Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Mjeku kosovar që po lufton “Ebolën”
Alban Selimi Publikuar: 27.09.2014 - 08:21

Natanian, është fëmija 4 muajsh nga Liberia, që doktori, Lul Raka, e quan hero. Babai i tij vdiq nga “Ebola”, kurse para 16 ditësh atë e gjetën në repart, duke thithur gjirin e nënës së tij të sëmurë, e cila tashmë kishte ndërruar jetë.

Duhet pritur edhe 5 ditë që ai ta kalojë rrezikun e sëmundjes. Tashmë, është gjetur një Qendër bonjake, ku ai do të transferohet. Një tjetër rast është, një i ri 30-vjeçar që ende ndodhet në repart, i cili e mori “Ebolën” gjatë përkujdesjes për nënën e tij, që i kishte vdekur para 10 ditësh.

“Një përjetim të veçantë e kam pasur kur i kam parë pacientët e mbijetuar, duke shikuar televizor në njërën nga sallat e Qendrës së trajtimit, shumica e tyre fëmijë si dhe luftën e familjarëve me ekipin e varrimit që të afërmit e vdekur t’i varrosin vetë e mos t’i dërgojnë në Krematorium”, ka rrëfyer ekskluzivisht për “Zërin” histori rrëqethëse nga puna e tij profesionale në Liberi, doktori kosovar, Lul Raka, i cili ka shkuar vullnetarisht në Liberi për të ndihmuar popullatën e këtij shteti afrikan për të luftuar me sëmundjen e “Ebolës”, që ka marrë mijëra jetë njerëzish.

Zëri: Doktor, ju keni shkuar në Liberi për të dhënë kontributin tuaj për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes së “Ebolës”. Çka iu shtyri ta bëni këtë?

Raka: Më shtyri një tjetër Lul, që e kam përbrenda vetes dhe dëshira për të ndihmuar sadopak njerëzit në një sfidë të tillë globale. Jam përzgjedhur nga OBSH-ja për fushën e kontrollit dhe të parandalimit të infeksioneve, që ka qenë një ndër pikat më të dobëta gjatë epidemisë. Një koleg imi këtu nga Australia tha për punën tonë se ne po shpëtojmë jetëra, edhe pse nuk po e dimë se jetën e kujt po e shpëtojmë. Ky është misioni kryesor i parandalimit të sëmundjes.

Zëri: Si ishin reagimet e para të rrethit dhe të familjes tuaj para se të niseshit në “frontin” kundër “Ebolës” ?

Raka: Kuptohet se të gjithë kanë qenë kundër, për shkak të brengës se mund të sëmurem edhe vetë. Një koment interesant ma dha vajza ime 7 vjeçe, Lena, e cila para udhëtimit më bënte gjithfarë pyetjesh për “Ebolën”. Kur i thashë se po shkoj në Afrikë ta ndali “Ebolën” që të mos vijë në Kosovë, ajo mu përgjigj se “’Ebola” nuk mund të vijë në Kosovë sepse ne s’kemi majmunë e as lakuriqa”.

Zëri: Sa mund të jetë e rrezikshme kjo për një punëtor shëndetësor?

Raka: Ndër kategoritë më të rrezikuara janë punëtorët shëndetësorë. Deri sot në Liberi janë sëmurë afër 200 punëtorë shëndetësorë dhe kanë vdekur 87 sosh. Me rritjen e numrit të rasteve, shkalla e rrezikut shtohet për çdo ditë. Por, tani rreziku është kudo, jo vetëm në repartet e trajtimit të “Ebolës”, por edhe në komunitet.

Zëri: Sa përgatitje janë dashur paraprakisht që të niseni për vendin, ku “Ebola” ka marrë shumë jetë njerëzish?

Raka: Pas rekrutimit nga OBSH-ja, kam shkuar në përgatitje dyditore në Gjenevë, ku jam njoftuar me detajet e punës, problemet eventuale, kapërcimin të sfidave, të stresit dhe aspekte të tjera teknike që ndërlidhen me misionin.

Zëri: Si e gjetët gjendjen në spitalet e atjeshme? A janë funksionale spitalet apo patët vetëm qendra të improvizuara shëndetësore?

Raka: Mjeruese dhe paradoksale. Një gjë nuk e kisha të qartë, si është e mundur që të gjitha spitalet në kryeqytetin me 1.3 milionë banorë, të jenë mbyllur. As sot e kësaj dite nuk është bërë asnjë lëvizje, bile për ta hapur ndonjërin prej tyre dhe lehtësuar pranimin e pacientëve. Arsyetimi i tyre është nga frika e punëtorëve shëndetësorë.
Të sëmurët tash qëndrojnë nëpër shtëpi, duke infektuar anëtarët e tjerë të familjes. Në anën tjetër, kjo është shfrytëzuar nga klinikat private, të cilat trajtojnë pacientë, por aty masat mbrojtëse janë shumë larg standardeve minimale, prandaj edhe numri më i madh i rasteve të sëmundjes është regjistruar në këto klinika. Lajmi i mirë në këtë epidemi është se shkalla e mbijetesës së personave të sëmurë, përkundër sistemit gati kolabues shëndetësor dhe lajmërimit me shumë vonesë te mjeku është rreth 45 për qind. Një element tjetër që më ka bërë përshtypje është, se Liberia edhe para epidemisë në vitin 2012 e kishte shkallën e shpenzimeve qeveritare për kokë banori për shëndetësi më të madhe sesa Kosova me 102 dollarë për kokë banori!

Zëri: Si funksionojnë tashmë spitalet, ku trajtohen njerëzit e sëmurë nga “Ebola”?

Raka: Tash funksionojnë vetëm qendrat e trajtimit të “Ebolës” dhe zonat e mbajtjes, që janë si tranzit. Shteti ka 15 krahina, por vatra më e madhe është në kryeqytet, ku ndodhen 4 qendra me afër 300 shtretër. Njëra mbahet nga “Mjekët Pa Kufij, dhe tjerat nga vendorët, në bashkëpunim me OBSH-në.

Zëri: Keni shkruar në një postim tuajin në “Facebook” se njëra nga qendrat e improvizuara shëndetësore në kryeqytet ka 40 shtretër, kurse mbi 70 pacientë. Sa është e vështirë të gjendeni në këto rrethana?

Raka: Është shumë vështirë të punohet me kapacitete të mbingarkuara dhe kjo përbën rrezik për shtrirjen e sëmundjes dhe prekjen e punëtorëve shëndetësorë.

Zëri: Sa është duke u ndihmuar Liberia nga organizatat ndërkombëtare të Shëndetësisë, përfshirë edhe OBSH-në në luftën e saj kundër “Ebolës”?

Raka: Organizatat ndërkombëtare janë të gjitha të pranishme në terren: OBSH-ja, CDC-ja, UNICEF-i, MSF-ja, DOW-i, Kryqi i Kuq dhe shumë organizata të tjera. Mirëpo, gjersa shkalla e rasteve është ngritur eksponencialisht, përgjigja ndërkombëtare nuk ka mundur ta përcjellë këtë trend. Një element tjetër plotësues i pasqyrës së sotme është gjendja e rëndë ekonomike, infrastruktura e rrënuar nga lufta brutale civile dhe rreziku që mund të vijë nga përkeqësimi i situatës së sigurisë.

Zëri: Sa janë të mbrojtur punëtorët shëndetësorë, përfshirë edhe juve në këtë betejë?

Raka: Po mundohemi të bashkojmë forcat në mbrojtjen tonë: pak vetë e më shumë Zoti. Ka pasur edhe incidente shumë të rënda, siç ka qenë rasti i vrasjes së një ekipi shëndetësor gjatë punës në komunitet në Siera Leone (përfshirë stafin ndërkombëtar).

Zëri: Derisa gazetat në Kosovë iu kanë quajtur një Hero, kurse ju e keni përmendur Heroin e Qendrës Mjekësore, fëmija 4 muajsh të quajtur Natanian. Mund të na përshkruash pak më në detaje, ku është gjetur ky fëmijë? Kush e ka sjellë në Qendrën për trajtimin e “Ebolës”? Si është tashmë gjendja e tij shëndetësore?

Raka: Jo, unë nuk jam kurrfarë heroi. Po mundohem të kontribuojë në rrethana pothuajse lufte. Gjatë kësaj kohe kam provuar gjithçka, si punën komode në Zyrën në koordinimin nacional të kontrollit të infeksionit, trajnimin e stafit bashkë me kolegët amerikanë, vizitat në shumë vija të frontit në qendrat e trajtimit dhe klinika të vogla e më vonë do të dalë edhe në komunitet. Për mua, heronj janë disa nga punëtorët shëndetësorë që punojnë në kushte të rënda. Këtu ka shumë raste të rrëfimeve jetësore. Njëri rast është, një fëmijë 4 muajsh, i quajtur Natanian.

Fillimisht babai i vdiq nga “Ebola”, kurse para 16 ditësh e gjetën në repart, duke thithur gjirin e nënës së tij të sëmurë, e cila tashmë kishte ndërruar jetë. Farefisi dhe Qendra e bonjakëve nuk e kanë pranuar për mbikëqyrje, për shkak të frikës se mund të jetë i infektuar. Analiza e fundit e “Ebolës” e bërë para 5 ditëve i ka dalë negative. Tash duhet pritur edhe 5 ditë që ta kalojë rrezikun e sëmundjes dhe dje është gjetur një Qendër bonjake që do ta transferojë atë. Një tjetër rast është, një i ri 30-vjeçar që ende ndodhet në Repart, i cili e mori “Ebolën” gjatë përkujdesjes për nënën e tij, e cila i kishte vdekur para 10 ditësh. Një përjetim të veçantë e kam pasur kur i kam parë pacientët e mbijetuar, duke shikuar televizor në njërën nga sallat e Qendrës së trajtimit, shumica e tyre fëmijë si dhe luftën e familjarëve me ekipin e varrimit që të afërmit e vdekur t’i varrosin vetë e mos t’i dërgojnë në Krematorium.

Zëri: Sa ka rrezik që sëmundja të përhapet edhe në Kosovë?

Raka: Rreziku është minimal, por edhe nëse mund të ketë ndonjë rast, atëherë kapacitetet e Kosovës për t’u përballur me këtë sëmundje janë shumëfish më të avancuara sesa ajo që kam parë këtu.

Zëri: Sa është i përgatitur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vend që të bëjë parandalimin e sëmundjes?

Raka: IKSHP-ja i ka të gjitha premisat për parandalim dhe kontroll të sëmundjes. Por, edhe nëse ndodhin raste fillestare ato kanë ku të shkojnë, sepse Klinika Infektive është tashmë qendër referente në rajon për trajtimin e rasteve të tilla, falë përvojës shumëvjeçare në përballjen me ethet hemorragjike.

 


Komento
Komente (7)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
ARBER shum mir e ke shkrim i qelluar plotesisht
Xhevat(CH)
rekomanduar (2)
29 Sep 2014
06:59
 
arber me shume keqardhje po te them e ke plotesisht GABIM...tung
f raka
rekomanduar (2)
28 Sep 2014
01:03
 
Kacaniku, diteve te fundit pati shum kritika te ndryshme sidomos ne lidhje me fene, dhe involvimin e disa personave ne keto ngjarje.Por, sic po shohim ne kete rast me Dr. Lul Raka po vertetohet qe Kacaniku gjithmon ka dhan kuadro te afte ne te gjitha lamite...shendetsi,politike,sport,lufte-patriotizem.....pra nuk eshte e nevojshme te kritikohet nje qytet i vogel me zemer te madhe,vetem e vetem pse disa persona nagativ e humbin rrugetimin tyre.
Fatmir Raka
rekomanduar (5)
28 Sep 2014
00:49
 
Shum mir qe paska Doktor Shqiptar qe jan ne gjendje mi nimu dikujna edhe pa pare ! Shum qudi po me vjen se ne Kosoven e shkret kqyrin edhe mishin me naj hanger dej ne sekondin e fundit te jetes e ndihm prej mjekve Kosovar skisha prit kurr po nejse a pe sheh qe ju del nafak bile afrikanve .
Fatosi
rekomanduar (10)
27 Sep 2014
17:11
 
Kush krejt kaqaniku dhe shqiptarija krenar me ty.Lum kaqaniku qe te ka
fikri raka
rekomanduar (10)
27 Sep 2014
15:54
 
Njerëzit nuk lindin në këtë botë për t`i shërbyer vetëm vetëvehte por edhe të tjerëve. Dhe prandaj ky njeri është mjek jo vetëm i yni por edhe i të tjerëve. Kjo e kompleton profesionin me humanizmin dhe internacionalizmin. Mos e harroni luftën e `99, kur fëmijët dhe nënat tona kuroheshin nga mjek dhe medicina e të tjerëve duke mos pyetur ata kurrë vehten e tyre se kujt i shërbenin. Mjek nuk mund të bëhet cdo kush, por vetëm ata që kultivojnë humanizëm dhe trgojnë moral të lartë në punën e shenjtë të tyre. I lumtë këtij mjeku dhe burri duke i dëshiruar shëndet me mbarë familjen e tij.
Mixha Selman
rekomanduar (9)
27 Sep 2014
15:27
 
Njeriu ne keto raste duhet te ndihet krenar si shqiptar. Ne jemi aq zemermir sa shkojm me mijera km neper vende qe ndoshta janè tè paktè shqiptaret qe e dijnè qe ekzistojnè! Por prapseprap si shqiptar mè duhet tè shtroj pyetjen: athua eshtè e nevojshme qè njè shqiptar per tè treguar qe eshtè human dhe zemer mir, ka nevoj qe te kaloj kaq shum km e te shkoj neper afrikè dhe azi?! Athua nuk kemi ne neper trojet shqiptare femijè, foshnja dhe te semurè qe po vdesin per mungesè kurimi dhe barrna? Besoj qè mè e udhes do te ishte qe doktori i nderuar humanitetin e vet ta tregoj me popullin e vet. Nuk e di si ta quaj aktin kur nje fukara qe vdes prej urie, buken e fundit ia dhuron dikujt tjeter qè nuk e ka as nè fis e as nè farè?! I uroj suksese doktorit ne sherimin e njerezve ne afrikè por si shqiptar do t'i thoja qe me mirè do tè ishte qe humanitetin e vet ta praktikonte tek populli i vet
arber
rekomanduar (3)
27 Sep 2014
09:59
 
Me shume nga Ditari