Opinione

Ballina / Opinione / Editoriale
Në pritje të tërmetit
Dush Gashi Publikuar: 26.09.2014 - 13:21

Gjykime, korrupsion, shantazhe, intriga, atentate - gjithandej. Ai ecën i padukshëm si hije, më një ritëm të përshpejtuar hapash të lehtë të një plaku thatim, flet me zë ulët, të njëtrajtshëm, shpëlarë nga çdo emocion, pa i ndryshuar çehrja as kur ndodhet para viktimash që shtrihen në pellgun e gjakut të tyre mbi asfalt, as në mbledhjet e zhurmshme si zgjua grerëzash të Parlamentit, as para gjykatësve ngulmues.

“Si mund të jesh kaq i ftohtë?”, e pyet dikush.

Toni Servillo, në rolin e kryeministrit shumëvjeçar italian, Guilio Andreotti, në filmin biografik “Il Divo”, të mbështetur në figurën e politikanit të njohur, e shpjegon pak a shumë kështu shkakun e humbjes së ndjeshmërisë:

“Më është dashur të bëj edhe gjëra të këqija, për të mundur ta bëj ndonjë të mirë.”

Vite më vonë, në një vend tjetër, në situatë të ngjashme – në mos për të bërë vepra të këqija, atëherë për “t’i ndyre duart” po se po - është gjendur Albin Kurti, lider i “Vetëvendosjes”, i cili, siç e tha para do ditësh, është i vetëdijshëm se për ta nxjerrë vendin “nga balta ku e ka hedhur partia në pushtet”, domosdo se duhet “t’i përlyejnë duart”, ndonëse “ndërgjegjen do ta kenë të pastër”.

Në një ndryshim pozitiv - i cili, bashkë me qëndrimin pranues të BE-së ndaj kësaj partie, e bën atë tash figurë shumë më të rëndësishme të shahut politik të Kosovës, - është kjo një përgjigje e mirë e tërthortë për të gjithë ata që, në emër të “pastërtisë” se idealeve a parimeve, apo sedrës së tejndjeshme, tentojnë të rrinë anash në një moment vendimtar për të bërë kthesa në vend.

E, sesa të nevojshme janë kthesat në këtë vend, po e dëshmon përditë partia në pushtet, e cila në tentimin për të mbetur në pushtet me çdo kusht, vetëm sa po e nxjerr në dritë gjithnjë e më shumë karakterin e saj të vërtetë, jodemokratik.

Thonë se i kanë numrat, ndonëse dy herësh u pa se numrat nuk i kanë, por e përsërisin këtë pandërprerë, pa u brengosur se gjithkush po e kupton se me këtë konstatim vetëm duan të fusin huti e frikë se e kanë blerë dikend, e kanë shantazhuar një tjetër apo, thjesht, e plasojnë këtë si një element për të futur huti, një lufte të pashembullt speciale në politikë.

Thonë se janë për dialog, ndërsa përfaqësuesja e e kësaj partie tashmë e ka uzurpuar Parlamentin, dhe nuk lejon që asnjë të bëhet debat atje, pa u mërzitur se me këtë e bëjnë të qartë në pikë të ditës së për ta dialogu e ka vetëm kuptimin e pazareve të pista, që zhvillohet vetëm skutave të errëta, larg syve e veshëve të publikut.

Thonë se janë për kompromis, ndërsa ofrojnë postin më pak të rëndësishëm të kryeparlamentarit dhe e kërkojnë atë të cilin në të vërtetë u dhemb shumë ta lëshojnë– të kryeministrit, ndonëse nga përgjigjet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese opozita më lehtë e ka ta kalojë në Parlament mandatarin për formimin e qeverisë, se sa që e pat votimin e të propozuarit për kryeparlamentar.

Dhe, së fundit, shpresëhumbur, po tentojnë ta zvarrisin sa më shumë formimin e institucioneve, duke pritur mos në ndërkohë diçka e papritur do të ndodhë, ndonjë termet politik, apo edhe i vërtetë. Për fat të keq, gjithë ata që tash po kërkojnë që të rishqyrtohet marrëveshja e Bllokut opozitar, po i kontribuojnë këtij tërmeti, me pasoja katastrofike për këtë vend.
Por, mund të ndodhë diçka e papritur dhe për të mirë. Për shembull, në qoftë se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në mbledhjen e ardhshme, e kërkon fjalën për debat. Dhe kërkon që debati për të zgjidhur ngërçin politik të zhvillohet aty ku e ka vendin – në Parlament.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
U dridh bjeshka e dul mini.
Burimi
rekomanduar (2)
27 Sep 2014
20:22
 
Me shume nga Opinione