Opinione

Ballina / Opinione / Editoriale
Burgu i zi, faqja e zezë
Naser Sertolli Publikuar: 27.09.2014 - 15:57

Mjete të shumta financiare janë ndarë nga buxheti i Republikës, e ndihma të mëdha janë dhënë nga vende donatore e organizata qeveritare e OJQ që Kosova të ketë një Shërbim Korrektues të standardeve më të larta ndërkombëtare. Por, edhe ky segment i rëndësishëm i funksionimit të shtetit, sikur edhe gjithë të tjerët, po del të jetë i çalë. Disa raste, që kohëve të fundit janë bërë publike, dëshmojnë se përveç që nuk është arritur qëllimi, gjërat kanë marrë rrjedhë brengosëse.

Përveç ndëshkimit të personave përgjegjës për vepra të ndryshme penale, që është roli qendror i tyre, burgjet, qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, duhet të respektojnë edhe të drejtat e vuajtësve të dënimit. Këta të fundit, duhet të mbahen në kushte të denja dhe të trajtohen pa kurrfarë diskriminimi. Por, jo të gjithë të burgosurit dhe të paraburgosurit kosovarë trajtohen njësoj.

Kjo, nganjëherë, edhe për fajin e institucionit, ku ata mbahen. Në këtë drejtim, është shquar Burgu i Dubravës, i cili, ndër të tjera, nuk ka arritur të sigurojë një ambient të sigurt për stafin dhe të burgosurit. E kemi parë që në këtë burg ka munguar përkujdesja e duhur mjekësore, për çka disa të burgosur e të paraburgosur janë detyruar të kërkojnë ndihmë në ambientet brenda, por nganjëherë, edhe në oborrin e QKUK-së. Po ashtu, ka pasur fjalë se në këtë burg janë futur lëndë narkotike apo edhe armë të ftohta, sikur rasti i fundit kur një avokat është zënë, duke futur një laps-thikë, etj.

Ndërkohë, kemi qenë dëshmitarë për gjithfarë legjendash të thurura rreth jetës në këtë burg. Flitet se kinse dikush atje trajtohet si mbret, se qelinë një tjetër e ka shndërruar në një odë të vërtetë, se dikush gëzon benificione pa limit, me telefona e pajisje të tjera elektronike, se dikujt tjetër nuk i ofrohet ndihma e nevojshme mjekësore apo për ndonjërin që s’e ha ushqimin e gatuar aty nga frika se do të helmohet, për shkak se mensa e burgut është në duart e njerëzve të atij ose këtij.

Gjithë këto mund të jenë vetëm llafe të kota, por që ka dallime në trajtim, kemi mundur ta vërejmë edhe ne qytetarët që jemi këtej atyre mureve të larta. Për ilustrim po e marrim rastin e një të dënuari për vepër të rëndë penale, i cili ka bërë publike shumë fotografi nga ambientet e burgut dhe qelisë së tij përmes rrjetit social “Facebook”. Është e drejtë të thuhet se jo të gjithë të burgosurit kanë mundësi të tilla.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dështuar në përmbushjen edhe të një roli tjetër të rëndësishëm të burgjeve – atë të mbrojtjes së shoqërisë, duke mbajtur prapa grilave të dënuarit, sidomos ata për vepra të rënda penale, apo ata që konsiderohen të rrezikshëm.

Sepse, në këtë mënyrë evitohet mundësia e përsëritjes së veprës penale nga i dënuari, apo edhe e hakmarrjes e atij që është viktimë apo e të afërmve të tij. Ka pasur fjalë që ndonjë i burgosur të jetë parë në qytete të ndryshme, madje edhe jashtë vendit.

Por, po e lëmë këtë në suazën e thashethemeve. Po e kujtojmë një ngjarje reale. Vitin e kaluar qe raportuar se si një i burgosur, i dënuar për vrasje, kishte dalë nga burgu pothuaj sa herë kishte dashur dhe i pashoqëruar nga autoritetet përkatëse.

Ai, madje, kishte përfituar nga këto dalje dhe ia kishte arritur ta përfundonte një fakultet. Ndërsa, rasti më i freskët që një i dënuar është parë në publik është ai i një incidenti që rezultoi me vrasje në një qytezë të Kosovës. I burgosuri ka qëlluar dëshmitar okular në vrasjen që ndodhi afër një kafeneje, në të cilën ai po pinte kafe. Autoritetet e burgut thanë se personi në fjalë ishte liruar për “fundjavë”. Ne jemi të obliguar të besojmë versionin zyrtar. Ani çka se incidenti ndodhi ditën e hënë. Në orët e mbrëmjes, madje.

Sigurisht, ka edhe raste të tjera (si: helmimi i gardianëve të Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, etj.), që e vënë në pikëpyetje funksionimin e mirëfilltë të këtij institucioni. Dhe, me këto të meta, burgu, “i zi”, siç konsiderohet nga popullata, nuk bën tjetër, pos që na nxjerr faqen e zezë para miqve që na ndihmuan e po na ndihmojnë për të ndërtuar shtetin. Përgjegjësi, si zakonisht, nuk mban kush. E faturën, si gjithmonë, do ta paguajnë qytetarët.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
e kishin pas pyt Hashimin pse po investon kaq shum ne burgje e jo ne shkolla ,Hashimi ish pergjegj ,pse kur te marrin pushtetin ATA ti po mendon se kan me na que ne shkolla/a
Guri i madh
rekomanduar (5)
28 Sep 2014
00:57
 
Me shume nga Opinione
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51