Opinione

Ballina / Opinione / Komente
Kosova: katër muaj situatë absurde institucionale
Lekë Musolli Publikuar: 27.09.2014 - 16:20

Përkundër ndryshimeve pozitive, Kosova po përballet më sfida të shumta politike, ekonomike e sociale sepse shihet se ende jemi robër të së kaluarës që flet për pasojat e pushtimeve të gjata otomane e sllave. Ende nuk po arrijmë t’i heqim nga truri ynë sjelljet e veprimet e atyre që na mbajtën shekuj me radhë të pushtuar. Kanë të drejtë ata që thonë se na duhet kohë për t’u këndellur.

Tash e një kohë po ndodhin gjëra të çuditshme, rrëmuja e kurthime që nuk ndodhin në asnjë shtet evropian. Individë të caktuar, liderë partish, nuk zgjedhin mënyra e as rrugë për të ardhur apo për të mbetur më çdo kusht në pushtet pavarësisht zgjedhjeve, duke e shpjeguar e komentuar ligjin e Kushtetutën çdokush sipas dëshirës. Madje, edhe Kushtetuesja rekomandoi zgjidhje, por ajo nuk po respektohet dhe duket se e gjithë kjo që po shohim po e mbanë vendin tonë në krizë institucionale dhe kriza po vazhdon.

Nuk mund të kuptohen arsyet pse veprohet kështu, pos nëse është kjo e vërtetë se pushtetarët e kanë të qartë se të gjithë ata që ishin pjesë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mund të përballen me drejtësinë dhe gjërat do të zbardhën, prandaj duhet bërë çmos, madje edhe me veprime irracionale, duke e përdorur edhe Kushtetuesen për ta destabilizuar vendin.

Kështu, 15 vjet pas lufte duket sikur po ndodh skenari anti-Kosovë. Prandaj, po del se zgjidhja e nyjës politike për Kosovën gjendet jo në Prishtinë, por fatin tonë e ka në dorë qeveria e Vuqiqit, ish-zyrtar i lartë i fashizmit të Millosheviqit. Për momentin, kemi një gjendje kaotike që e shkel vullnetin e qytetarëve, që i shkatërron shpresat e tyre për këtë vend për të cilin dhanë shumë jetë e fatkeqësisht, një numër jo i vogël i familjeve të dëshmorëve, pos mjerimit, nuk fituan asgjë. E di se shumë pushtetarëve këto fakte u duken banale sepse edhe logjika e tyre banale e ka sjellë vendin tonë në këtë gjendje të rëndë që në të gjitha anët rrethohet me korrupsion e krim të organizuar.

Pushtetarët u bën tregtarë në politikë, kuptohet krijuan pasuri marramendëse për vete e të afërmit e tyre, duke manipuluar me qytetarë dhe duke e përdorur si moto Kosovën dhe atdhedashurinë. Kjo i bie se Kosova ka dëshirë që ta vjedhim e ta gënjejmë sa më shumë dhe kjo është ai borxhi ynë që kemi ndaj atdheut. Çuditërisht, këtyre tipave politikanë nuk u vjen turp nga ajo që bën keq, por ata sot na mbajnë edhe ligjërata, siç bënin disa në kohën e ndryshimeve kushtetuese të viteve të tetëdhjeta.

Në të njëjtën mënyrë vepron sot partia e Hashim Thaçit, e cila nëpërmjet zëdhënësve të saj deklarohet se çdo gjë po bën për mbrojtjen e ligjeve dhe Kushtetutës, prandaj edhe pse ju mungojnë numrat, ata duhet ta mbajnë pushtetin me çdo kusht. Kjo është ajo demokracia autentike kosovare që pushteti është yni e ju të tjerët ndiqeni…. nëpër livadhe. Ligji jemi ne dhe Kushtetuta e Kushtetuesja janë tonat, prandaj ato dhe me to s’ka të drejtë të luajë askush, pos nesh.

Po e mbrojnë Kushtetutën, thoshin edhe Ali Shukriu, Rrahman Morina e Hysamedin Azemi, kur minatorët e Trepçës kërkonin dorëheqjet e tyre, sepse konsiderohej se pushteti i asaj kohe kishte shkelur kërkesat e drejta të qytetarëve të Kosovës për mbrojtjen e autonomisë dhe avancimin e subjektivitetit politik të Kosovës.

Në mesin e atyre që shkelën kërkesat dhe vullnetin politik të qytetarëve tanë sepse nuk reaguan apo u vunë në anën e okupatorëve, kishte edhe të afërm të disa pushtetarëve të sotëm tek të cilët shihet se kanë mbetur hije mbetjeve të jugosllavizmit.

Vërtet është për tu habitur se si erdhëm në këtë gjendje kur të sotmen apo edhe të ardhmen e vendit tonë t’ua dorëzojmë çakajve të Beogradit, të cilët detyrë parësore e kishin dhe e kanë shpartallimin e vendit tonë sepse këtë porosi ua ka lënë krimineli Millosheviq.

Kjo që po ndodh në Parlamentin e partive politike të Kosovës e të Serbisë është situatë gati e njëjtë më Kuvendin e Kosovës të vitit 90-të, kur kriminelët serbë talleshin dhe bënin obstruksione kërkesat e delegatëve shqiptarë duke u thirrur në Kushtetutën e atëhershme antishqiptare. Gati njëjtë po veprohet edhe sot më një ndryshim se seancat dramatike të asaj kohe i drejtonte antishqiptari Jokanoviq, ndërsa sot këtë punë po e bën deputetja, Flora Brovina.

Vërtet të vije turp kur dëgjon prej saj se në seancën e ardhshme nuk do të ketë debat sepse nuk lejon Flora edhe krimineli Jokanoviq u pat thënë delegatëve shqiptarë “ovde nema diskusije” dhe delegatët e atëhershëm u detyruan që jashtë Parlamentit ta shpallin Deklaratën e Pavarësisë. Pas gjithë kësaj maskarade mund të ndodhë që grupimit politik V-LAM edhe t’ju mbyllen dyert e Parlamentit për kohë të pacaktuar.

Kosova sot është në një gjendje, kur shumë institucione s’funksionojnë, për fat të mirë Policia e Kosovës po mbahet mirë dhe në përgjithësi po e kryen misionin e saj kushtetues.

Ju që thoni se jeni politikan, ndaluni e mendoni e mos vazhdoni tutje, A ju duket se me sjelljet tuaja sikur po dëshmoni se ky vend s’është i YNI. Vetëm ata që nuk janë të kësaj toke sillen kështu në mënyrë të papërgjegjshme dhe e sjellin vendin para rreziqeve të mëdha.

Është e pakuptueshme të vazhdojë kështu kokëfortësia më njeri-tjetrin, të bëhemi të mençur e të mos mbetemi robër të fanatizmit dhe robër të mendësisë primitive, prandaj ta ndryshojmë drejtimin e të dëshmojmë se pretendojmë të bëhemi pjesë e civilizimit evropian. Të mos vazhdojmë më me lojëra të ndyra t’u themi MJAFT të këqijave e të mos vazhdohet tutje më një aventurizëm të tillë që në të kaluarën e përdornin pushtuesit ndaj nesh.

Mendoni e veproni, derisa nuk është bërë tepër vonë, t’ia vëmë gishtin kokës para se të na ndodhë fatalizmi e ta shohim rrezikun që na vjen nga bizantizmi serb e radikalizmi islamik që gjithnjë ishin kundër që kombi ynë të bëhet pjesë e civilizimit evropian.

Zhbllokojeni jetën institucionale, mos i mbani peng qytetarët e Kosovës dhe shpëtojeni vendin nga trazirat eventuale.
Për dallim prej diktatorëve, pushtetarët e përgjegjshëm mbesin të mençur e të respektuar kur shkojnë nga pushteti, e jo kur vijnë.

Ka ende kohë për të reflektuar për të mirën e popullit të Kosovës.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51