Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Bllokuesit e shtetit
Enis Veliu & Lumturie Blakaj Publikuar: 29.09.2014 - 07:25

(E plotësuar) Për interesa personale politike të një grupi të vogël politikanësh, Kosova është duke pësuar rëndë në proceset më të rëndësishme të saj: faza e implementimit të kushteve integruese, procesi i liberalizimit të vizave, lufta kundër korrupsionit, përgatitjet për implementimin e Gjykatës Speciale etj.

Ndërkohë, që investimet e huaja kanë marrë teposhtën, edhe ata pak investitorë nga jashtë janë duke u larguar nga vendi.

Kurse vonesat në rishikim të buxhetit pritet të shkaktojnë probleme serioze në muajt në vijim. Të gjitha projektet kapitale janë pezulluar, duke shkaktuar njëkohësisht mungesë të madhe të qarkullimit të parasë në vend. Mbi 30 agjenci shtetërore janë të bllokuara.

Vetëm në pjesën e parë të këtij viti Kosova ka pasur përgjysmë më pak investime sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2013. Kosova do të vazhdojë të varet nga maunat e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Maqedonia, kurse fuqia blerëse do të mbijetojë nga paratë e diasporës.

Kriza buxhetore dhe pasojat e saj

Rishikimi i buxhetit për vitin 2014, është dashur të ndodhë qysh në muajin qershor, por mbajtja e zgjedhjeve në këtë muaj, dhe më pas inatet mes dy blloqeve politike për krijimin e institucioneve të reja kanë pamundësuar një veprim të tillë.
Po ashtu, bllokada ka sjellë probleme serioze edhe në thithjen e investimeve të huaja, ku për dallim nga viti i kaluar, sivjet kemi gati 50 për qind më pak.

Një problem serioz është shfaqur edhe te bordet e ndërmarrjeve publike (NP), por edhe institucioneve tjera të pavarura, ku shumica e kryesuesve, por edhe anëtarëve janë pa mandat. Në këtë gjendje po ashtu është edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ku nga një shtatori i këtij viti thuajse është krejtësisht jofunksionale.

Por, njohës të rrethanave ekonomike në vend kanë qëndrime të ndryshme rreth bllokadës ekonomike që është krijuar në vend. Muhamet Mustafa, thotë se problemi ekonomik i Kosovës, nuk është i lidhur shumë më tre muajt e fundit. Sipas tij, moskompletimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, nuk është problem i tre muajve të fundit, por është problem i vjetër, pasi që sipas tij partia në pushtet disa herë i ka propozuar Kuvendit të Kosovës njerëz politik për kryesues dhe anëtare të bordeve, por që sipas tij të njëjtit nuk i kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës.

“Për anëtarë të bordeve janë propozuar partizanë të PDK-së, dhe të tillët nuk kanë kaluar në Kuvend, dhe për këtë arsye bordet kanë mbetur pa anëtarë të rinj. Kështu që problemet këtu janë shumë më të vjetra se tre muaj”, thotë profesor Mustafa

Sipas tij, gjatë një dekade në Kosovë ka pasur një keqqeverisje ekonomike, me ç’rast, sipas tij, tashmë janë grumbulluar problemet e po shfaqen në publik.

Mustafa paralajmëron se Kosova do të përballet me krizë buxhetore, pasi që investitorët e huaj ia kanë kthyer shpinën Kosovës.

“Është rasti i PTK-së, është rasti i investitorëve për ndërtimin e termocentralit të ri, është rasti i një investitori tjetër në komunën e Rahovecit që ka tentuar të investojë në prodhimin e tjegullave. Por, të gjithë këta ikën nga mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe pasiguria për investime të huaja. Ky është ngërç i keqqeverisjes për gati një dekadë, e nuk është problem i shfaqur gjatë bllokadës së fundit tremujore”, ka thënë ai.

Sipas tij, partia më e madhe, në pamundësi që të formojë institucionet e reja po tenton që problemin ekonomik që është krijuar në Kosovë gjatë qeverisjes 7-vjeçare të Hashim Thaçit, ta bartë në tre muajt e fundit, por sipas profesor Mustafës, një tentativë e tillë është e kotë.

“Kjo Qeveri e ka propozuar buxhetin vetë, i cili më pas është votuar në Kuvendin e Kosovës, kështu që kjo qeveri duhet të realizojë planin. Unë nuk po shoh këtu asnjë problem. E nëse partia e kryeministrit Thaçi gjatë fushatës ka propozuar projekte të ndryshme e që tashmë pa rishikim nuk po mund t’i futë në implementim, atëherë ky është vetëm problem i PDK-së, por jo i Kosovës”, shtoi ai.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se qeverisja e kaluar shtatëvjeçare e kryeministrit në largim, Hashim Thaçit, e ka sjellë Kosovën në një situatë të rëndë ekonomike. “Gjatë kësaj kohe kemi pasur nivel të lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, abuzimit me para publike dhe të gjitha këtyre tashmë u ka ardhur fundi, sepse PDK-ja po synon të vazhdojë edhe më tutje me avaz të njëjtë, ndërkaq të gjitha partitë tjera po tentojnë që ta ndalin një abuzim të tillë”, thotë Shatri për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, në këtë rast e gjithë përgjegjësia për këtë bllokadë politike bie te partia e kryeministrit Thaçi që, sipas tij, e ka sjellë vendin në një situatë pa rrugëdalje.

Ai tha se duke e parë mënyrën e keqe të qeverisjes, asnjë parti nuk po dëshiron të futet në koalicion me PDK-në.
“Dëmi Kosovës i është shkaktuar për çdo ditë gjatë qeverisjes 7-vjeçare të Hashim Thaçit. Por, në tre muajt e fundit ka vetëm një dallim se dëmi po shkaktohet nga një Qeveri në largim”, shtoi ai.

Ish-ministri thotë se edhe në tre muajt e fundit në masë të madhe është abuzuar rëndë me fonde publike.

Harrohen njohjet

Kosova ka pezullime të mëdha edhe në politikën e jashtme, një prej ngecjeve vazhdon të mbetet njohja e Kosovës nga vetëm katër vende. Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se ngecjet e shënuara rreth njohjeve kanë ardhur si rezultat i dështimit të politikës së jashtme të vendit.

“Shërbimi i jashtëm është jashtëzakonisht joprofesional si dhe ka mungesë të strategjisë së qartë të lobimit. Pra, politika e jashtme është joefektive”, ka thënë Hoti.

Por, një mendim më ndryshe ka shfaqur Fidan Kalaja nga Lëvizja “Fol”, i cili përmend faktin se institucionet e vendit edhe në kohën kur kanë funksionuar kanë treguar performancë të dobët në fushat më kyçe të vendit, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

“Sa për ilustrim se institucionet e vendit kanë dështuar në procesin e liberalizimit të vizave dhe luftën kur korrupsionit, po përmend vetëm një fakt se nga 15 seanca plenare sa ka mbajtur në 5-mujorin e parë të vitit 2014 Kuvendi i Kosovës në vetëm një prej tyre ka diskutuar për luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, Qeveria e Kosovës në 6-mujorin e parë të vitit 2014 nga 169 vendime sa ka miratuar, vetëm një ka qenë në fushën kundër korrupsionit. Pra, kjo tregon performancën e ulët të institucioneve sa u përket sfidave kryesore që përballet aktualisht vendi”, ka thënë Kalaja.

Ndërkaq, mungesën e krijimit të institucioneve për gati katër muaj, e konsideron si dështim të radhës në listën e shumë dështimeve të klasës aktuale politike.

Ngërçi në favor të keqpërdoruesve

Zyrtarë nga partitë e Bllokut (VLAN) fajësojnë partinë e Hashim Thaçit për vonesat në krijimin e institucioneve. Avni Arifi i AAK-së, thotë se është qeveria e Thaçit që po i shkakton dëme Kosovës duke e bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore, duke thënë se kjo periudha kalimtare është shfrytëzuar nga kjo qeveri në ikje për keqpërdorime masive në kuptimin e punësimit, tenderimit dhe politikave tjera, që siç deklaroi ai, do të lënë pasoja në zhvillimin institucional të Kosovës.

Sipas tij, vonesat në krijimin e institucioneve flasin për demokracinë e brishtë të vendit.

“Është dërguar mesazh dhe është vendosur pikëpyetje e madhe për nivelin e demokracisë në Kosovë. Në një vend kur 2/3 e deputetëve privohen nga e drejta e tyre për t’i zgjedhur institucionet, atëherë bëhet e qartë se ai vend ka probleme serioze me demokracinë”, ka thënë ai, duke shtuar se si rezultat i kësaj gjendjeje është shtyrë edhe procesi i liberalizimit të vizave. Arifi ka përmendur edhe një segment tjetër që, sipas tij, është dëmtuar Kosova në masë të madhe. Ai tha se dëmet janë të riparueshme në akseptin e zhvillimit të ekonomisë. “Është dërguar mesazh i keq edhe tek investitorët e huaj dhe në këtë drejtim shumë politika zhvillimore janë në pritje dhe nuk kanë filluar të implementohen”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë pranuar të flasin rreth dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës në të gjitha aspektet pikërisht për shkak të moskrijimit të institucioneve të reja.

Vendimet politike në vakumin e krizës

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se mungesa e institucioneve e ka dëmtuar Kosovën në të gjitha fushat e jetës, sidomos në aspektin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, themelimin e Gjykatës Speciale për Krime të Luftës, në aspektin ekonomik etj.

Sipas tij, situata e krijuar nga 8 qershori e këndej është shfrytëzuar mjaft “mirë” nga qeveria në largim e kryeministrit Thaçi, për, siç tha ai, vendime politike.

“Secilin vendim që e ka marrë Qeveria në largim mund të jetë politikisht i kontestueshëm”, ka thënë ai. Sipas tij, në këtë periudhë kur ka qenë e domosdoshme që të luftohet korrupsioni, në Kosovë ka ndodhur e kundërta.

“Në mungesë të mbikëqyrjes parlamentare mbi qeverinë, dhe mungesë të institucioneve kredibile korrupsioni ka shënuar rritje. Mekanizmat që i ka Qeveria dhe Presidenca janë “avulluar” dhe praktikisht janë mekanizma joekzistentë. Sigurisht se korrupsioni ka shënuar rritje sepse s’ka pasur mbikëqyrje adekuate. Në rrethana kur kanë funksionuar të gjitha institucionet, korrupsioni në Kosovë ishte alarmues, e lëre më tash në këtë situatë kur nuk funksionon asgjë”, ka thënë Matoshi.

Ky i fundit ka tërhequr vërejtjen se Kosova ka humbur shumë edhe në aspektin e ligjbërjes.

“Nga muaji maj, Kuvendi i Kosovës nuk funksionon, ku shumë ligje presin të shqyrtohen dhe të aprovohen. Sigurisht se edhe në këtë aspekt Kosova është dëmtuar dhe nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova është dëmtuar mjaft shumë në aspektin e integrimeve.

“Në kohën kur është dashur të përmbushen shumë kritere që lidhen me liberalizim të vizave, Kosova ka stagnuar edhe në këtë pikë. Prandaj, në të gjitha aspektet Kosovës i janë shkaktuar dëme goxha të mëdha, të cilat edhe mund të jenë të pariparueshme pikërisht për shkak të moskrijimit dhe mosfunksionimit të institucioneve”, ka thënë Matoshi.


Komento
Komente (6)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Edhe nje pa mungon , Enver Hasani . Pastaj do duhej ndar dy ne anen e majt Thaqin e Hasanin dhe kater ne anen e djatht Mustafen,Kurtin,Haradinajt dhe Limajn te paret qe bllokojne formimin e organeve shteterore sepse nuk e kan shumicen. por qe ua mundeson kushtetuta e Hasanit dhe te dytet qe kan shumicen parlamentare por qe ua pamundeson kushtetuta e Hasanit .Nuk duhet qen analist i madh per ta kuptuar se sido qete jet kushtetuta shumica vendos , dhe e dyta askush sme bind dot qe zgjedhjet e ardhshme sdo te prodhojne rezultat te ngjajshem . perveq ne venet me Apartheid dhe ne Komunizem ku shumica ishte e rreme ne asnje vend demokratik ta botes me sistem parlamentar por edhe presidencial shumica vendos,nese dikush me ndon se 37 deputet perbejn shumicen ne numrin e pergjithshem te kuvendit prej 120 deputetesh le te zgjjidhet PDK, apo ndoshta nuk njohim matematiken dhe si ne rektorta 2/3 e numrin 9 jan 5 vota ?!!!
Dr.Ismaili
rekomanduar (6)
30 Sep 2014
08:14
 
O studenti i jurdikut praktika thote ndryshe; organi me i larte ne Kosoven e sahanlpirsave dhe renegatve "shqiptare" eshte ambasada e .....ne Dragodan......
ORGANI ME I FUQISHEM
rekomanduar (4)
29 Sep 2014
19:33
 
po ku kryminister me kaq pak vota e pse spo e mer isa mustafa bile ai i ka pak ma shum vota qe e don poplli e jo me 9 perqin kryminister po kur ju smuni me ju avyt PDK edhe zotit thaqi se shum rrol tmadh ka lu si ne bisedimet me serbin ashtu edhe ne qeshtjet e mrebdshme kon e don poplli let jet kryminister e jo veq per karik se qe doni me ba pare ajo esht tjeter pun
safet jashari
rekomanduar (5)
29 Sep 2014
17:52
 
Me qene student i vitit te I-re te fak. juridik,e din qe: Kuvendi eshte organi me i larte i pushtetit,pasi qe ne Ks eshte ne fuqi sistemi i parlamentarizmit.Pra,Kuvendi zgjedh-emron Presidentin, Kryeparlamentarin,Kryeministrin, Kryetarin me gjykate kushtetuse... Kurse deri me tash organi me i larte i pushtetit ka qene Atisari me Kushtetute qorode ne dore te diktatorit Taqi, dhe me perkrahje te plote miqeve tone te perhershem
juristi
rekomanduar (9)
29 Sep 2014
17:21
 
Interesant edhe portali zeri paska mundesi me postu lajme qe jane jo tendencioze dhe qe perkojn me realitetin qe te gjithe jan bashkefajtor per gjendjen e krijuar kjo foto do duhej me po kete titull qe mbane te vendosej anee kend rrugeve te Kosoves mbase kish me i bind keta zoterinjet se megjithate nuk gezojn te drejten e uzurpimit te Shtetit ama te gjithe e jo vetem nje apo dy nga ta.
Bashkim
rekomanduar (2)
29 Sep 2014
14:42
 
ma ne fund nje foto qe flet shume. Dmth te gjithe jane fajtor per bllokaden jo vetem Hashimi, tek ne fund ai ka dal i pari ne zgjedhje, keta jane me shume fajtor por as nje nga keta nuk perjashtohet nga faji per demin qe po ja bejne shtetit, edhe ate per motive krejt te uleta
Lumi
rekomanduar (13)
29 Sep 2014
10:23
 
Me shume nga Ditari