Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Nis sezoni për Filarmoninë
Dafina Kabashi Publikuar: 28.09.2014 - 09:14

Përgatitjet për fillimin e sezonit të ri kishin nisur që në mëngjes. Filarmonia e Kosovës bashkë me studentë po ushtronin në Sallën e Kuqe, në Pallatin e Rinisë, ku edhe do të mbahet sonte (e diel) koncerti, që është i pari për vitin 2014-2015.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka treguar se është bashkëpunimi i tretë me radhë në mes të Filarmonisë së Kosovës dhe Fakultetit të Arteve, përkatësisht degës së Muzikës.

“Filarmonia u jep mundësi studentëve që gjatë studimeve të koncertojnë ne Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Kosovës”, ka thënë Jashari, derisa ka bërë të ditur se përmes audicionit të mbajtur brenda Fakulteti të Arteve nga Komisioni janë përzgjedhur: Gentiana Ahmeti, flautiste, Lum Haxhijakupi, klarinetë, Elvis Bytyqi, kitarë, Gjulian Bytyqi, kitarë, Melos Buza, piano, Adhurim Grezda, bariton, dhe Ferdi Fanaj, violinë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që orkestra jonë ende nuk është e kompletuar, andaj në fakultet krijohet kuadri i ri dhe ne u mundësojmë që ky kuadër të krijojë një përvojë sado të vogël, por shumë të rëndësishëm në rrugën e tyre”, është shprehur drejtori i Filarmonisë, derisa ka thënë se studentët do të prezantohen me veprat e llojllojshme, që janë përzgjedhur nga vetë ata e që janë kompozitorët: Cecile Chaminade, Giussepe S. Mercadante, Mario C. Tedesco, Franz Liszt, Giuseppe Verdi dhe Maurice Reval.

“Filarmonia gjithmonë ofron një koncert në vit me studentët. Ky koncert është planifikuar që të mbahet në qershor, kur përfundon viti akademik, kur studentët janë në top formë, mirëpo Filarmonisë i doli një koncert në Tetovë, që ishte shumë i rëndësishëm, prandaj e shtymë këtë koncert”, ka thënë Baki Jashari.

Gentiana Ahmeti, në emër të studentëve të përzgjedhur për të luajtur me Filarmoninë e Kosovës, ka thënë se një bashkëpunim i tillë është ëndërr e të gjithë muzikantëve të rinj.

“Është ëndërr e secilit solist, instrumentist që të ketë bashkëpunim me Orkestrën Simfonike, sikurse unë që kam pasur fatin të bashkëpunoj”, ka thënë Ahmeti.

Për dirigjentin, Kushtrim Gashi, është privilegj dhe kënaqësi që të jetë pjesë e koncertit me studentët.

“Është privilegj të koncertoj me Filarmoninë e Kosovës. Është një përvojë, e cila nuk të jepet shpesh, prandaj na jep një mundësi që të sfidohemi me një orkestër të tillë”, ka thënë Gashi.

Toshio Yanagisawa, dirigjenti nga Japonia, ka thënë se një koncert i tillë është shumë i rëndësishëm për muzikantët e rinj, pasi ata performojnë me Filarmoninë e Kosovës.

Koncerti me studentët do të mbahet sonte (e diel), duke filluar nga ora 20:00, ndërsa, koncerti i radhës i Filarmonisë së Kosovës do të jetë koncerti për donacionin japonez, së cilit do t’i paraprijë një ekspozitë, ku do të jenë gjitha instrumentet që janë donacion i Japonisë.

Prej aty do të merren instrumentet, me të cilat më pas do të interpretojnë instrumentistët.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51