Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Beogradi “frymon” me emra shqip
Alban Selimi Publikuar: 28.09.2014 - 07:57

Rruga boheme, e shtruar me guralecë, mbledh mbrëmjeve romantike, jo vetëm qytetarët beogradas. Është “Skadarska” (Shkodra), një rrugë kjo në “zëmër” të Beogradit, që nuk i “ikën” së vizituari thuajse asnjë turisti që mund të rastisë në kryeqytetin serb.

Qyteti shqiptar, që në prillin e vitit 1913 tradhtisht nga Esat Pashë Toptani i ishte dorëzuar Malit të Zi, ka lënë gjurmë politike në Beograd.

Historia do të ndryshonte në Konferencën e Ambasadorëve, ku Shkodra në rast se nuk i kthehej Shqipërisë, do të prishte ekuilibrin e Fuqive të Mëdha. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhte për një vend të quajtur Shqipëri. Kështu, ndonëse nuk do të ndryshonte statusi shtetëror i këtij qyteti, as Serbia nuk do të ndryshojë “apetitet” e saj, për qytetin që ishte edhe vatër e krishterimit shqiptar. Përveç rrugës “Skadarska” në Beograd një rrugë tjetër “nderon” veprën e “Esat Pashë Toptanit”, shqiptarit që u vra në Paris nga Avni Rrustemi, pikërisht për shkak të tradhtisë kombëtare.

Ariola Musabelliu nga Shqipëria, në “Rrugën e Shkodrës”

Rrugë me “shpirt” Shqipërie në Beograd

Ariola Musabelliu, është një vajzë e re nga Shqipëria. Ajo ka disa muaj që po punon në Beograd. Flet bukur anglishten dhe i pëlqen shumë historia. Është pikërisht historia e Shkodrës, ajo që shqiptaren e mallëngjen. Sa herë që mund të rastisë për darkë me miqtë e saj në rrugën “Skadarska”, thotë se aty do të ndjejë pak copëz Shqipërie. Veshur me shall ngjyrë të kuqe, kombinuar me fustan ngjyrë të zezë, Ariola duket mjaft e buzëqeshur. Është “Skadarska” vendi ku ajo ka takuar shumë shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.

“Skadarska”, thotë Ariola, është një rrugë boheme, që mban emrin e qytetit me më shumë kulturë në Shqipëri – Shkodrës. “Është një nga rrugët më të frekuentuara dhe më të pëlqyera të Beogradit. E mbushur me kafene dhe restorante kjo rrugë e shtruar me gurë, gulçon nga njerëzit dhe ndryshe nga gjithë rrugët e tjera të këtij qyteti, kjo rrugë ka shpirt”, thotë Ariola Musabelliu. Vajza që ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Drejtësisë, thotë se në guidat që u bëhen turistëve, jo rrallë mund të dëgjosh legjendën e Rozafës.

“Sa herë që ndjej mall shkoj në këtë rrugë boheme ku në hyrje të saj shikon një tabelë me shumë shigjeta që tregojnë vendet më të preferuara të Evropës. Dhe unë ndihem si në shtëpi”, thotë Musabelliu.

Valmir Tertini, gjakovari në “Rrugën e Prizrenit” në Beograd 

Nga lagja e ashtuquajtur “Dorcol”, në drejtim të Qendrës së Beogradit të vjetër, jo larg Ambasadës së Francës në Serbi, një rrugë e ngushtë mban emrin “Graçanica”, një qytezë kjo në lindje të Kosovës, e shndërruar në komunë, sipas Planit të Ahtisarit. Ngjitas me Graçanicën në Kosovë gjendet qyteti antik i Ulpianës, që konsiderohet ndër vendet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë. 

Megjithatë, historia e rrugës që mban emrin “Graçanica” në Beograd nuk lidhet me qytetërimin antik. Por, me faktin se në Graçanicë gjendet një nga manastiret më të rëndësishme për kultin serb. Historiografia shqiptare thotë se ky manastir është ndërtuar mbi themelet e një kishe katolike që datonte nga koha ilire. Kurse, ajo serbe thotë se ky manastir është ndërtuar gjatë viteve 1315-1321, në stilin bizantin. Manastiri nga viti 2006 është marrë në mbrojtje të UNESCO-s.

Jo larg kësaj rruge, tek përshkon përmes përreth dhjetë minuta këmbë sheshin “Knjaz Mihajlova” të Beogradit, do të kalosh në qendrën e qytetit. Në një kënd, do të gjesh pallatin që quhet “Albania”. Aty, jo shumë larg gjendet edhe hoteli “Moskva” i ndërtuar në fillim të shekullit XX, e që më shumë se një bujtinë dhe restorant, flet për vëllazërinë ruso-serbe. Një rrugë në tatëpjetë që çon nga “Moskva” në drejtim të Beogradit të ri, ka një emër që gjithsesi ndërlidhet me Kosovën. Është rruga “Prizrenska”, ajo që i duket interesante të riut kosovar Valmir Tertini, i sapodiplomuar në Akademinë e Arteve “Evolucion” në Prishtinë.

“Kjo është politike. Por, gjithsesi që është një reklamë e mirë për qytetin e Prizrenit”, thotë pakëz me ironi gjakovari që po qëndronte në Beograd gjatë ditëve të festivalit “Mirëdita-Dobërdan”, e në kuadër të të cilit u diskutua kryesisht për “rikonstruimin e të kaluarës dhe të ardhmes” mes Serbisë dhe Kosovës.

Tabelë që tregon për ndryshimet e emrit të “Rrugës së Deçanit”

Rruga që ndërroi emrin sipas zhvillimeve politike në Serbi

Është rruga “Deçanska” ajo që ka ndërruar emrin ashtu siç kanë ndryshuar zhvillimet politike në Serbi. Nga viti 1882 e deri në vitin 1896 rruga në qendër të Beogradit do të quhej “Dva Jelena”. Një tabelë e vendosur në këtë rrugë, që flet për historikun e emrave të saj, tregon se në vitin 1896, rrugës do t’i hiqej emri “Dva Jelena” dhe do të pagëzohej “Deçanska”.

Kjo do të zgjaste deri në vitin 1949, kur rruga do të pagëzohej me emrin “Kardeljeva”, duke iu referuar mbiemrit të komunistit Eduard Kardel, që ishte kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar në Jajce. Emrin e Kardelit, rruga do ta mbante deri më vitin 1953, kur kësaj rruge do t’i rikthehej emri “Deçanska” edhe për katër vjet të tjera. Nga viti 1957 rruga do të pagëzohej për 40 vjet me radhë “Mosha Pijada”. Një vit para fillimit të luftës në Kosovë, më 1997, në Serbinë që udhëhiqej nga Slobodan Milosheviq, rrugës do t’i rikthehej emri “Deçanska”.

Rruga që mban emrin e qytezës në Rrafshin e Dukagjinit, ndërlidh domosdo historinë e saj meManastirin Ortodoks të Deçanit, që është ndër objektet më të rëndësishme kulturore në Kosovë e që i takon shekullit XIV, dhe është nën mbrojtjen e UNESKO-s.

Pak metra nga rruga e “Deçanit”, është rruga “Kosovska”, e cila çon në drejtim të Kuvendit Popullor të Serbisë, brenda të cilit pakica shqiptare e Serbisë nga Lugina e Preshevës, përfaqësohet nga dy deputetë. Në mes të kësaj rruge, gjendet hoteli i vjetër “Union”, që mbledh mjaft turistë të huaj. Kjo rrugë ndonëse në qendër, nuk ka ndonjë objekt tjetër që do ta bënte të veçantë.

Danica Avramovic, studente nga Jagodina në rrugën “Kosovska”

Danica Avramovic është një studente nga Jagodina. Ajo studion gjuhën shqipe në Universitetin e Beogradit. Flet dhe shkruan shumë bukur gjuhë shqipe. Si studiuese e gjuhës, Avramovic ka rastisur të njohë shumë mirë edhe kulturën shqiptare.
“Unë në të vërtetë nuk kam menduar shumë për këtë çështje, por mund të them që nuk më duket si ndonjë gjë e çuditshme”, thotë vajza me flokë të verdha. Ato emërtime, sipas saj, janë nga kohërat kur popujt e Ballkanit jetonin bashkë.

“Jam e mendimit që nuk duhet të ndryshohen për dy arsye: Arsyeja e parë është që janë dëshmorët e së kaluarës së bukur, kurse e dyta është se ato mund të jenë ura për të ardhmen”, thotë studentja Avramovic.

Në Serbi, përveç rrugëve të qyteteve të Kosovës, ka edhe rrugë që mbajnë emra tjerë të personaliteteve dhe qyteteve shqiptare. Ndonëse banorët shqiptarë në jug të Serbisë, në komunat shqiptare jetojnë në varfëri dhe të diskriminuar, shteti serb po i ruan në rrugët e Beogradit emrat e këtyre qyteteve. Një rrugë në Beogradin e Ri, quhet “Preshevska”. Po ashtu, një rrugë në Beograd mban emrin e Skënderbeut, ndonëse kryetrimi shqiptar nuk është edhe aq i pëlqyer për banorët atje. 

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Nuk keni cka mu krenu me keta emra sepse fort mire e dijme qe sjan emra shqip keto ne rruget e Beogradit, por na i kemi ende te emerume qytetet tona ne gjuhen serbe si psh obiliq, decani, jakova etj....e po na doket qe ata i kan emeru rruget e tyre me emrat tane!!! Hic hic shkau se ban kete veprim perjete....
Nora
rekomanduar (1)
30 Sep 2014
22:33
 
Me shume nga Ditari