Opinione

Ballina / Opinione / Komente
Pse po bëjnë show prokurorët
Andi Bushati Publikuar: 26.09.2014 - 13:23

Nëse ka një ndihmë të vërtetë për krimin, ajo është të tallesh me luftën kundër tij. Me sa duket në këtë kurth ka rënë edhe prokuroria shqiptare e cila duke iu përshtatur “politikës së fasadave”, po rend nga një show tek tjetri. Disa muaj më parë, vetë kryeprokurori Llalla, bëri një deklaratë bombë, kur premtoi përpara publikut se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë do të ndryshonin të ardhmen evropiane të vendit. Kaluan këta muaj dhe sërish kreu i akuzës u shfaq në një mbledhje në Bukuresht ku foli për zyrtarë të nivelit të lartë që janë nën hetim. Dhe ku jemi sot? Vetëm në nivelin e shfaqjes.

Këtë mëngjes shumë kolegë të mi shkëmbenin telefonata me njëri-tjetrin duke dhënë lajmin e bujshëm se zëra nga prokuroria po njoftonin më në fund, se do të deklaronin kapjen e “disa peshqve të mëdhenj”. Unë vetë gjatë kësaj kohe, ndërrova disa lokale, ku pashë me dhjetëra njerëz që rrinin të ngjeshur përballë ekraneve të TV-ve me lajme, për të pritur atë që do të ndodhte. Pëshpërima e shtuar edhe nga rrjetet sociale, mori shumë shpejt formën e një ankthi popullor. Grupet e xhirimeve u nisën drejt Prokurorisë, ndërsa njerëzit prisnin lajmin e bujshëm. Por, e gjithë kjo pritje e paralajmëruar përfundoi si mbarsja e malit që nuk pjell asgjë. U morën të pandehur dy deputetë periferikë të PS-së, me akuzën që tashmë e dinin të gjithë, atë të rrahjes së një kolegu të tyre. U mor gjithashtu i pandehur një deputet i opozitës për një ndërtim të konsideruar pa leje, të kryer këtu e një vit më parë.

Pyetjet që të vijnë në mend pas kësaj shfaqjeje të shëmtuar janë disa. Me siguri ato i kanë ngritur edhe të gjithë ata njerëz që ishin sot në lokalet e paradites, me shpresë se do të dëgjonin diçka të re. Por ata panë edhe njëherë se si po luhej me ta. Me siguri edhe ata kanë pyetur ç’qe kjo gjë që na u paralajmërua me kaq zhurmë? Pse duhej ky pompim për disa çështje rutinë? Dhe mbi të gjitha: ç’është kjo lojë e shëmtuar që përsëritet kur jepen lajme për goditje edhe majtas edhe djathtas?

Edhe vëzhguesi më i pagdhendur e kupton se nuk kishte asnjë arsye që lajmi për marrjen të pandehur të Ndokës dhe Ndreut, të jepej së bashku me atë të Astrit Velisë. E po t’i shtosh kësaj edhe pak histori, se në po të njëjtën mënyrë është vepruar, edhe me shefin e INUK, Zyhdi Dajti që u mor i pandehur në të njëjtën kohë me kreun e inspektoratit ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha, apo rastin e kryebashkiakëve të Vlorës dhe të Kamzës, e gjithë afera bëhet qesharake.

Prokurorët që kërkojnë të japin përshtypjen se po godasin dhe majtas dhe djathtas, në fakt nuk po qëllojnë askund. Kujdesi i tyre farmaceutik për të hetuar të dyja palët, fsheh në fakt frikën e tyre për të punuar realisht. Me këtë logjikë veproi prokuroria edhe në rastin e arrestimit të bujshëm të ish guvernatorit Fullani. Atëherë kur e panë se e kishin braktisur të gjithë, madje edhe ata që i hiqeshin si miq, prokurorët ndërhynë me një akuzë absurde, e cila vetëm në burg nuk mundej ta mbante. Edhe në këtë rast preokupimi i akuzës më shumë se çështja reale, ishte zhurma propagandistike që do ta rrethonte atë.

Pra, deri më tani, prokurorët shqiptarë kanë bërë vetëm show duke nisur që nga deklaratat e Llallës e deri tek aktet publike të njerëzve të tij. Nisur nga kjo shfaqje e shëmtuar, i kam ndjekur shumë kolegë të mi të flasin për një biznes të pastër. Për një prokurori që bën sikur godet peshq të mëdhej, sikur i hedh publikut ushqim me ambalazh të paprekshmish, për të realizuar në fakt një qëllim tjetër: lirimin korruptiv të peshqve të vegjël, që janë kthyer në një biznes të vërtetë për prokurorët.

Po, e kam dëgjuar mëse një herë këtë akuzë kohët e fundit, por të them të drejtën nuk më duket bindëse. Përtej teorive konspirative për ta, prokurorët shqiptarë deri tani janë treguar thjesht të paaftë, disa të pazot që iu është mbushur mendja të dalin në publik me mantelin e heroit që ka marrë përsipër të godasë krimin. Por, ky rol i ri, kjo tendencë për të dalë nga korridoret e errëta të zyrave të tyre, drejt një ballafaqimi me publikun, i ka bërë më të dukshme anët e tyre meskine. Llogaritë e dobëta për ekuilibre politike. Frikën për të goditur aty ku duhet. Mungesën e talentit për të bërë show. Ndaj të gjitha këto bashkë e kanë shndërruar luftën kundër krimit në një karikaturë, në një farsë ku zhurma e luftës me gjasme, shërben si një garanci më shumë, për të inkriminuarit e vërtetë. (www.lapsi.al)


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione