Ekonomia

Ballina / Ekonomia / Ekonomia
Kriza politike pengon zhvillimin në Gjakovë
Artan Z. Haraqia Publikuar: 29.09.2014 - 08:56
Foto: Laura Hasani

Kriza institucionale në Kosovë dhe mungesa e një qeverie fuqiplotë tash e 4 muaj, po sjellë telashe dhe bllokim të proceseve, kryesisht atyre ekonomike, edhe në komunën e Gjakovës.

Sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila, janë disa procese jetike që janë stopuar në mungesë të qeverisë, e të cilat, si të tilla, po e pengojnë zhvillimin e mëtejmë të Gjakovës.

“Ndër bllokadat e para është themelimi i parkut të biznesit që neve do të na kryente shumë punë tani. Në fakt, në mungesë të bordit të kompletuar të AKP-së, i cili duhet të caktohet nga qeveria e re, neve po na zvarritet finalizimi i marrëveshjes për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të dy ndërmarrjeve shoqërore ‘Metalikut’ dhe ‘Virxhinisë’, për shndërrim në park të biznesit. Në mungesë të qeverisë, edhe ndërmarrja publike ‘Aeroporti i Gjakovës’ ka mbetur pa bord dhe me menaxhment të përkohshëm si ushtrues detyre. Ne kemi kohë që po e presim emërimin e bordit nga qeveria dhe vendosjen e ofertës për koncesionimin e Aeroportit. E mbi këto, neve po na shqetëson mungesa e rishikimit të buxhetit për vitin 2015 ku kemi bërë disa lëvizje të disa projekteve nga ato ku qytetarët e komunës së Gjakovës mund t’i shihnin drejtë për drejtë rezultatet”, ka thënë Kusari – Lila.

Ajo ka shtuar se një situatë e tillë nuk është në favor të askujt, po janë qytetarët ata që po humbasin më së shumti.

“Këto janë elemente apo bllokada nga elementi politik qendror, që shpresoj të zgjidhet sa më shpejtë në të mirë të qytetarëve të Kosovës por edhe rastin konkret në të mirë të qytetarëve të Gjakovës. Më duhet të them, se kjo gjendje çfarë është tani sjellë ndjenjë të pasigurisë tek qytetarët, ndjenjë e cila më së paku duhet të jetë prezentë tani”, ka vazhduar ajo.

Ndryshe, të gjitha premtimet e kryetares aktuale të Gjakovës, për zhvillimin ekonomik lokal, kanë qenë të përqendruara pikërisht në fushat të cilat po shihen pengesa ditëve të fundit, pengesa që duket se vijnë nga mungesa e qeverisë në nivelin qendror.

Për Parkun e Biznesit, për të cilin Kusari – Lila thotë se do të jetë një ndihmesë e madhe për zhvillimin ekonomik lokal, komuna tash e sa muaj ka parashtruar kërkesë në AKP për marrje në shfrytëzim afatgjatë të hapësirave të dy ndërmarrjeve shoqërore “Metalikut” dhe “Virxhinisë”, për shndërrim në park të biznesit. Në takimin e fundit bordi i AKP-së është pajtuar në parim që t’ia japë komunës së Gjakovës këto hapësira, por në mungesë të kuorumit, ka qenë e pamundur që edhe të merret një vendim përfundimtar.

Kusari – Lila thotë se për këtë pritet emërimi i anëtarëve tjerë të bordit e më pastaj të merren një vendim.

E njëjta situatë është edhe me Aeroportin e Gjakovës, i cili nga zyrtarët komunalë llogaritet si aset shumë fitimprurës, pas momentit që i njëjti do të jepet në koncesion dhe në të do të fillojë qarkullimi. Aktualisht, pas largimit të KFOR-it italian nga Aeroporti, ky ambient po ruhet nga një kompani private e sigurimit, e cila duket se deri më tani ka arritur ta ruajë në maksimum Aeroportin dhe të gjitha pasojat që janë në të.

Ndërkohë, mbetja në këtë gjendje e të Status Quos për Aeroportin e Gjakovës, përveç pamundësisë së përfitimit ekonomik për të gjithë banorët e komunës së Gjakovës, duket se më së shumti i ka dëmtuar punëtorët, konkretisht stafin civil të cilët në të kaluarën kanë punuar aty, e të cilët në marrëveshjen e nënshkruar në mes të KFOR-it italian dhe Qeverisë së Kosovës, e kanë prioritetin për punësim, në momentin e parë që Aeroporti do të vihet në funksion.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ekonomia