Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Industria e cilësia e botimit
Dafina Kabashi Publikuar: 27.09.2014 - 16:54
Foto: Laura Hasani

Industria e botimit me gjithë problematikat e saj, ajo që presin e nuk presin nga “tregu” letrar, mënyra se si operojnë në treg, titujt që përzgjedhin, financat e po ashtu edhe vlugu botëror i letrave e përkthimi i tyre, krijon e imponon gjendjen aktuale të shtëpive botuese në Kosovë. Nga rreth 180, të tilla sa ka në Kosovës, pak prej tyre mbërrijnë të sjellin libra cilësorë. Por, si përzgjidhen ato?

Abdullah Zeneli, drejtor i shtëpisë botuese “Buzuku” ka thënë për “Zërin” se botuesit duhet dhe bëjnë punën e tyre, por nuk mund të akuzohen apo lavdërohen për ndonjë “stinë” apo “vit” të frytshëm, të suksesshëm, apo të mossukseshëm.

“Po pati “prurje” nga letërsia “origjinale”, pra shqipe, orientohen për t’u plotësuar “mungesa” me letërsinë e përkthyer, pra atë të huaj apo botërore. Por, kjo, gjithnjë në kuadër të fizionomisë së botuesit, largpamësisë, vizionit dhe arsyetimit elementar të të qenët botues i mirëfilltë e jo i stisur. Kjo e fundit është shumë domethënëse. Pluralizmi, apo shumësia e botuesve është në dobi të lexuesit e assesi konkurrencë “jolojale’”, ka thënë Zeneli, derisa ka shtuar se me botimet “Buzuku” janë përpjekur të ruajmë njëfarë drejtpeshimi botimesh dhe se ia kanë arritur.

Xhemajl Avdyli, drejtor i shtëpisë botuese OM thotë se është e vështirë të përcaktohet se çfarë është duke u botuar. Sipas tij, jemi dëshmitarë se ka vite të tëra që tek ne botohet pothuajse gjithçka, që në fakt i bie pothuajse asgjë.

“Shtëpia botuese OM ka kërkesa të shumta për botime të autorëve të ndryshme dhe të profileve të ndryshme, mirëpo për dallim nga të tjerët ne botojmë vetëm libra, të cilat i përmbushin standardet e nevojshme për t’u quajtur libra”, ka thënë Avdyli.

Berat Dakaj, i cili drejton shtëpinë botuese “Armagedoni”, ka thënë se ende vazhdojnë të botohen më shumë libra poetikë sesa prozaikë, ndërsa ka shtim të botimit të librave publicistikë, shumë pak të atyre shkencorë.

“Shtëpitë botuese sot, ndryshe nga ç’ishin në të kaluarën, janë biznese. Kanë qëllim të përfitojnë materialisht dhe të botojnë sa më shumë, jo ta shikojnë vlerën e botimit të një libri”, është shprehur Dakaj, teksa thotë se duket se lexuesit kanë hequr dorë prej ndjenjave shpirtërore, prej poezisë e romaneve, prandaj më shumë po i pëlqejnë librat autobiografikë, librat publicistikë, monografitë.

Behxhet Bici, shtëpia botuese “Elita BS”, ka thënë se është koha kur informacionet për botimet e reja mund të merren lehtë dhe se lexuesve u është lehtësuar mënyra e zgjedhjes së titujve.

“Duke qenë se shtëpia botuese “Elita BS” është profilizuar, duke botuar libra të përkthyer, pak ose fare kemi të bëjmë me autorë vendorë. Shumë më shumë kemi bashkëpunim me përkthyes, nga gjithë hapësira shqipfolëse, por edhe më shumë shtëpi botuese ndërkombëtare”, ka treguar Bici.

Pak shtëpi botuese sjellin vlera artistike

Berat Dakaj thotë për gazetën, se shumica e shtëpive botuese, sot nga autorët kërkojnë para sa më shumë, jo vlera. “Prej të gjitha shtëpive botuese që janë sot në Kosovë, krejt gjashtë-shtatë shtëpi botuese janë të interesuara ta sjellin para lexuesve një libër të mirë, të bukur artistikisht dhe stilistikisht”, ka treguar Berat Dakaj.

Abdullah Zeneli thotë se jo gjithherë një dorëshkrim është i botueshëm. Sipas tij, autorët janë të shumtën subjektivë, në stilin se kanë zbuluar Amerikën. “Mungesa e vlerësimit serioz nga institucioni, që quhet botues, ka bërë që të botohet me kriter e pa kriter”, është shprehur Zeneli, derisa ka thënë se është krijuar në këto vite pluralizmi e tranzicioni një konfuzion, por këtë e sheh si proces pozitiv dhe një ditë do të kalojë euforia e botimit me çdo kusht, edhe po pate një grusht parash, të cilat i lakmojnë jo pak “botues”.

Xhemajl Avdyli thotë se niveli i shtëpive botuese fatkeqësisht është shumë i ulët. Siç shprehet ai, në të shumtën e rasteve ato nuk dinë çfarë kërkojnë.

“Autorët janë në hall edhe më të madh, ata përveç se të shkruajnë, në 90% të rasteve janë të obliguar t’i sigurojnë vetë edhe mjetet financiare për botimin e librave të tyre. Kjo pastaj sjell edhe problemet me të cilat shoqëria jonë po përballet prej kohësh”, ka treguar ai.

“Vrasja” e lexuesve

Xhemajl Avdyli thotë se lexuesit kërkojnë libra që ia vlejnë dhe se çdo kategori ka lexuesit e vet. “Vazhdimisht dëgjojmë se në shoqërinë tonë ka rënë ndjeshëm niveli i leximit dhe për këtë shumë herë fajësohen lexuesit”, ka treguar Avdyli, për të shtuar se fajin kryesor e kanë botuesit, pasi që në një kohë, kur vlerë është bërë marketingu, se botuesit, u servojnë lexuesve gjithçka tjetër përveç vlerave. “E kemi irrituar lexuesin deri në këtë masë kur ata më së shumti tani kërkojnë të blejnë vetëm librat profesionalë, të cilët u hyjnë në punë për studime, hulumtime apo çfarëdo arsye tjetër. Pothuajse e kemi mbytur lexuesin e vlerave artistike”, ka thënë drejtori i OM-it.

Berat Dakaj ka thënë se ka pak lexues që kanë shije të mirë të vlerësimit dhe të leximit. “Prandaj hanë çfarë t’u qesin botuesit, të cilët, gatuajnë gjithçka”, shprehet ai.

Berat Dakaj ka treguar se lexuesit, më shumë se përmbajtjen e një libri, e hanë me sy e vesh marketingun që i bëhet një libri, qoftë ai i prezantuar në medie të shtypura, elektronike, televizione. “Ata e hanë literaturën e imponuar nga shtëpitë botuese, e kërkojnë edhe atë të detyruar nga profesorët, ndërsa shumë pak edhe atë të sugjeruar nga kritikët, e cila sot s’është e mirëfilltë, pasi shoku ia bën qejfin shokut se ka shkruar një libër të arrirë dhe përpiqet ta mashtrojë opinion se Filan Fisteku ka shkruar libër të mirë”, ka thënë Dakaj.

Abdullah Zeneli shprehet se tani kemi lexues të formuar, të cilin nuk arrin ta mashtrosh dy herë dhe se lexuesi i sotëm është i kultivuar dhe po nuk arrite t’i servirësh vlera, ai orientohet të lexojë veprat botërore edhe në origjinal. “Duhet shpejtësi në ofertat e botuesve. Të jenë koherentë me atë që botohet sot në botë. Spektri i kërkesave është ai i duhuri, ndaj duhen plotësuar kërkesat, ndryshe do të jemi të dështuar si botues, si letërsi, si shoqëri”, ka thënë Zeneli.

 

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura