Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Ortopedët e heshtin skandalin
Alban Selimi Publikuar: 29.09.2014 - 07:10

Është bërë më shumë se një muaj që prokurori Armend Hamiti është në pritje të një përgjigjeje nga Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të vazhduar tutje me procedimin e rastit që ka të bëjë me dyshimet për keqtrajtim mjekësor të pacientes, N. Berisha.

Por, Klinika e Ortopedisë ende nuk ka dërguar në prokurori përgjigjet specifike, lidhur me rastin e pacientes, N. Berisha nga Prishtina.

Berisha, gjatë trajtimit mjekësor te doktori ortoped, Visar Nushi, në Spitalin Amerikan në Prishtinë ka pasur një progresion të rëndë të skoliozës, duke marrë kështu shtylla e saj kurrizore formën e shkronjës “S”.

Por, sipas dyshimeve të para të Prokurorisë doktori kishte bërë matje të gabuara, apo nuk kishte intervenuar me vendosjen e një korseti në trupin e vajzës, derisa skolioza kaloi tek ajo në shkallën më të rëndë, duke arritur në atë stad, që asaj do të mundë t’i ndihmonte vetëm një operacion shumë i rëndë dhe i kushtueshëm.

Gjithë kjo ka ardhur pasi familjarët kanë marrë mendim komplet tjetër nga ortopedi Bahri Gjyshinca, lidhur me trajtimin mjekësor të vajzës 13-vjeçare. Familja i kishte ofruar mjekut Gjyshinca të gjitha fotografimet e rëntgenit.

Duke shikuar fotografitë nga retrospektiva, ai kishte nxjerrë rezultate krejtësisht tjera, duke demantuar në tërësi shkallët e prezantuara të skoliozës nga ortopedi Visar Nushi, ndaj të cilit është bërë kallëzim penal.

Prokurori Hamiti: Po presim përgjigjen

Prokurori Armend Hamiti, ka thënë për “Zërin” se ende nuk ka marrë një përgjigje nga mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Kjo përgjigje, do të saktësonte nëse këtë rast ka të drejtë doktori Gjyshinca, apo Nushi.

Me këtë edhe do të vendosej nëse doktor Nushit do t’i bëhej aktakuzë, ndonëse çfarëdo vlerësimi që nxjerrin këta mjekë, familja si palë e pakënaqur ka të drejtë këtë rast të kërkojë edhe ekspertizë ndërkombëtare.

“Ata ende nuk na janë përgjigjur”, ka thënë prokurori Hamiti. Ai tha se udhëheqësit e klinikës i kanë njoftuar se kanë formuar një komision i cili do të përgjigjet.

“Ata e kanë obligim të përgjigjen dhe do ta bëjnë këtë”, ka thënë ndër të tjera, prokurori Hamiti.

Edhe u.d. drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Faton Morina, ka konfirmuar se nuk i kanë kthyer një përgjigje Prokurorisë lidhur me ekspertizën e kërkuar për pacienten N. Berisha.

Sipas Morinës, arsyeja që nuk janë përgjigjur ndërlidhet me pyetjet shumë specifike të Prokurorisë. Ai tha se kanë bërë një komision, por ata nuk kanë mundur të japin përgjigje mjaft specifike në rastin në fjalë.

Sipas Morinës, bëhet fjalë për çështje ligjore, andaj në mungesë të një mjeku të specializuar për trajtim të skoliozës, që ai e quan skoliolog, ka pasur hezitime për të dhënë një përgjigje konkrete.

I pyetur se si ka mundësi që të trajtohet atëherë skolioza në Kosovë, derisa nuk mund të jepet një përgjigje për këtë çështje nga ekspertë që madje e trajtojnë sëmundjen, ai ka thënë se gjithë kjo ndërlidhet me faktin se bëhet fjalë për një proces ligjor.

Por, familjarët e vajzës N. Berisha, kanë dyshime që edhe stafi i Klinikës së Ortopedisë ka qëllim që të mbrojnë mjekun Visar Nushi.

“Ata duan ta mbrojnë doktor Nushin me këtë. Ne e dimë që janë gjithë kolegë dhe nuk duan t’ua hedhin në dritë të zezat njëri-tjetrit”, ka thënë babai i vajzës N. Berisha.

Ai tha se nëse këta nuk mund të japin një vlerësim për skoliozën, duhet të dalin në publik dhe ta thonë një gjë të tillë, e jo njerëzit të mashtrohen dhe të shkojnë tek ta, qoftë në klinikat private, qoftë në QKUK. “Por gjithë bota e di që skoliozën e trajtojnë ortopedët”, thotë Berisha.

Në anën tjetër, ai thotë se do të shfrytëzojë të drejtën ligjore për të kërkuar ekspertizë ndërkombëtare, në qoftë se mjekët në QKUK nuk japin mendimin e tyre, bazuar në ligjet në fuqi, por edhe në kodin e tyre etik. “Ata janë betuar dhe duhet ta thonë të vërtetën bazuar në betimin që kanë bërë”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, ai thotë se ka shumë fakte që doktor Nushi ka gabuar gjatë trajtimit të vajzës së tij. “Këtu gabimet shihen prej aeroplanit. Por, nëse jo në QKUK atëherë do të duhej që domosdo që mjekët ndërkombëtarë nuk do të kenë problem ta thonë të vërtetën për rastin e të bijës sime”.

Matjet e doktor Nushit janë demantuar nga doktor Gjyshinca

Ndryshe, doktor Nushi, i kishte thënë gazetës para më shumë se një muaji se vajzën N. Berisha e kishte trajtuar në mënyrë tejet profesionale. Sipas tij, në Kosovë nuk ka protokolle të trajtimit të pacientëve me skoliozë. Dhe kjo, sipas tij, është një fakt që tregon se jo gjithherë vendosja e korsetit mund të jetë shpëtim për pacientët.

Por, në një shkrim të tij, Ervin Priftaj, doktor në Spitalin Amerikan në Tiranë, kishte thënë se kur deformimi është midis 20 dhe 40 gradëve, rastet trajtohen duke mbajtur veshje të specializuara. Kur deformimi është mbi 40 gradë, atëherë, sipas tij, zgjidhje mbetet vetëm operacioni.

Kurse, ndonëse vajzës nga Prishtina, deformiteti i kishte kaluar mbi 50 shkallë, nuk i ishte vendosur korseti.

Ndryshe, gazeta ka raportuar në muajin gusht, se edhe në matjet që i ishin bërë vajzës ishin dhënë vlerësime të ndryshme nga dy mjekët. Në vlerësimet e tij, doktor Gjyshinca kishte demantuar doktor Nushin.

Derisa Nushi në janar kishte konstatuar një deformim prej 24 shkallësh, deformiteti nga doktor Gjyshinca paraqitej 22 shkallë. Në fotografimin e datës 04.10.2011, doktor Nushi kishte konstatuar deformim prej 16 shkallësh.

Në të njëjtën fotografi, doktor Gjyshinca konstatoi se bëhet fjalë për deformim prej 22 shkallësh. Më 05.06.2013 matjet e doktor Nushit flasin se deformiteti ishte 28 shkallë, kurse matjet e doktor Gjyshincës do të thellojnë dallimet për 12 shkallë.

Dhe në fund, kur Nushi kishte konstatuar deformimin prej 48 shkallëve, Gjyshinca kishte konstatuar se deformiteti kishte kaluar në 54 shkallë.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Te lumte I nderuari gazetar Albani per ket articulate te qelluar se e vetemja arme per te goditur mjeker pa pergjigjsi jeni ju qe e informoni populli se si mjeket bejn eksperimente me femijet tan e ju jeni ata qe Edhe organeve te drejtesis po ju hapni syet dhe shpresoj qe drejtesia do tju jap denimin e merituar te lumt dhe suksese ne pune
Veton
rekomanduar (3)
29 Sep 2014
17:53
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51