Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Pesëdhjetë vjet me “Shotën”
Dafina Kabashi Publikuar: 28.09.2014 - 09:10

Pesë dekada rrugëtim në Kosovë, rajon, në të gjitha kontinentet. Vallja shqipe është prezantuar në botën e gjerë nga ansambli i këngëve dhe i valleve “Shota” për pesë dekada.

Xhemajli Berisha, koreografi i parë shqiptar i ansamblit “Shota” thotë se trupa e ansamblit, me gjithë përgjegjësinë që ka, me sukses po i ruan traditat.

“Vallja shqiptare meriton të shihet kudo në botë sepse ka vlera dhe cilësi të jashtëzakonshme. Është shumë e veçantë në kontekstin ballkanik dhe aty ku është paraqitur vallja shqiptare ka zgjuar kureshtje tek ekspertë të mëdhenj si: antropologë, etnologë, etnografë, e tjerë”, është shprehur Berisha.

Në akademinë solemne e organizuar për nderë të 50-vjetorit të “Shotës” është një tablo retrospektive koreografike nga Xhemajli Berisha, për të cilën koreografi Berisha thotë se në koreografi ka përmbledhur regjionet e Kosovës. “Janë përfshirë regjionet, duke filluar nga Opoja, Drenica, Hasi, e disa të tjera”, ka treguar Berisha, i cili nga paslufta jeton në Gjenevë, teksa ka thënë se është një tablo koreografike që paraqet një peizazh gjeografik-koreografik.

Shefqet Gjocaj, drejtori i ansamblit “Shota” ka treguar që kanë punuar shumë për një shënim sa më dinjitoz të 50-vjetorit dhe se nuk ka qenë shumë e thjeshtë.

“Kemi pasur qëllimin e mirë, që në mënyrë sa më të dinjitetshme t’i kujtojmë të gjitha anëtarët e ‘Shotës’”, ka thënë Gjocaj, i cili ka bërë hapjen e ekspozitës “50 vjet në 50 fotografi” e përgatitur nga Avni Selmani.

“Me këtë ekspozitë kemi menduar ta rikthejmë edhe vizualisht vëmendjen kah rrugëtimi 50-vjeçar i ‘Shotës’”, është shprehur Gjocaj. Intonimi i Himnit Kombëtar dhe i atij të Kosovës është bërë pjesë e akademisë solemne të ansamblit, ndërsa përmes dokumentarit “Gjysmë shekulli me ‘Shotën’” i përgatitur nga Ismet Sijarina, është rrëfyer rrugëtimi prej pesë dekadash i ansamblit “Shota”.

Në akademinë solemne të pesëdhjetë vjetorit të “Shotës” janë ndarë mirënjohje dhe plaketa për kontribuuesit e saj. Janë 70 plaketa, që janë ndarë për anëtarët e “Shotës” në akademinë solemne të drejtuar nga aktorët, Vlora Nikçi dhe Enver Petrovci.

Në pesëdhjetëvjetorin e ansamblit janë ndarë19 plaketa të mëdha, 6 të mesme dhe 25 plaketa të vogla. Mirënjohje kanë shkuar për anëtarët e “Shotës”, këngëtarët, instrumentistët, valltarët që kanë kontribuar në periudha të ndryshme kohore nga viti1964 deri më sot.

Me plaketa janë nderuar Hylkije Sadiku, Izet Shala, Nazmi Demaj, Besnik Grajçevci, Për duajienin i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën, solistët: Ismet Bogujevci dhe Riza Bytyqi, Fahri Beqiri, Xhemajli Berisha e Naire Surroi. Hylkije Sadiku, ndër anëtaret e para të ansamblit “Shota”. E emocionuar, ajo rrëfen përvojën e saj në ansamblin ku ka vallëzuar një jetë të tërë. Ajo kujton vitin 1966, kur kishte ardhur në ansambël. Nga katër shqiptare, ishin pranuar dy, Hylkije Sadiku dhe Drita Mujka, ndërsa kishin konkurruar edhe 34 serbe.

“Kur kam shkuar në shtëpi i kam treguar vëllait, ai ka thënë se nuk kam pse të shkoj në ansambël. Një vit kam ardhur në ansambël dhe vëllai nuk më ka folur”, ka treguar Sadiku, e cila nga udhëtimi për në Turqi me “Shotën” i kishte sjellë dhurata vëllait, gjë që kishte ndikuar në përmirësimin e raporteve mes tyre.

Në këtë kohë Hylkije Sadiku kishte qenë 18-vjeçare dhe në audicion kishte shkuar pa u treguar prindërve. Ajo ka qenë aktive deri në vitin 1996.

“Sonte (e premte) kur i shikoja duke vallëzuar në skenë, unë e mendoja një jetë krejt tjetër, ishe ajo para 40 vjetëve”, ka thënë Sadiku.

Për kontributin në vitet e ‘90 të shekullit të kaluar, vitet më të vështira nëpër të cilat ka kaluar ansambli, janë nderuar: Shkëlzen Zhubi, Valon Berisha, Elez Nikçi, Esma Asllani, Ibrahim Shyti, Mustaf Avdiu, Nexhat Sahitaj, Sebahate Shaqiri, Suzana Berisha, Skender Shaqiri, Beslim Isufi dhe Selvete Terstena.

Me mirënjohje post mortum janë nderuar: Hazbije Kovaçi, Zllavko Pasnjevski, Hava Selimi, Sherifa Qosoviq, Tahir Drenica, Panajot Kanaqi, për familjen Tupeci që kishte pesë familjarë në “Shota”, asnjëri nga ata nuk jetojnë, për Skender Xhelalin dhe Sylejman Sala.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, ka thënë se më mirë se çfarëdo fjalimi për “Shotën” flet krijimtaria dhe performanca gjysmëshekullore e qindra valltarëve, instrumentistëve, këngëtarëve e administratorëve që me talentin e tyre, me punën dhe përkushtimin titanik e bënë ansamblin një institucion përfaqësues të Kosovës edhe në kohët më të vështira për popullin tonë, por edhe sot.

“50 vjet të ansamblit “Shota” nuk janë pak. Aq më tepër që janë ndër vitet më të rëndësishme të historisë sonë. Janë vitet e ecjes sonë drejt lirisë. Pa dyshim, se në këtë rrugëtim edhe ky Ansambël ka luajtur rol të rëndësishëm. Edhe përmes jush, ne nuk kemi harruar asnjëherë historinë e të parëve tanë dhe po ashtu kemi ndërtuar vizionin për Kosovën që e duam”, është shprehur Krasniqi, i cili është nderuar me një plaketë, e bashkë me të janë nderuar edhe ish-ministrat e kulturës, Shasivar Haxhiajt, Veton Firzi dhe Kamuran Kogancit.

Ish-drejtorët e “Shotës”, Agron Shala dhe Dilaver Kryeziu, po ashtu janë nderuar. Plaketë nderi ka shkuar për familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, të cilën e ka pranuar Rifat Jashari.

Mirënjohje kanë shkuar edhe për bashkëpunëtorët e Ansamblit, Forcat e Sigurisë së Kosovës, kampit ushtarak “Bound-steel”, grupet muzikore “Korona” dhe “Dardanët”, shoqërisë kulturore artistike “Bajram Curri” dhe RTK-së.

Në ditën e dytë të organizimeve të ansamblit të këngëve dhe të valleve “Shota” që është mbajtur në sallën “1 Tetori” është interpretuar “Vallja me motive të Shalës së Bajgorës” me koreografi të Haki Mulliqit, “Ulu djalë” është kënduar nga Violetë Kukuaj dhe një grup vashash.

“Valle me instrumente tradicionale”, dueti nga Gostivari, Adrian Aliu dhe Rizvan Sinani. Ka interpretuar edhe ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva, Ismet Bogujevci ka kënduar “Këngë për Shote Galicën”, e Nikollë Nikprelaj ka kënduar këngë krye-krahu, valle orkestrale interpretuar nga orkestra e ansamblit “Shota”. Ka performuar edhe Ansambli i Shqipërisë.

“Këngë vokale”, Grupi Vokal i Burrave nga Tetova kanë qenë pjesë e 50-vjetorit të “Shotës”, “O ku t’ka lala” është interpretuar nga Riza Bytyqi, ndërsa një tablo koreografike është përgatitur nga koreografi Xhemajli Berisha.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
shum mir qe i keni shperbly ata qe kan kontribuar ne ansamblin shota , po ku gjindet dilaver kryeziu qe ka kontribu ne ngritjen e ansablit shota a nuk paska merita hiq me punen e tij 30 vjeqare sa valltare jan bo profesionaliste e sa sa mirnjohja ja ka sjelll ansamblit shota , e nuk u gjet nje shperblim ti ipet kjo nuk asht e ndershme per nje kontribues te pa lodhshum
resha
rekomanduar (1)
28 Sep 2014
15:13
 
Me shume nga Kultura