Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Projekti gjithëpërfshirës për Kalanë e Prizrenit
Qëndrim Muçolli Publikuar: 29.09.2014 - 10:05

Kalaja e Prizrenit, si një ndër monumentet më me vlera historike, kulturore dhe arkitekturore dhe si një lokalitet që ruan një shtresëzim kulturor që nga periudha parahistorike e deri në fillimshekullin e kaluar, do të jetë epiqendra e një projekti restaurimi, për të cilin u tha se do ta kthejë Kalanë në gjendjen në të cilin ka qenë para rrënimit, që ka ndodhur kohë pas kohe këto 100 vjetët e fundit.

Senat Haliti, arkitekt dhe menaxher projektesh në organizatës “CHwB”, organizatë e cila së bashku me Institutin Arkeologjik të Kosovës, ka në dorë restaurimin e Kalasë, për gazetën “Zëri”, ka folur më detajisht për projektin, duke thënë se punimet në terren në pjesën e Kalasë e cila mbulohet me fondet e këtij projekti orientimisht do të duhej të fillonin së realizuari gjatë pranverës së vitit të ardhshëm. “Secila palë, do të përfshijë në grupet e punës ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm sipas nevojës. Është qasje e CHwB-së që të angazhojë dhe bashkëpunojë me kuadro vendorë, qofshin ata ekspertë të lartë apo edhe zanatlinj dhe vetëm në rastet kur këto kuadro mungojnë brenda vendit, të sillen bashkëpunëtorë prej jashtë”, pohoi Haliti, duke folur për përbërjes së ekipit që do ta restaurojë fortesën e cila ngrihet mbi qytetin e bukur të Prizrenit, sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumëbardhit dhe rrafshin e Dukagjinit.

Sipas tij, ende nuk dihet përfundimisht se cilat ndërhyrje do të bëhen në Kala, por do të jetë procesi që do të ndjekim ai që do të na japë një pasqyrë më të qartë të natyrës së ndërhyrjeve që do të realizohen në Kala. “Përndryshe, projekti është i orientuar më tepër në konservimin e strukturave arkeologjike të gjetura në Kalanë e Poshtme. Vlen të ceket që paralelisht me këtë projekt, IAK është duke vazhduar gërmimet dhe është duke bërë konservimin dhe restaurimin e disa pjesëve në Kalanë e Epërme”, tregon Haliti.

Projekti i cili përveç që do ta bëjë të mundur që fortesa qindravjeçare të përdoret përsëri si e tillë, siç ishte përdorur deri në vitin 1912, ka për qëllim gjithashtu që t’i kushtohet kujdes edhe krijimit të kushteve elementare për shfrytëzim, duke përmirësuar qasjen, duke vendosur shenjëzimin e duhur interpretues dhe duke krijuar një rrjet shtigjesh për qarkullimin e vizitorëve. 

Sipas Halitit, veçantia e tërë këtij projekti është koncepti se si është menduar që të realizohet ky projekt. “Përveç konservimit dhe rishfrytëzimit (adaptimit), si komponentë të rëndësishëm janë edhe krijimi i një modeli të interpretimit dhe hartimi i planit të menaxhimit. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes së palëve me interes sikur janë institucionet relevante lokale, shoqëria civile, komuniteti profesional, institucionet e nivelit qendror në të”, tregon Haliti, duke shtuar se rëndësi të veçantë do t’i kushtohet edhe qëndrueshmërisë. “Do të jenë plani i rishfrytëzimit (rivitalizimit) të pjesshëm dhe plani i menaxhimit përmes të cilit do të tentojmë që për Kalanë e Prizrenit të sigurohet jo vetëm qëndrueshmëria financiare, por edhe ajo ambientale e institucionale”, shton ai.

Qëllimi kryesor i organizatës për të cilën kontribuon Haliti, është që puna e tyre të ketë ndikim në të ardhmen dhe duke u ndërlidhur këtu, ai shtoi se përmes këtij projekti synohet ruajtja dhe vënia në pah e vlerave të monumentit duke bërë të ditur se do të investohet në ruajtjen fizike të mbetjeve të cilat i janë të ekspozuara kërcënimeve natyrore. “Dëme këtij monumenti po i shkaktojnë edhe lëvizjet e pakontrolluara të vizitorëve. Përndryshe, projekti nuk do të kufizohet vetëm në investime të karakterit fizik, përkatësisht vetëm në konservim, por do të punohet në atë drejtim që ky aset i qytetit të jetë në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve”, pohoi ai, duke shtuar se përmes komponentit do të zhvillohen modele novatore shumëdimensionale që do të mundë të përdoreshin për qëllime edukimi dhe turizmi.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51