Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
"Rrugëtimi" i Shasivarit, pjesë muzikore në film italian
Publikuar: 27.09.2014 - 18:22

Ai është kompozitor i gjeneratës së re, por ka tejkaluar pritjet dhe kësisoj disa prej kompozimeve të tij kanë parë edhe skena të mëdha botërore.

Me krijimtari mjaft të suksesshme, Florent Shasivari së fundmi po e shëtit veprën e tij “Rrugëtimi” në vende të ndryshme evropiane. Vepra për piano të cilën ai e ka shkruar gjatë studimeve, kjo para katër vitesh, shkoi në Strasburg të Francës, më pas në Zvicër dhe e dërgoi edhe deri në ligjëratat që ai bëri në Konservatoriumin e Luganos. Pjesa muzikore tash do të jetë edhe kolonë zanore filmike.

“Aty kam takuar kompozitorin Anglez Peter Seabourn, ku dhe ia kam dhënë veprën time për analizë, që ai të më japë këshilla në këtë drejtim. Kompozitori anglez ka udhëtuar në Itali gjatë vitit të kaluar për ta regjistruar albumin e tij për piano dhe në këtë vazhdë ka futur edhe veprën time “Rrugëtimi”. Kjo natyrisht që më bën nder dhe jam i nderuar të jem në këtë projekt të një kompozitori si Seabourn”, pohon Shasivari në një rrëfim për KultPlus.

Koncerti pianistik është mbajtur në prill të këtij viti në Lucca të Italisë, ku vepra e Shasivarit është interpretuar nga pianisti italian Fabio Menchetti.
“Vepra është regjistruar me 30 korrik në studion Daniel Abaddo në Lucca të Italisë, poashtu nga Fabio Menchetti. Vepra ka pasur sukses ndërsa do të jetë pjesë muzikore e një filmi italian, kjo është konfirmuar nga drejtori Marco Vitelli”, përfundoi Shasivari. Sipas tij filmi pritet të lansohet në tetor.
Florenti ka përfunduar studimet në Prishtinë, në drejtimin Pedagogji Muzikore, ndërsa ka nisur të kompozojë qysh në moshë të re. Në fund të studimeve ka pasuar edhe koncerti i tij gjysmë solistik. /KultPlus/


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura