krahëve dhe thyerje të kockës së urzes së anës së majtë. Me këtë rast është dashur intervenimi i shpejtë i mjekëve për shpëtimin e jetës së Blendit.

Pas 30 orëve endje nëpër spitalet e Kamenicës, të Gjilanit dhe të Prishtinës, Blendit, i cili kishte edhe nënshtetësi suedeze, i është dërguar aeroplani urgjent nga Suedia për të vazhduar trajtimin e tij atje, pasi që jeta e tij ishte në rrezik. Falë intervenimit profesional të mjekësisë suedeze, Blendi arrin që të kapërcejë më të keqen, megjithëse për disa muaj me radhë ka mbetur i shtrirë në spital.

Tash 4 vjet pas rastit Gjykata Themelore në Gjilan, Dega në Kamenicë, e ka shpallur të pafajshëm vozitësin A.B. mbi arsyetimin se “Goditja e këmbësorit nuk ka ndodhur në vendin e dedikuar për këmbësorë dhe se i akuzuari në rastin e goditjes kishte vepruar konform shenjave të trafikut dhe rregullave të trafikut”.

Ndërkohë, që në atë periudhë në atë zonë nuk ka pasur fare vendosje të sinjalizimeve për këmbësorë. Blendi sot si pasojë e goditjes vuan nga epilepsia dhe vështirësi në të ecur, ndërsa familjarët e tij e kanë apeluar çështjen edhe në Gjykatën e Apelit.

Familja e shokuar kërkon drejtësi

Vendimi për të liruar nga të gjitha akuzat shoferin e veturës “Opel Kadet”, i cili para katër vjetëve i kaloi sipër me veturë djalit të tyre, duke i shkaktuar lëndime shumë të rënda i ka tronditur familjarët e Blendit.

Ata kundërshtojnë të gjeturat e ekspertizës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore e quajnë absurd dhe jo të drejtë.

“Është vendim absurd dhe jo i drejtë”, ka thënë xhaxhai i Blendit, Ademi, i cili njëkohësisht është edhe babai i dëshmitarit, Granit Syla, që në momentin e aksidentit ishte me Blendin.

Ai tregon për “Zërin” se në momentin kur Blendi me djalin e tij kanë dashur të kalojnë rrugën vetura “Opel Kadet” ka qenë 70-80 metra larg.

Ndërsa, kur Blendi ka rrëshqitur në rrugë, vetura i ka kaluar sipër, dhe vetëm pas disa metrave ka frenuar për të parë se çfarë ka ndodhur. “Shoferi nuk e ka pasur idenë që e ka shkelur një fëmijë. Këtu tregohet më së miri sesa pak i vëmendshëm ka qenë ai.

Vendi i aksidentit ka vetëm 100 metra larg shkollës, ndërsa ai nuk i është përshtatur aspak rregullave të komunikacionit”, rrëfen Ademi.

Ai kundërshton vendimin e Gjykatës në bazë të dy fakteve. “Gjykata thotë se këmbësori nuk ka kaluar rrugën në shenjat e rezervuara për këmbësorë. Mirëpo, në atë pjesë nuk ka pasur fare sinjalizime të tilla. Po ashtu Gjykata dhe ekspertiza e lënë djalin 7 vjeç fajtor, pasi që nuk ka qenë i shoqëruar me një person madhor.Mirëpo, unë mund të ju them se me ligj parashihet që fëmijët mund të kalojnë rrugën me persona mbi moshën 10 vjeçe. Ndërsa, djali Graniti im që ka qenë me të atë kohë i ka pasur 16 vjet”, shton më tutje Ademi.

Duke mos u pajtuar me vendimin e Gjykatës Themelore, Dega ne Kamenicë dhe duke e quajtur atë të padrejtë, Adem Syla ka thënë se tani do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim të rastit.

Kësaj radhe ai shpreson që Gjykata do të marrë parasysh të gjitha dëshmitë e ofruara për të marrë një vendim të drejtë për familjen e tyre dhe vetë Blendin, i cili edhe sot pas katër vjetëve përveç traumave të shkaktuara nga aksidenti ka mbetur edhe me pasoja fizike.

“Me shpresën që Gjykata e Apelit kësaj radhe do të marrë vendim të drejtë ne e kemi dërguar çështjen atje, pasi që vendimi i parë ka qenë absurd. Ne duam të besojmë në drejtësinë dhe tani të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka përfunduar Adem Syla.

Ekspertiza dhe vendimi i Gjykatës

Në vitin kur ka ndodhur aksidenti, pjesa e rrugës nuk ka qenë e sinjalizuar me sinjalizimin përkatës horizontal. Kjo do të thotë se në atë zonë, nuk ka pasur vendkalim të shënuar të këmbësorëve dhe si rrjedhojë qytetarët kanë pasur të drejtë të kalojnë në secilin vend.

Ndërkohë, që rastit i janë bërë dy ekspertiza dhe të dyja në thelb janë pak a shumë të njëjta të cilat e “shpallin fajtorë këmbësorin”, ekspertiza e parë thotë se vetura i ka kaluar sipër këmbësorit, ashtu siç e ka pranuar edhe shoferi i automjetit. Ndërsa super-ekspertiza thotë se vetura e ka hedhur lartë këmbësorin.

Gjithsesi, konstatimi përfundimtar mbetet i njëjtë. “Deri te aksidenti ka ardhur me lëshimin e bërë nga ana e këmbësorit, i cili tenton të kalojë rrugën pa kujdes të mjaftueshëm”.

Ndërkohë, që super-ekspertiza sipas dajës së Blendit, Muratit, është bërë vetëm duke u bazuar në raportin e Policisë pa dalë fare në vendin e ngjarjes dhe pa e rikonstruktuar rastin. Pikërisht mbi të gjeturat e ekspertizës dhe super-ekspertizës Gjykata Themelore në G, me të cilën është ngarkuar.

Edhe Gjykata në arsyetimin e saj thotë se goditja e këmbësorit nuk ka ndodhur në vendin e dedikuar për këmbësorë dhe se shoferi i ishte përshtatur kushteve dhe shenjave të komunikacionit.

“Meqenëse nuk është vërtetuar se deri te rrezikimi i trafikut publik dhe shkaktimin e pasojës së dëmshme ka ardhur me fajin e të akuzuarit, Gjykata e ka liruar të akuzuarin nga akuza në bazë të Nenit 364, pika 1 të KPRK-së. Gjykatësja e rastit ka qenë, Valbonë Dërbodeli, e cila në aktgjykimin e siguruar nga gazeta “Zëri” nuk ka pasur fare nënshkrimin e vendosur. E as sekretarja juridike, Emine Zubaku. Por, vetëm është vulosur nga punëtori i autorizuar i Gjykatës.


Komento
Komente (3)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Pershendetje redaksi e nderuar.,Ju falemnderit per informim te opinionit se une se kisha kete mundesi. Jam babai i femiut Blendit, por ne pamundesi te vi dhe jap informatatpersonalisht sepse posa jam zhvendos ne Zvicer desha te ceku edhe disa arsye te tjera se pse gjykata ka vendim te njeanshem dhe eshte e korruptuar. Une sa her qe kam shkuar ne Kosove e kam njoftuar Gjykaten dhe asnjehere nuk kane mbajtur seance , kam dashur te jap deklarate dhe kurr skan marr nga une e as nga femiu e as nga deshmitari kryesor qe ishte me Blendin. Kma shkuar ne prokurori ne Gjilan edhe tek kryeprokurori askush ska degju te marr deklarae nga une , dhe vendimi eshte marr pa asnje deklarate nga ne. Poashtu ne fshat ishte shenja e kufizimit te shpejetesise si dhe ne afersi te rruges se shkolles egzisonte shenja e femijeve ne rruge kurse ngasesi ka bere edhe tejkalim te shpejtesise ku kete e shenon edhe ekspertiza. Ju falenderoj edhe nje here dhe dhashte zoti qe gjykata te mare vendim te drejte.
Ramadan Syla
rekomanduar (10)
27 Sep 2014
11:49
 
Raste te tilla ka kudo, ketu ne Norvegji shoferi shpallet i PAfajshem edhe pse e godet nje vajze ne zeber ne oren 22.00 ku nuk kishte drita te rruges per shkak te nje defekti dhe kjo vajza kishte rroba me ngjyre te zeze dhe ASNJE refleks ne trupe si dhe ka qen koha me shi dhe mjegull qka ka qen shume veshtire per shoferin te shef njeriun. Pa dyshim se shoferi ka pergjegjesi por edhe ne si kalimtar kemi pergjegjesi tek e fundit per jeten tone. Femijet duhet EDUKUAR si te ecin dhe ku te kalojne rrugen e posaqerishte te ken rroba te dukshme me refleksa qe ketu ne Norvegji jipen falas per nxenes e te tjeret.
Vikingi me plis
rekomanduar (2)
27 Sep 2014
10:58
 
o nuk ka shtet ketu hiqq e mbyti policin njeriu ptjan 7,80 ne ndikim te alkoholit dhe polici ishte ne detyr e vozitesi shkoi ne shtepi ku ka drejtesi ketu more njerz
nijazi
rekomanduar (13)
26 Sep 2014
19:48
 
Me shume nga Kronika e zezë
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51