Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Kultura evropiane vjen në Kosovë
Qëndrim Muçolli Publikuar: 29.09.2014 - 10:02

Kryeqyteti kosovar për tre ditë me radhë, nga 3 deri më 5 tetor, do të jetë nikoqir i diku rreth njëqind personaliteteve të kulturës nga Evropa, e krejt kjo si pjesë e sesionit të trembëdhjetë të Parlamentit Kulturor Evropian (ECP). Parlamenti Kulturor Evropian është forum i personaliteteve evropiane në fushën e artit, kulturës dhe letrave për të zhvilluar dialogë, diskutime dhe debate mbi temat kyçe dhe aktuale mbi bashkëpunimin,  demokracinë dhe kulturën evropiane.

Synimi i Parlamentit Kulturor Evropian është që të forcojë rolin e ideve kulturore dhe artistike në debatin mbi të ardhmen e Evropës. Forumi gjithashtu ofron një vendtakim evropian ku krijohen rrjetet, idetë dhe nismat e rëndësishme. Shpirti i kulturës evropiane këtë vit vjen në Prishtinë me iniciativën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, si dhe në bazë të një memorandumi të nënshkruar më 14 prill të këtij viti për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Parlamentit Kulturor Evropian. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit këtë aktivitet e organizon në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Kosovë.

Përveç artistëve dhe aktivistëve kulturorë nga Evropa, pjesë e paneleve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë këtyre tre ditëve, me ftesë të Ministrisë së Kulturës do të jenë edhe rreth tridhjetë artistë të ndryshëm nga Kosova.

Dy akterët kryesorë të organizimit Këshilli Britanik dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë ngjarje, duke përfshirë edhe agjendën e plotë të sesionit.

Ministri Krasniqi vlerëson se mbajtja e sesionit të trembëdhjetë të Parlamentit Kulturor Evropian në Prishtinë është një hap tejet i rëndësishëm në promovimin e skenës sonë kulturore dhe mundësi që artistët tanë të shkëmbejnë përvojat dhe të lidhin bashkëpunim me personalitete e organizata kulturore nga Evropa.

“Me këtë ngjarje Prishtina po merr epitetin e një prej qendrave kryesore të kulturës në Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne tregojmë imazhin e vërtetë të vendit tonë”, vlerëson Ministri Krasniqi.

Ndërkaq, drejtoresha e partnerit të MKRS-së në organizimin, Këshillit Britanik për Kosovë, Arjeta Emra, thotë se mbajtja e sesionit trembëdhjetë të Parlamentit Kulturor Evropian, në Prishtinë është në vazhdën e shumë nismave për përfaqësim sa më të mirë të Kosovës në Evropë. “Për Këshillin Britanik, si organizata më e madhe e marrëdhënieve kulturore në botë, mbajtja e një forumi të tillë është e një rëndësie të veçantë sidomos për Kosovën duke e marrë parasysh integrimin tonë kulturor në familjen evropiane. Ky forum, e posaçërisht temat të cilat do të shtjellohen në sesionin e Prishtinës, si roli i diplomacisë kulturore në përfaqësimin e një shteti, janë në vazhdën e bashkëpunimit tonë me Qeverinë e Kosovës në drejtim të promovimit dhe përfaqësimit sa më të mirë të imazhit të Kosovës jashtë vendit”, thotë ajo.

Zëdhënësja e MKRS-së, Jehona Shyti, tha për “KultPlus” se është fatbardhësi e madhe sepse me iniciativën e ministrit Krasniqi është bashkangjitur edhe Këshilli Britanik i Kosovës, të cilët do të bashkëfinancojnë këtë ngjarje shumë të rëndësishme të kulturës, jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin.

Në Parlamentin Kulturor Evropian do të diskutohen tema të ndryshme por, sipas Shytit, si njëra më e rëndësishmja do të jetë “Diplomacia kulturore”.

“Ne besojmë se është temë jashtëzakonisht e rëndësishme për kulturën në dhe për Kosovën në përgjithësi, sepse siç e kemi parë aty ku nuk mund të depërtojë politika dhe diplomacia, ka depërtuar kultura në vazhdimësi. Kështu që duke qenë të vetëdijshëm për këtë fakt, ne jemi duke u angazhuar me tërë kapacitetet tona që ky sesion të dalë sa më mirë”, shtoi Shyti.

E pyetur se ku qëndron Kosova sa i përket diplomacisë kulturore, Shyti tha se këto tri vitet e fundit Kosova ka pasur një progres të dukshëm në këtë aspekt.

“Në këto tri vitet e fundit ka pasur një progres të madh në diplomacinë kulturore, ne si Ministri e Kulturës gjithnjë kemi mbështetur pjesëmarrësit e Kosovës në shumë ngjarje të rëndësishme kulturore. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës vitin e kaluar ka qenë një nga “Shooting Stars”, Arta Dobroshi, ka qenë njëra nga to, pastaj Kosova ka qenë vazhdimisht e përfaqësuar në shumë festivale të filmit si në Sarajevë, “Berlinale”, në Panairin e Librit në Frankfurt, dhe ngjarje të tjera të rëndësishme të kulturës, qoftë përmes institucioneve të kulturës, qoftë edhe përmes artistëve”, përfundoi Jehona Shyti

Në ditët në vazhdim, Ministri Krasniqi pritet të propozojë emërimin edhe të dy anëtarëve të tjerë nga Kosova në Parlamentin Kulturor Evropian.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Britanik do të bëjnë të ditur në ditët në vazhdim detajet e tjera të këtij sesioni.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51